Erisjan Bregu vazhdon studimet për master në degën e marrëdhënive ndërkombëtare në Univeristetin e Tiranës. Krahas studimeve ai është i angazhuar edhe në organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke qenë aktiv për të arritur ato gjëra që ai dëshiron. Në një intervistë për CMG Erisjani na tregon për sfidat e një studenti, por edhe kënaqësinë që ai merr duke u bërë pjesë e organizatave dhe trajnimeve të ndryshme.

CMG: Erisjan përshëndetje dhe kënaqësi që jemi bashkë në këtë intervistë.

Erisjan Bregu: Faleminderit ju që më ftuat në këtë emision sepse është e rëndësishme që studentët të japin eksperiencat e tyre, duke u bërë një shembull për të tjerët.

CMG: Ju keni studiuar në Universitetin e Durrësit në dëgën e marrëdhënieve me publiun, ndërkohë që tani vazhdoni masterin. Cilat janë synimet tuaja pas përfundimit të studimeve?

Erisjan Bregu: Atëhere, siç e thatë edhe ju unë studimet universitare i kam mbaruar në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës për marrëdhënie me publikun dhe realisht mund të them që është një nga degët që ka shumë kërkesa jashtë vendit për këtë profil. Marrëdhënie me publikun nuk ka të bëjë vetëm me një shkencë ekzakte, por ka të bëjë me gazetarinë dhe shkencat e komunikimit, histori dhe politikë dhe të ofron mundësitë më të mira që ti të gjesh vende pune në profile të ndryshme, duke vazhduar më pas një mastër.

Përsa i përket synimeve të mia, unë dëshiroj të vazhdoj që të jem pjesë e organizatave dhe trajnimeve të shumta sepse kështu do të jem më i aftë të bëhem dikushi.

CMG: Përveç studimeve ju angazhoheni edhe me organizata të ndryshme këtu dhe jashtë vendit. Si i menaxhoni të dyja, studimet dhe aktivizimin në organizata?

Erisjan Bregu: Të jesh pjesë e organizatave do të thotë të jesh aktiv, të marrësh përgjegjësi që duhet tÇi realizosh dhe zbatosh në kohë. Normalisht kur një organizatë ndërkombëtare të kërkon diçka ti duhet të jesh i përpiktë me kohën dhe organizatat e kuptojnë dhe gjendjen e studentit, i cili duhet të balancojë kohën gjatë studimeve por dhe punën në aktivitete. Unë vetë e kam ndarë kohën, ku nga e hëna në të premtë merrem me studimin e lëndëve të ndryshme ekzakte, përsa i përket degës në marrëdhënie ndërkombëtare, master që jam aktualisht ndërsa të shtunën dhe të dielën merrem me aktivitete të ndryshme.

CMG: Pak më parë përmendët se ndiqni dhe trajnime të ndryshme. Janë trajnime këtu në Shqipëri apo edhe ato ndërkombëtare?

Erisjan Bregu: Përsa i përket trajnimeve mund të them se janë të të dyja llojeve si ato kombëtare dhe ndërkombëtare. Është e rëndësishme të kuptojmë se dhe trajnimet këtu kanë një rëndësi dhe nuk duhet të jemi me idenë që një trajnim ndërkombëtar është më efiçent kur merr një çertifikatë dhe në sajë të trajnimit ajo duhet të vlerësohet më shumë. Trajnimet kombëtare janë shumë të rëndësishme dhe duhet të bëhemi pjesë e tyre, sepse kur ne mësojmë diçka nga këto trajnime, mësojmë më mirë gjendjen e Shqipërisë, do të kuptojmë risitë, problematikat e qytetarëve tanë.

Ndërsa në aspektin e trajnimeve ndërkombëtare më tepër kam qenë në fushën politike, të marrëdhënieve me BE-në, por dhe në fushën e bashkëpunimit dhe paqes, e cila ka qenë një nga trajnimet më të pëlqyera nga unë e organizuar nga një organizatë ruse.

