Bota po shkon drejt digjitalizimit dhe shumica e shërbimeve ofrohen nëpërmjet kësaj forme. Një anketim i fundit i Institutit Europian të Statistikave (Eurostat) tregon se sa njohuri kanë europianët në vende të ndryshme të kontinentit lidhur me teknologjinë. Sipas studimit, shqiptarët kanë njohur të dobta, krahasuar me europianët e tjerë.
Në studimin krahasues të Eurostat, cituar nga revista shqiptare “Monitor” theksohet se në vitin 2019 vetëm 21 për qind e shqiptarëve të moshës 16-74 vjeç kanë njohuritë bazë digjitale. Kjo është përqindja më e ulët, krahasuar me vendet e tjera europiane. Pas Shqipërisë renditen Bosnje-Hercegovina me 24 për qind, e pasuar nga Kosova me 28 për qind dhe Bullgaria me 29 për qind. Ndërsa vendi europian me popullsinë që ka më shumë njohuri digjitale është Islanda me 85 për qind, e pasuar nga Norvegjia me 83 për qind, duke vijuar lista me Holandën, Zvicrën dhe Finlandën.
Treguesi i njohurive digjitale në popullsinë e rritur mat përqindjen e popullsisë nga 16-74 vjeç që kanë aftësitë bazë digjitale në katër fusha të veçanta si informacion, komunikim, zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e një përmbajtjeje. Treguesi bazohet në sondazhin e Bashkimit Europian për përdorimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në familje dhe nga individët.
BE po zbaton një strategji për rritjen e aftësive digjitale të popullsisë europiane. Të kesh një fuqi punëtore dhe popullsi të kualifikuar në njohuritë digjitale është vendimtare për konkurrencën europiane.
Sipas studimit 42 për qind e europianëve nuk kanë njohuritë bazë digjitale dhe nga këta 37 për qind bëjnë pjesë në tregun e punës. Mungesa e njohurive digjitale përfshin fermerët, punonjësit e fabrikave dhe të bankave.
Shqiptarët dhe përdorimi i internetit
Në Shqipëri 68.6% e individëve të moshës 16-74 vjeç deklaruan se ishin përdorues të internetit. Në Bashkim Europian sipas Eurostat përdorimi i internetit nga e njëjta grupmoshë përllogaritet të jetë 87%, rreth 18 pikë më shumë krahasuar me Shqipërinë. Sipas të dhënave të INSTAT, aktivitetet kryesore që kryhen nga shqiptarët përmes internetit janë kërkimi i informacionit për mallrat dhe shërbimet me 50,2 %, marrja ose dërgimi i e-mail-eve 32,5 % dhe shikimi i filmave 38,2 %. Në ndryshim, pjesa më e madhe e europianëve (75%) janë përgjigjur se më së shumti e përdorin internetin për të marrë ose dërguar e-mail-e, ndërsa në vende të dytë renditet kërkimi i informacionit, i ndjekur nga dërgimi i mesazheve, apo i të lexuarit të shtypit. Gjithashtu pjesa më e madhe e europianëve kanë deklaruar se e përdorën internetin për veprime e lehtësira bankare dhe rrjetet sociale
Shqiptarët dhe teknologjia e informacionit
Shpërndarja masive e internetit në Shqipëri erdhi vetëm pas vitit 1997.
Operatori i parë ishte Intellectual Communication Center-Albania e më pas në vitin 1998 Abissnet dhe Adanet. Së bashku me operatorë të tjerë ato filluan të shtrijnë shërbimin e internetit fillimisht në Tiranë, në përfaqësitë diplomatike, ato shtetërore e më pas në qytete të tjera të Shqipërisë. Infrastruktura e internetit në Shqipëri filloi të krijohet vrullshëm pas vitit ‘98.
Duke përdorur teknologjinë e fibrave optike, Shqipëria u lidh nëpërmjet Italisë, Greqisë dhe Kroacisë me rrjetin ndërkombëtar duke shënuar një hop cilësor.
Fillimisht çmimet e lidhjes me internetin ishin të larta, por më pas erdhën duke u reduktuar. Megjithatë për mjaft konsumatorë sërisht tarifat e internetit në Shqipëri, llogaritet të jenë shumë here më të larta se në vendet e tjera europiane.
Internet kafeja e pare në Tiranë u hap në vitin 1999. Duke qenë fillimi i krijimit të kompanive të para që ofronin shërbimin e internetit në Shqipëri në atë kohë dhe çmimet ishin të shtrenjta për të patur në shtëpi një shërbim të tillë. Për këtë arsye të gjithë filluar të përdorin pak nga pak internet kafetë dhe në vitin 2001 – 2002 pati boom hapja e internet kafeve në Tiranë dhe në rrethe. Me rritjen e konkurrencës në këtë shërbim tashmë janë të shumtë operatorët private që ofrojnë shërbimin e internetit dhe internet-kafetë po vijnë drejt zhdukjes, kryesisht në qytetet e mëdha.
Përdorimi i internetit në Shqipëri vitet e fundit po njeh një zhvillim të madh nga grupmosha të ndryshme, që e përdorin atë si mjet informimi për ngjarje të ndryshme, komunikimi por dhe për argëtim. Kontakti me teknologjinë zë një kohë të konsiderueshme në përditshmërinë e çdo përdoruesi. Numri i shqiptarëve përdorues të internetit është rritur nga viti në vit dhe nga të dhënat zyrtare njoftohet se rreth 70 për qind e tyre e përdorin internetin. Mësohet se përdorimi i internetit ka shënuar rritje dhe në zonat rurale të vendit.
Nga anketime të ndryshme rezulton se rritje shfaq dhe numri i personave që kanë një lidhje interneti në shtëpi. Interesant është fakti se përdorimi i internetit në Shqipëri e kalon me 10 për qind mesataren botërore.
Zhvillimet e fundit teknologjike si tabletat, smartphonat dhe pajisjet të tjera të sofistikuara për përdorim të përditshëm janë tashmë pjesë e çdo qytetari europian dhe shqiptar. Tashmë teknologjia është mjeti kryesor i informimit dhe komunikimit, ku çdo gjë ndodh në kohë reale.
Rrjetet sociale, “mania” e shqiptarëve
Shqiptarët dhe sidomos të rinjtë, rezultojnë të jenë ndër përdoruesit më të lartë të Facebook në rajon, por edhe në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të publikuara nga Terra Data Analytics, statistikat e Facebook për 2020 tregojnë se janë 1.405 milionë përdorues aktivë mujorë që përdorin Facebook në Shqipëri, në një popullsi prej rreth 2.8 milionë banorësh) Shtatë nga dhjetë (69%) të rritur në Shqipëri pohojnë se përdorin Facebook. 73% e përdoruesve të Facebook janë nën moshën 35 vjeç. 918 mijë e përdoruesve vizitojnë faqet e rrjeteve sociale në baza ditore, duke e bërë Facebook platformën kryesore në Shqipëri, duke arritur 60.6% të përdoruesve të internetit. Interesant është edhe fakti që Facebook shiti 9.15 milionë dollarë reklama në Tremujorin e Parë të 2020 në Shqipëri.
Përveç Facebook-ut, që më së shumti përdoret nga mosha e mesme, Instagrami dhe Tik Tok kanë përdorues të moshës së re. Përdorimi i rrjeteve sociale në Shqipëri është nxitur edhe si mjet komunikimi, pasi shumë shqiptarë i shfrytëzojnë ato për komunikim të përditshëm me të afërmit dhe miqtë jashtë vendit.
Eda Merepeza