Irsa Ruçi foto fb
Irsa Ruçi është një ish studente ekselente, që pas studimeve për gazetari ka filluar punën si pedagoge e jashtme në këtë degë në Universitetin e Tiranës. Nuk ka munguar kontributi i saj për disa vita në Këshillin e Ministrave, si pjesë e stafit të fjalimshkruesve të këtij institucioni. Ka mbajtur postin e drejtores së përgjithshme të Shërbimit Kombëtar për Rininë pranë Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve. Aktualisht është themeluese e kompanisë Heik sh.p.k (PR& Media Company). Irsa është autore e 4 librave me poezi të botuara në mbi 100 antologji dhe revista ndërkombëtare, si dhe është nominuar për Pushcart Prize në vitin 2016 në SHBA. Një nga pasionet e saj është arsimi dhe gjuha shqipe, të cilave u ka kushtuar nisma për zhvillimin e mëtejshëm.
Intervistë me eksperten e arsimit Irsa Ruçi
CMG: Jeni eksperte e arsimit, pavarësisht se keni patur dhe detyra të tjera si Drejtore e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë. Flasim për arsimin dhe sfidat me të cilat përballet sot?
Irsa Ruçi: Unë evidentova tek të rinjtë sa herë hyja në auditore se vit pas viti interesi i tyre vinte duke u zbehur dhe pasioni për fakultetin, po ashtu dhe ideali i tyre rinor që duhet të shpërthente, sikur shuhej rrugës. Mendova se ka një ngërç. Duke vënë dorën në plagë nuk bën gjë, por çeshtja është si ta shërojmë diçka që dhemb. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë ishte duke dëgjuar ata që janë në terren. Janë mësuesit që ndodhen ditë për ditë në sallat e mësimeve dhe pranë të rinjve, janë ata që i kuptojnë më mirë sfidat e përditshme. Ndërmora një nismë për të dëgjuar zërin e tyre dhe një nga sfidat kryesore është që duhet të ndryshojmë arsimin. Ndaj prej një viti e gjysmë bëj thirrje se duhet të shkojmë drejt hapjes graduale të universiteteve. Sot ka disa kritere që janë thjesht bllokuese, por nuk vendosin filtrat që ne vendosim tek të rinjtë. Ne sot u tregojmë të rinjve se ka kaq kuota ka gjithsej, jo se aq është tregu i punës nesër, që çdo të thotë se aq është kapaciteti që mban një universitet. Mendoj se duhet të veprojmë si çdo vend tjetër europian, që të jenë të hapura universitetet për të rinjtë, të shkojmë drejt hapjes graduale të tyre dhe pastaj të jenë filtrat ato që përcaktojnë se sa specialist i mirë do të jesh nesër.
Irsa Ruçi në një veprimtari rinore
Irsa Ruçi në një program televiziv (YouTube)
CMG: Si do të veprohet me arsimin profesional, sepse në Shqipëri vitet e fundit ka patur një prirje që të gjithë të rinjtë dëshironin të studionin për juridik apo ekonomik.
Irsa Ruçi: Pikërisht, sepse nuk ka një studim të tregut. Ajo që unë propozoj është edukimi për karrierën, i cili është bërë në gjimnaz si një lëndë teorike, e përkthyer. Nuk mund të funksionojë kështu, por duhet një studim për karrierën në kushtet reale të tregut, që do të thotë se nëse bëjmë një planifikim 5 vjeçar sa është një cikël i plotë studimesh dhe tregojmë se sa kapacitete ka tregu sot për juristë, sa hapësirë gjejnë këta juristë dhe cilat janë kushtet e tregut dhe nevojat që ai ka, atëherë jam e sigurt që të rinjtë do të orientohen. Pra nëse ua japim këtë në fund të 9 vjeçares, ata do të jenë shumë mirë të fokusuar se ku duan të shkojnë. Do të shikojnë se sa vende pune siguron juridiku i siguron dhe hoteleri-turizmi kështu që nëse ju jepet hapësirë dhe e kanë komoditetin e duhur që të shkojnë në universitetin që duan, do të thotë që nuk është më çështje mode. Ne kemi disa universitete që janë në modë dhe dynden të gjithë drej tyre sepse ata besojnë që te mjekësia, ekonomiku apo juridiku do të bëjnë lekë, por nuk është ky realiteti sepse ka plot juristë që enden rrugëve.
Irsa Ruçi në intervistë për CMG
Irsa Ruçi në takim me mësuesit
CMG: Keni zhvilluar një tur për arsimin brenda vendit dhe në trojet jashtë tij ku banojnë shqiptarë. Cilat janë objektivat dhe ecuria e deritanishme e këtij turi?
Irsa Ruçi: Jam ndalur në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut ku kam biseduar me të rinj për arsimin dhe sfidat e përbashkëta që këto dy vende kanë. Më tej në Maqedoninë e Veriut jam ndalur për gjuhën shqipe. Jashtë kufijve të Shqipërisë ka qenë një format diskutimi për të rinjtë dhe arsimimin e tyre në shqip, për gjuhën shqipe mbi të gjitha. Jam e lumtur që ka patur një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Unë vërej se ata e duan më shumë gjuhën, ndoshta sepse ne e marrin për të sigurt se e kemi. Ndërsa ata e kanë ruajtur gjuhën brenda katër mureve dhe nëse u flet për shqipen u ndrin fytyra dhe janë shumë mbështetës që të kemi një institucion të përbashkët gjuhësie. Shqipëria të jetë shtylla kurrizore e shqipes që shpërndan degëzimet e veta për shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë së Veriut dhe të diasporës në mënyrë që të kemi një shqipe të unifikuar dhe të mbrojtur. Aktualisht këtë nuk e kemi dhe na mungon shqipja politikisht aktive.
CMG: Si mund të realizohet kjo, sipas jush?
Irsa Ruçi: Duhet që t’i japim rol politik. Shqipja sot duhet të ketë një status politik dhe të mbrohet nga shteti. Aktualisht e kemi shqipen në një rol akademik siç është Akademia e Shkencave dhe institutet, por që të dalë në dritë duhet të ketë një rol politik. Sot kemi Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ndërkohë që sporti e ka agjencinë e vet shtetërore dhe rinia po ashtu. Nëse duam t’i veshim një rol teknik dhe ta mbrojmë gjuhën shqipe duhet të jetë Ministria e Arsimit dhe e Gjuhësisë, ose nëse duam ta shohim si pjesë kulturore të identitetit tonë duhet të jetë Ministria e Kulturës dhe e Gjuhësisë.
CMG: Të falënderoj Irsa për këtë koment rreth çështjes së identitetit kombëtar siç është arsimi dhe gjuha shqipe si dhe të përgëzoj për arritjet e tua intelektuale, por dhe si aktiviste kombëtare për këto çështje që kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për ne shqiptarët.
Irsa Ruçi: Unë e kam marrë si sfidë arsimin dhe po shkoj qytet më qytet por dhe në zonat rurale e në çdo hapësirë ku ka mësues dhe po i takoj. Në mënyrë metaforike them shkollë më shkollë dhe po prek çdo nyje të Shqipërisë. Këtë e kam marrë jo vetëm si sfidë në mënyrë që të kapërcejmë veten dhe të shkojmë drejt një niveli të ri të arsimit. Uroj që të jemi sa më shumë vetë dhe zëra që e duan arsimin dhe e mbrojnë atë.
Intervistoi Eda Merepeza