Lidhja midis rritjes së temperaturës mesatare botërore, pra ngrohjes globale të shkaktuar nga gazet serrë, dhe problemeve të ndryshme që lidhen me prodhimin e ushqimit kanë qenë prej kohësh të njohura, por deri tani çështja nuk ishte hartuar kurrë në një nivel ndërkombëtar. Një studim i botuar nga një grup shkencëtarësh nga universitetet e Finlandës dhe Zvicrës e analizon problemin në thellësi.

“Rritja e shpejtë dhe e pakontrolluar e emetimeve të gazeve serrë mund të bëjë që deri në vitin 2100 më shumë se një e treta e prodhimit botëror bujqësor, nga e ashtuquajtura hapësirë klimaterike e sigurt, mund të shndërrohet në një zonë ku nuk është e mundur të prodhohet ushqim”, -deklaroi eksperti finlandez Matti Kummu, nga Universiteti i Aaltos.

Rreth 95 për qind e prodhimit botëror bujqësor ndodh në hapësirën e sigurt të klimës, d.m.th. rajone me karakteristika mjedisore të përcaktuara nga kombinimi i tre faktorëve themelorë: shiu, temperatura dhe thatësia. Sipas Kummu, nëse ulen emetimet për të kufizuar rritjen mesatare globale të temperaturës në 1.5-2°C krahasuar me vlerat e referencës, vetëm një pjesë e prodhimit të ushqimit do të ishte në kushte të papërshtatshme.

Kolegu i tij zviceran Matias Heino deklaron se bujqësia dhe blegtoria u zhvilluan në një klimë relativisht të qëndrueshme, gjatë një periudhe kur ngrohja globale ishte e ngadaltë. Por rritja aktuale e vazhdueshme e emetimeve të gazeve serrë mund të krijojë një ndryshim të papritur të temperaturave dhe kushteve të reja mjedisore, të tilla që prodhimi i produkteve ushqimore dhe rritja e bagëtive nuk do të kenë kohë për t’u përshtatur.

Studiuesit kanë zhvilluar dy skenarë që mund të bëhen realë në të ardhmen e afërt. I pari, bazuar në zvogëlimin drastik të emetimeve të dyoksidit të karbonit, me kontrollin e rritjes së temperaturës brenda 2 gradësh; i dyti, bazuar në rritjen e vazhdueshme të emetimeve. Hulumtimi mori gjithashtu parasysh kapacitetet e ndryshme të adaptimit ndaj ndryshimeve klimaterike, në varësi të rajoneve të ndryshme të botës, dhe nga e gjithë kjo ishte e mundur të vlerësohen efektet e dy skenarëve në 27 kulturat kryesore ushqimore dhe në mbarështimin në 7 ferma kafshësh.

Studimi tregon se ndryshimi i klimës dhe pasojat e tij do të ndikojnë në disa rajone të botës në mënyra thellësisht të ndryshme. Nga 177 vende të konsideruara, në skenarin më të keq, vetëm 52 do të qëndronin në një hapësirë të sigurt klimatike pavarësisht nga rritja e temperaturës. Midis këtyre janë shumë vendeve evropiane, veçanërisht në veri, ndërsa Evropa Jugore do të kishte disa probleme, megjithëse jo serioze. Në Afrikën nën-Sahariane do të kishte situata më serioze dhe dramatike, p.sh., në Benin, Ganë, Guine. Në Amerikën e Jugut pasojat më të rënda do të ishin në Guajana, Suriname, Brazil; në Azi, sidomos në Indi.

Në varësi të skenarit të shqyrtuar, 8 deri në 31% e tokës bujqësore dhe 5 deri në 34% e fermave do të gjendeshin jashtë hapësirës së klimës së sigurt dhe në vende me pak ose aspak kapacitet për t'u përshtatur me ndryshimet.

