Të merresh me bletari jo domosdoshmërisht duhet të kesh lidhje me këtë fushë, pasi nëse ekziston pasioni dhe vendosmëria arrihet gjithçka. Bledjan Gjoka së bashku me babain e tij kanë afro 25 vite që merren me bletari në fshatin Vreshtas, Komuna Cakran e Fierit. Edhe pse Bledjani me profesion është inxhinier, ai bën po aq mirë edhe punën si bletërritës. “Bletari Gjoka” është një biznes i vogël familjar, që gjendet në fshatit Vreshtas 30 minuta larg me makinë nga qyteti i Fierit.
Si çdo biznes, që nis në fillim më sasi të vogël edhe aktiviteti i “Bletari Gjokës” ka nisur për prodhim mjalti për konsum familjar dhe më pas ka nisur edhe tregtimin me sasi të pakëta, duke hedhur hapat e një biznesi të vogël me shumë vlerë.
Për Radio Ejani Bledjan Gjoka jep më shumë detaje të këtij aktiviteti, që më shumë se sa biznes shikohet si një relaks dhe kënaqësi që jep në fund të ditës kjo punë. Vit pas viti, shporta e produkteve nga “Bletari Gjoka” është zgjeruar.
“Rruga të ofron të shijosh një natyrë dhe peisazh fantastic dhe herë herë të duket sikur shkëputesh nga realiteti dhe po jeton një përallë. Fillimisht aktiviteti i bletarisë sonë ka qenë i përqendruar vetëm në produktin e mjaltit, por dalëngadalë duke kaluar dhe vitet shtuam dhe prodhimin e qumështit të bletës, polenin, dyllin dhe propolisin. “-shprehet Bledjan Gjoka
Nëse flasim për vitet e nisjes së këtij rrugëtimi, padyshim edhe për familjen Gjoka ato kanë qenë të vështira.
“Fillimet e biznesit tonë kanë qenë të vështira derisa arritëm në pikën që jemi sot pasi kishim një numër të vogël kosheresh. Bletaria Gjoka e ka filluar aktivitetin e saj që nga viti 1996 me përdorimin e mjaltit vetëm për familjen tonë. Duke u shtuar me kalimin e kohës morëm formën e një biznesi të vogël familjar. Zona ofron potencial shumë të madh për bimësinë e bletarisë. Pozicioni i favorshëm gjeografik dhe diversiteti që ofron klima jonë i japin një dorë të mirë zhvillimit të bletarisë. Shumëllojshmëria e luleve dhe e pemëve e bëjnë mjaltin të spikasë e të përdoret nga shumë klientë. Interesi për të gjithë produktet përfshirë mjaltin, qumështin, polenin, propolisin dhe dyllin është shumë i madh. Klientela ka ardhur duke u rritur që nga fillimi e deri më sot. Bletaria jonë është një shembull tipik i një biznesi të vogël familjar, pasi e gjithë familja angazhohet dhe ndihmon në arritjen e punës, pavarësisht profesioneve të ndryshme. Biznesi fillimisht nisi si një pasion nga kryefamiljari Agim Gjoka dhe sot ky pasion trashëgohet edhe nga djali Bledjan Gjoka me profesion inxhinier.
Kontribut të rëndësishëm jep edhe vajza në profesion mjeke, e cila ndihmon në përgatitjen e kornizave për bletët. Objektivi ynë është i qartë, çdo vit prodhojmë produkte të mjaltit cilësor. “- tha Bledjan Gjoka
Mjalti është mjaft i pëlqyer nga konsumatorët të cilët tashmë janë besnikë të “Bletari Gjoka”. Duket se shijen unike këtij mjalti ia jep pozicioni gjeografik që gëzon zona ku ndodhen kosheret.
“Biznesi kërkon shumë angazhim, por lodhja nuk krahasohet me frytet që marrim. Ndjesia që të jep parku i bletëve është çlodhëse dhe motivuese. Bletaria nuk është si profesionet e tjera, pa e dashur nuk mund ta ushtrosh. Në rradhë të parë duhet të kesh simpati, durim dhe vullnet ndaj punës. Përkujdesja ndaj tyre duhet të jetë disa fish. Nëse krijohen kushte për bletët dhe produkti del i kënaqshëm mbi të gjitha, është dëshira, kënaqësia për t’u marrë dhe më pas vijnë të ardhurat. Bletët tona janë të vendosura në zonë kodrinore, ku ajri dhe klima janë shumë të pastra. Siç e përmendëm ne nuk ofrojmë vetëm mjaltin, por edhe dyllin, propolisin, qumështin dhe polenin.”- thekson Bledjan Gjoka
Qumështi i bletës sipas ekspertëve ka vlera të jashtzakonshme për shëndetin e njeriut, sidomos pë rata që vuajnë nga sëmundje të ndryshme. Bledjani na flet për disa nga vlerat e këtij prodhimi.
“Qumështi ka vlera të larta curative, pasi përdoret për shërimin e shumë sëmundjeve. Vlerat e larta kurative justifikojnë dhe çmimin e lartë që ka ky qumësht. Propolisi është një medikament natyral antiviral shumë i njohur. Dylli ka veti mahnitëse për organizmin, duke filluar nga atë kundër infeksioneve te kozmetika siç është dhe prodhimim i kremërave. Poleni është burimi kryesor i proteinave dhe vitaminave. Të gjitha këto produkte, që ofrohen nga bletaria janë bio sepse bleta kullot në shumëllojshmëri bimësh dhe pemësh, të cilat rriten larg pesticideve të dëmshme për organizmin. Duke qenë se jemi mësuar në të gjitha profesionet askujt nuk i shkon në mendje të bëhet bletërritës, derisa e provon diçka të tillë. Të gjithë e duam natyrën për prodhimet bio të saj. Bletaria është një promovim për produktet shqiptare, ndër të tjera bleta të mëson rregullin e mrekullueshëm që ka ajo në organizëm, punon me një insekt aq të vogël dhe përfiton shumë të mira”, flet për Radio Ejani Bledjan Gjoka.
Në Shqipëri prodhohen mbi 4500 tonë mjaltë në vit, çka tregon se bletaria tashmë është një biznes i mirëfilltë dhe jep një kontribut të rëndësishëm për ekonominë e familjeve që merren me këtë aktivitet. Bletaria ka marrë një zhvillim të konsiderueshëm vitet e fundit dhe Ministria e Bujqësisë ka deklaruar se mbështetja për këtë sektor do të vazhdojë. Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021 financon drejtpërdrejtë bletarët me 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere. Vitin e kaluar (2020) Skema Kombëtare mbështeti të gjithë aplikuesit për bletari që ishin 1458 fermerë dhe 358,365 koshere të shpërndara nëpër të gjithë vendin. Një zhvillim tjetër pozitiv sipas Ministrisë së Bujqësisë për sektorin e bletarisë në vend është hapja e eksportit me Kinën, pasi kjo është një mundësi e madhe për bletërritësit shqiptarë, që do të rrisin prodhimin vendas dhe mundësitë e eksportit të prodhimit të tyre. Kushtet klimatike dhe flora e pasur e bëjnë Shqipërinë mjaft të favorshme në prodhimin e mjaltit cilësor.