Rajoni i Mesdheut është një nga zonat më të rrezikuara në botë për shkak të efekteve të ndryshimit të klimës. Në një nivel atmosferik, zona e Mesdheut ngrohet 20% më shpejt se mesatarja globale, tashmë ka arritur +1.5°C krahasuar me nivelet para-industriale, dhe ujërat e saj po ngrohen edhe më shumë. E gjithë kjo do të çojë në një mungesë burimesh, me 250 milionë njerëz në mungesë të ujit brenda dy dekadave dhe një rritje të shpejtë të nivelit të detit kryesisht për shkak të zgjerimit termik të ujit.

Pamje nga bregdeti i Kretës në Greqi

Pamje nga bregdeti i Kretës në Greqi

Problemi nuk është vetëm rritja e një metri ose më shumë deri në fund të shekullit, ose uji që mbulon tokat, lartësia 20-25 cm e pritur brenda dhjetë vjetësh do të përcaktojë depërtimin e ujit të kripur në tokat bregdetare, të cilat kështu do të bëhen sterile për bujqësinë. Një fenomen që do të ketë ndikimin më të madh në zona të tilla si Delta e Nilit, ku kripëzimi mund të prishë bujqësinë ekzistuese të miliona njerëzve.

Historia e Mesdheut është karakterizuar nga revolucioni bujqësor. Ky trup i mbyllur uji çoi në një situatë të favorshme klimaterike që e bëri gjithçka më të parashikueshme: ardhjen e frutave, disa lloje kafshësh. Kjo parashikueshmëri është kushti i vetëm që lejon të kalohet nga përdoruesit te organizatorët e ekosistemit.

Tani, pjesa jugore e Evropës ka filluar të ketë një klimë më të ngjashme me atë të Afrikës Veriore. Me ndryshimin e klimës, anticikloni Azorean deri tani elementi bashkues i identitetit tonë mesdhetar, i cili favorizonte një klimë të butë për bujqësinë, minohet nga anticiklonet afrikane, të cilat sjellin thatësirë. Ky ndryshim në klimë po ndryshon ekuilibrin evropian, duke filluar me rrugët detare.

Në Evropën Veriore, me shkrirjen e akullit të Arktikut, dy kalime në veri po bëhen operacionale për lundrim, ndërsa Kanali i Suezit po humbet vlerën. Në të njëjtën kohë, presionet ekonomike dhe tregtare po rriten duke unifikuar bregun jugor të Mesdheut dhe bregun verior të Afrikës.

Sipas Organizatës Botërore të Meterologjisë, ka një probabilitet 40% që temperatura mesatare vjetore globale të tejkalojë +1.5°C nga vlerat e referencës brenda 5 viteve të ardhshme. Kjo shifër nuk është problem në vetvete, por mund të ketë pasur një komunikim të gabuar nga ana e shkencëtarëve, të cilët nuk e kuptuan që njerëzit së pari përpunojnë përbërësin emocional të mesazhit.

Të thuash që temperatura është rritur 1 gradë në 200 vjet nuk është lajm më vete. Ajo që harrohet të thuhet është se kjo përkthehet në një tepricë energjie që merr sistemi i Tokës, ekuivalente e shpërthimit të 410 mijë bomba atomike në ditë, energji që nuk kanalizohet në sistem dhe shndërrohet në çrregullim.

Në Mesdhe, kaosi është më i shpejtë dhe më i përkeqësuar. Mediat zakonisht flasin për ndikimin e ndryshimit të klimës në fiziologjinë njerëzore, (valët e nxehtësisë), ndikimin e ngjarjeve ekstreme të motit në infrastrukturë, por jo sa duhet për paparashikueshmërinë e klimës që çon në mungesën e shërbimeve thelbësore të ekosistemit, cikle prej të cilave ne vazhdojmë të varemi rreptësisht.

Rritja e temperaturave ndikon në ujërat e Mesdheut

Rritja e temperaturave ndikon në ujërat e Mesdheut

Kur flasim për klimën flasim për vlerën, për biodiversitetin. Ndryshimi i klimës desinkronizon mekanizmat mbi të cilët biodiversiteti përhapet dhe ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi të. Këtu shtohen ndërhyrjet më të drejtpërdrejta njerëzore, siç është ndotja prej plastikës, e cila përveç helmimit të Detit Mesdhe krijon dhe një problem tregtar për peshkatarët. Nuk duhet harruar as ndotja industriale dhe humbja e biodiversitetit përreth ujërave të Mesdheut në produktet bujqësore dhe mbulesën pyjore.

Çmimi “Nobel” për Paqen në vitin 2004 iu dha Wangari Maathai, një veterinere nga Kenia, që krijoi aleanca të grave në zonat më të varfra rurale të vendit të saj dhe i inkurajoi ato të mbillnin pemë. Ajo u vlerësua për kontributin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm, demokracinë dhe paqen, një lidhje që nuk u mor e mirëqenë në atë kohë. Në vitin 2007, çmimi që iu dha Al Gore dhe Komitetit Ndërqeveritar të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës bëri të qartë lidhjen midis natyrës së shëndetshme dhe botës paqësore. Në vitin 2020 trofeu i shkoi Programit Botëror të Ushqimit, për përpjekjet për të luftuar urinë në zonat e konfliktit.

Siguria ushqimore dhe paqja janë të lidhura me njëra-tjetrën. Në Mesdhe u vu re me Pranverat Arabe, të cilat ishin lëvizje politike, por të paraprira nga katër vjet lëvizje për ushqimin. Ndryshimi i klimës kishte goditur prodhuesit e mëdhenj të drithërave, si Ukraina dhe Australia, duke bërë që prodhimet të ulen dhe çmimet të rriten. Kjo situatë ka ngjallur tregun e bio-karburanteve, i cili ka ndërhyrë në tokat bujqësore dhe ka krijuar presion mbi furnizimin, duke shkaktuar një rritje të mëtejshme të çmimeve dhe krijimin e katër milionë njerëzve të rinj të varfër, një shtysë për protestat e para në Tunizi.

Pastaj është çështja e Sirisë. Trazirat në Siri u paraprinë nga katër vjet thatësirë e përkeqësuar nga një gabim, modernizimi i një bujqësie që ishte kryesisht ekzistenciale, e shndërruar në bujqësi të industrializuar. Investimet janë bërë në pambuk dhe në monokultura fitimprurëse, por jo elastike. Ndaj, me mbërritjen e thatësirës pambuku pati nevojë për shumë ujë, gjë që shkaktoi një zhvendosje të madhe nga fshatrat në qytete, me një përkeqësim të tensioneve shoqërore.

Arinj polar në Arktik

Arinj polar në Arktik

Traktatet ndërkombëtare janë të padobishme nëse nuk i inkurajojnë njerëzit të sillen ndryshe. Sidoqoftë, kjo në përgjithësi nuk ndodh, sepse njerëzit mendojnë se ajo që mund të bëjnë është vetëm një pikë në oqean, ose sepse dikush pyet veten: pse ta bëj vetë?

Në realitet, ne nuk jemi pika në oqean, por jetojmë në një sistem që shumëfishon efektin konstruktiv dhe e amplifikon atë. Çdo sjellje e qëndrueshme nuk duhet të shihet më si një kosto, një sakrificë, por si një mënyrë më e lehtë për të jetuar më mirë. Ne me të vërtetë duhet të ndryshojmë këndvështrimin tonë.

Përgatiti: Irma Paloli