Studimi gjithashtu konsideroi pyjet boreale, të cilat shtrihen nga Amerika e Veriut në Evropën Veriore. Nëse rritja mesatare e temperaturës globale do të përmbahej brenda 2°C, zona e pyjeve mund të tkurret nga 18 milionë aktualë në 14.8 milionë kilometra katrorë brenda vitit 2100. Nëse temperatura do të rritet më shumë, mbulesa pyjore do të tkurret në 8 milionë kilometra katrorë.

Ndryshimi do të ishte dramatik në Amerikën e Veriut, ku në vitin 2000 pyjet boreale mbuluan rreth 6.7 milionë kilometra katrorë. Në vitin 2090 ato mund të tkurren në një të tretën. Situata mund të jetë edhe më e keqe për tundrën e Arktikut.

Studimi vlerëson se ajo mund të zhduket plotësisht nëse nuk frenohet rritja e temperaturës, ndërsa do të rriten sipërfaqet e pyjeve të thata tropikale dhe shkretëtirat tropikale.

Shkaku i parë i emetimeve të gazeve serrë është ushqimi. Kjo është ajo që doli nga raporti i organizatës joqeveritare “World Wide Fund”, “Klima në pjatë”. Prodhimi i ushqimit përbën 35% të emetimeve globale të dyoksidit të karbonit, metanit dhe oksidit të azotit; në të njëjtën kohë, ngrohja globale e favorizuar nga gazet serrë kërcënon prodhimin e ushqimit. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Politikave të Kërkimit Ushqimor (IFPRI), për shkak të efektit të thjeshtë të ndryshimit të klimës në prodhim, numri global i njerëzve që vuajnë nga uria mund të rritet me 20% deri në vitin 2050, me rritje veçanërisht serioze (65%) në Afrikën nën-Sahariane.

Flitet për rreth 25 milionë fëmijë më shumë, nën moshën 5 vjeç, të cilët mund të vuajnë nga kequshqyerja. Sipas OJQ-së, ndikimi i ndryshimit të klimës në këto çështje që lidhen me sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit do të jetë më i keq nga sa është vlerësuar deri tani dhe pasojat do të vijnë edhe më shpejt, në dy-tre dekadat e ardhshme.

Sipas “World Wide Fund”, uria që vazhdon ende në botë nuk është për shkak të faktit se nuk prodhohet ushqim i mjaftueshëm, por për shkak të mungesës së qasjes në ushqim. Prodhimi i ushqimit për të gjithë është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm, për sigurinë ushqimore në një botë që ka tashmë mbi 7.3 miliardë banorë. Në vitin 2050, sipas parashikimeve më të fundit të Kombeve të Bashkuara, do të ketë rreth 9.7 miliardë.

Ndikimi i ndryshimit të klimës në prodhimin e ushqimit dhe efektet e praktikave bujqësore që dëmtojnë klimën janë tashmë një realitet. Qëllimi është të krijohen sisteme ushqimore të integruara fuqimisht me vitalitetin e sistemeve natyrore dhe biodiversitetit, të cilat ndikojnë me më pak dëm në mjedis dhe klimë.

Në fakt, shumica e përgjegjësisë për emetimet e gazeve serrë vjen nga konsumi i lidhur me ushqimin, veçanërisht i mishit, i cili po rritet në të gjithë botën. Vendimet e marra nga konsumatorët janë po ashtu thelbësore, të afta të përcaktojnë një ndryshim të rëndësishëm të kursit në sigurinë ushqimore botërore. Gjithashtu, nevojitet të kalohet nga sistemet e prodhimit të ushqimit me një konsum të lartë të burimeve natyrore në agroekologji dhe peshkim të qëndrueshëm. Nevojiten veprime për të mbrojtur dhe rigjeneruar ekuilibrat e tokës dhe ujit, të gjitha praktikat që rrisin produktivitetin dhe krijimin e vendeve të punës për një periudhë afatgjatë, ndërsa kufizohen emetimet e gazeve serrë.

Përgatiti: Irma Paloli