CMG: Disa njerëz ëndërrojnë suksesin, ndërsa të tjerë ngrihen çdo mëngjes që t’i japin kuptim ditës për ta prekur suksesin. Besoj se ju i përkisni radhës së dytë të njerëzve?

Erisjan Bregu: Faktikisht unë i përkas pjesës së dytë, pasi që në momentin kur zgjohem, ideja është që të shoh emailet dhe mesazhet. Gjatë orëve në vazhdim duhet të jem i përfshirë direkt në aktivitete dhe të nxjerr në pah vlerësimet për punën time. Është e rëndësishme që ne nuk duhet të ëndërrojmë dhe të presim që gjithçka do të realizohet pa i vënë ne vetë në zbatim punët, por duhet të punojmë fort për të realizuar diçka që ne duam, të jemi aktiv dhe në këtë mënyrë ne do arrijmë të bëhemi ajo çka ne dëshirojmë të jemi realisht.

CMG: Nëse do të aplikosh për një vend punë, preferon të dorëzosh CV-në tënde siç e kërkojën praktikat e punësimit, apo i besoni më shumë aftësive tuaja të komunikimit?

Erisjan Bregu: Gjatë kërkimit të një pune të re normalisht jam tip që preferoj më tepër të jem vetë atje dhe të shfaq aftësitë e mia, sepse mendoj që sado CV të mirë të kemi përsëri nuk do të jemi të aftë të tregojmë vlerësimin që duhen të kenë punëmarrësit sepse duhet të jesh i aftë në komunikim dhe të tregosh se kush je te punëmarrësi.

CMG: Edhe një i ri si ju ka vështirësitë e veta në jetë. Keni hasur në vështirësi në rrugëtimin tuaj të dijes gjatë këtyre viteve?

Erisjan Bregu: Vështirësistë më të mëdha mund të them kanë qenë pjesa e menaxhimit të kohës, por që të jesh pjesë e trajnimeve dhe aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare nuk është problem dhe nuk shfaqin vështirësi pasi thjesht ata janë të hapura për këdo. Në Shqipëri realisht aktivizmi i studentëve dhe qytetarëve është shumë herë më i vogël sesa pritet realisht.

CMG: Si e mendoni të ardhmen tuaj dhe a i trembeni asaj?

Erisjan Bregu: Unë nuk i trembem të ardhmes sime sepse besoj në aftësitë e mia dhe në mundësitë që shteti mund të ofrojë. Duke parë që unë aktivizohem në shumë organizata dhe në fakultetin ku unë studioj jam pjesë e forumeve, diskutimeve dhe debateve të cilat krijohen bashkë me studentët e tjerë. Mendoj që shteti apo sipërmarrjet private i ofrojnë mundësitë që dikush i aftë të gjejë veten e tij dhe të realizoi ëndrrën e tij fare thjeshtë.

CMG: Synimi juaj është që gjithë njohuritë t’i vini në zbatim në Shqipëri, apo mendoni se mund të largoheni në një të ardhme nga vendi?

Erisjan Bregu: Gjithmonë kam menduar që thellimin e dijeve të mia përsa i përket çështjeve politike dhe analitike t’i vazhdoj jashtë shtetit, por më pas dua të kthehem në Shqipëri sepse këtu mendoj që duke dhënë njohuritë që unë zotëroj, mund të bëj diçka të mirë për vendin tim.

CMG: Cili do të ishte mesazhi juaj për të rinjtë?

Erisjan Bregu: Unë dua t’ju them të gjithë moshatarëve të mi që të luftojnë për ëndrrat e tyre dhe të bëjnë çdo gjë. Dua t’ju them atyre që janë në gjimnaz që mos të kërkojnë një degë që paguhet më tepër, por të ndjekin një degë që ata realisht e dëshirojnë.

Intervistoi: Gazmend Agaj