Voltiza Prendi
Voltiza Prendi është aktiviste e të drejta e të njeriut, themeluese dhe drejtuese e organizatës “Amad”. Gjithashtu, ajo është eksperte trajnuese e fushës së komunikimit dhe politikës, si edhe lektore në Fakultetin e Biznesit në universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës. Ndër fokuset e veprimtarisë së saj janë fuqizimi i të rinjve, grave dhe promovimi i të drejtave në betejën ndaj vulnerabilitetit.
CMG: Voltiza do ta nisim këtë bisedë duke folur për profilin tuaj. Si ju njohin të tjerët?
Voltiza Prendi: S'di nga t'ia nis... Si më njohin mua të tjerët, si një grua, si një nënë apo edhe në profesion. Të tria janë kombinim në të përditshmen time.
Megjithatë, jam thjesht një femër që përpiqem me të gjitha mundësitë për të punuar dhe për të dhënë maksimumin.
CMG: Si një femër në Shqipëri, cilat janë sfidat për të dhënë më të mirën e mundshme?
Voltiza Prendi: Asgjë nuk është e lehtë. Na privojnë dhe na e bëjnë të vështirë herë pas here.
Ajo që duhet të bëjmë është që, në rrethanat në të cilat jemi, të mundohemi të bindemi mbi realitetin.
Nuk është aspak e lehtë që të shmangim paragjykimin se një femër mund t'ia dalë mbanë edhe vetë, por nuk është as e pamundur.
Shqipëria është një mikromjedis patriarkal, por nëse je optimiste ia del!
Kështu ka qenë dhe për mua, asgjë s’ka qenë e lehtë po as dhe e pamundur.
CMG: Studimet tuaja a kanë diktuar në zgjedhjet në profesion?
Voltiza Prendi: Kam studiuar gjuhë-letërsi dhe më vonë kam bërë specializim master në shkencat sociale dhe para një viti mbylla një master jashtë Shqipërisë mbi politikat evropiane. Kjo më ka dhënë një shtysë që më pas të formoj edhe organizatën time, që mund ta cilësoj si “beben time të vogël”.
Njerëzit mund të mendojnë se i dinë të gjitha, kur në fakt nuk dinë asgjë. Ajo që duhet të bëjmë është që mos të rreshtim së mësuari, sepse dija s’ka fund.
CMG: Cilët janë autorët që të kanë përfshirë në botën e tyre?
Voltiza Prendi: Letërsia botërore është e pafundme. Në stade të caktuara të jetës lexojmë autorë të ndryshëm. Unë jam e pasionuar ndaj letërsisë antike, për të cilën mendoj që po rikthehet sërish në vëmendje, duke i risjellë personazhet. Gjithashtu nuk mendoj që letërsi janë vetëm romanet, letërsi bëjnë edhe filozofet dhe mua më pëlqen shumë të lexoj filozofi. Studimi psikologjik për ta të bën të kuptosh një botë tjetër.
Kjo do të thotë të studiosh mbi të gjitha. Nuk duhet të harrojmë që pavarësisht se çfarë lexojmë e rëndësishme është të lexojmë diçka.
Nuk dua të paragjykoj askënd edhe ata që lexojnë letërsi rozë apo edhe ata që përdorin “audiobook” për të lexuar. Dhe siç e thashë, leximi mbetet i rëndësishëm pavarësisht se çfarë lexojmë. Nuk ka ditë që mos të lexoj.
CMG: Si duhen ngjitur shkallët e karrierës për mos t’u rrëzuar?
Voltiza Prendi: Unë jam 37 vjeçe dhe kam matur çdo hap në jetën time.
Nuk jam pro rrëmbimit dhe dëshirave për të arritur kulmin e karrierës. Kështu që çdo hap që hedhim duhet të sigurohemi që kemi dhënë maksimumin dhe më pas të vrapojmë drejt diçkaje tjetër.
Dikur mendoja se të studioja gjuhë-letërsi ishte gjithçka për mua. Por, jo. Shumë shpejt kuptova se kisha dëshirë për punën me dhe për studentët. Ndaj ndoqa hapa të tjerë të ngadaltë, por të sigurt.
CMG: Ju jeni marrë gjatë me problemet e gruas shqiptare. Kush është gruaja shqiptare?
Voltiza Prendi: Në gjykimin tim, gruan shqiptare e gjejmë në të gjitha ngjyrat. Nuk ka vetëm bardhezi.
Kemi gruan që punon.
Kemi gruan që punon për familjen.
Kemi gruan që detyrohet të bëjë punë krahu në zona rurale.
Kemi gruan në karrierë, por përpos vështirësive jep maksimumin.
Kam shumë rezerva. Sado që po punohet për gruan, ende sot nuk kemi arritur kulturën që një grua t’i japë dorën një gruaje tjetër.
Suksesi është relativ, por e rëndësishme është mos të lëmë ëndrra në sirtar, por t’i nxjerrim dhe të ndihmojmë këdo që t’i plotësojë.
CMG: Cilat kanë qenë dyert që mezi i keni hapur në jetë?
Voltiza Prendi: Nuk ka qenë e lehtë dhe ka pasur shumë dyer të përplasura. Dua të them me bindje se asgjë nuk kalohet vetëm, e rëndësishme është që në momente të tilla të kemi familjen pranë që të na mbështesë dhe qetësojë. Mua më kanë qëndruar tepër pranë në çdo moment sfidues.
Si një nënë e divorcuar dhe e vetme me dy fëmijë ia dola mbanë që të rris dy fëmijë të cilët të ndihen mirë në shoqëri. Kam kaluar në stade të ndryshme profesioni, por, atyre nuk u ka munguar prania ime.
CMG: Organizatën tuaj e konsideroni “bebja ime e vogël”. Çfarë i sillni shoqërisë nëpërmjet “Amad”?
Voltiza Prendi: Po. Është themeluar në vitin 2018 për një qëllim, të ndihmojmë kundër diskriminimit, gjë që kam hasur në të gjithë sektorët e jetës, ndaj mendoj që të gjithë ne duhet të bëhemi bashkë për të dhënë një mesazh. Ndoshta, diskriminimi nuk do të zhduket kurrë, por ama do të ulet shkalla e përhapjes.
CMG: Voltiza, cili është mesazhi që do të jepni për gruan shqiptare?
Voltiza Prendi: “E dashur, ti nuk je vetëm! Ti frymëzon në të gjitha aspektet, shpesh me bukuri e shpesh me forcën e shpirtit”. Gruaja ndoshta kryen punë sa për dhjetë burra.
Përgatiti: Megi Latifi