Open Balkan, Ballkan i Hapur do të quhet në vazhdimësi nisma e Shengenit Ballkanik, në të cilën bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri Edi Rama e quajti nismën një projektim drejt të ardhmes. Nga Shkupi kryeministri shqiptar Edi Rama, homologu i tij maqedon Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandar Vucic u dakordësuan për lehtësimin e import-eksporteve, duke eleminuar barrierat doganore mes vendeve, për lëvizjen e lirë të njerëzve, lejimin e punësimit të lirë në rajon si dhe lehtësimin e procedurave të përkohshme të qëndrimit. Tre liderët nënshkruan në Shkup në kuadër të forumit ekonomik dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që kanë për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm mes vendeve të rajonit. Marrëveshja parashikon krijimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, me qëllimin shmangien e vonesave. Marrëveshja përmban edhe dispozita sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë ushqimore, veterinare dhe fitosanitare si dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.

Në konferencën për shtyp të tre liderëve pas Forumit ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal, kryeministri shqiptar Rama theksoi rëndësinë e nismës Open Balkan.

“Ne nuk duam të jetojmë në të shkruarën. Ne duam të projektohemi në të ardhmen përmes një nisme, e cila nuk shpik asgjë të re në fakt, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë që është shembulli i Bashkimit Europian, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE-së: lirinë e lëvizjes së njerëzve, lëvizjes së mallrave, të lëvizjes së kapitaleve dhe lëvizjes së shërbimeve. Kjo është as më shumë e as më pak por krijimi i një hapësire që jeton me parimet, vlerat dhe mekanizmat e Bashkimit Europian, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekjen e tij për t’u integruar në BE.” tha kryeministri Rama.

Ndërsa presidenti Serbisë Aleksandar Vuçiç foli me terma konkret se kur këto marrëveshje të arritura deri më tani do të jenë të zbatueshme.

“Ne do të japim maksimumin, të ndërtojmë besimin e ndërsjellë, që të sjellim rezultate dhe po i bëmë këto më 1 janar 2023 s’do kemi kufij do niseni nga Beogradi në Tiranë dhe s’do keni ndalesë.”, tha Vuçiç.

Kryeministri maqedon Zoran Zaev, tashmë që sheh Europën t’i mbyllë derën për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme të saj, e vë theksin tek krijimi i një Ballkani të fortë.

Takimi i radhës i Liderëvë të Ballkanit të Hapur do të jetë në Beograd në tetor, por sfida më e madhe e kësaj iniciative është gjithëpërfshirja e vendeve të tjera të rajonit.

Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe europiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare.

Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimtarisë, agro-ushqimit, energjisë, makinerisë, industrisë së automobilave, tekstileve, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.

Eda Merepeza