Amazona, mushkëria e gjelbër e botës
Në ditët e sotme Amazona lëshon më shumë dyoksid karboni sesa mund të absorbojë. Alarmi u dha nga një grup shkencëtarësh dhe studiuesish. Sipas tyre, pyjet e mëdha nuk marrin më frymë dhe së shpejti ata do të lëshojnë më shumë dyoksid karboni.
Parashikimi përqendrohet plotësisht në raportet më të fundit mbi Amazonën. Në marrëdhëniet natyrore midis prodhimit të oksigjenit gjatë ditës dhe të dyoksidit të karbonit gjatë natës, mushkëria më e madhe e gjelbër në planet përmbysi trendin. Tani, për herë të parë në historinë e Antropocenit, prodhon më shumë CO2 sesa mund të absorbojë.
Konfirmimi vjen nga nga të dhënat e botuara në revistën “Nature”, të përcjella nga gazeta britanike “The Guardian”, e cila nga ana tjetër përsërit raportet e mëparshme të publikuara nëntorin e kaluar nga “Bloomberg”.
Janë gati tre vjet që zjarret gjigante, kryesisht zjarrvëniet dhe që lidhen me shpyllëzimet, po nxisin emetimet e dyoksidit të karbonit në pyjet e Amazonës. Më shumë se 10% në vitin 2019, mbi 20% në gjysmën e parë të vitit 2020. Dhe tani është arritur në një miliard tonë në vit dyoksid karboni të lëshuar në atmosferë.
Studimi i botuar në revistën “Nature” krahason të dhënat nga 9 vjet sondazhe ajrore dhe satelitore. Në përgjithësi, pemët përthithin vetëm një të tretën e dyoksidit të karbonit të prodhuar nga zjarret. Zonat ku shpyllëzimi është 30% ose më shumë tregojnë emetime karboni 10 herë më të larta se ato ku shpyllëzimi është më pak se 20%.
Amazona, foto satelirore që tregon zjarret dhe shpyllëzimin
Hulumtimi i botuar nga “Nature” bazohet në 600 profile vertikale të dyoksidit të karbonit dhe monoksidit të karbonit të prodhuara nga zjarret, në katër zona të Amazonës braziliane nga viti 2010 në 2018-n, azhurnuar me sondazhet e tre viteve të fundit. Nëse zjarret kanë prodhuar rreth 1.5 miliardë tonë CO2 në vit, rritja e pyjeve ka përthithur më pak se një të tretën, rreth 0.5 miliardë tonë. Miliardë tonët e mbetur në atmosferë janë ekuivalente me emetimet e një viti të tërë nga Japonia, ndotësi i pestë më i madh në botë.
“Kontrolli çdo dy javë dhe mbajtja e matjeve të qëndrueshme laboratorike të azhurnuara për 9 vjet ishte një veprim i jashtëzakonshëm”, -komenton profesor Simon Lewis, nga Universiteti “College” i Londrës. Sipas tij, studimi është vërtet mbresëlënës. Rezultatet janë saktësisht në përputhje me atë që shkencëtarët i frikësoheshin, ndikimet klimaterike të aktiviteteve antropogjene po përshpejtohen.
"Lajmi i parë i keq është se duke djegur pyjet ata prodhojnë rreth tre herë më shumë dyoksid karboni sesa përthithin. Lajmi i dytë i keq është se zonat ku shpyllëzimi është 30% ose më shumë shfaqin emetime karboni 10 herë më të larta se ato ku shpyllëzimi është më pak se 20%”, -vëren Luciana Gatti, e Institutit Kombëtar për Kërkime Hapësinore në Brazil, e cila drejtoi ekipin kërkimor.
Hapat që priten nga çdo vend të ndërmarrë në COP26 në Glasgow këtë vjeshtë, për të arritur objektivin e emetimeve zero deri në vitin 2050, mund mos të jenë më të mjaftueshme.
Të dhënat e mbledhura duke fluturuar mbi lumin Amazon me aeroplanë të vegjël deri në një lartësi prej 4500 metrash dhe me përdorimin masiv të satelitëve janë një paralajmërim i tmerrshëm. Raportet e hulumtimit tregojnë nivele rekord të dyoksidit të karbonit, gjithashtu të konfirmuara nga matjet tokësore në rajonin e gjerë të Amerikës së Jugut.
Zjarr në Amazona(VCG)
Dhe gjëja më e keqe, sipas ekspertëve, është se tani pylli lëshon shumë karbon edhe pa zjarrvënie, sepse zvogëlimi i sipërfaqeve me pemë i bën këto mushkëri të gjelbra më të ndjeshme ndaj rrezikut të zjarreve të pakontrolluara.
Nëse deri dje, shumica e emetimeve të karbonit ishin shkaktuar nga zjarre të mëdha, të vëna qëllimisht, kryesisht në tokë të lirë për t'u përdorur për prodhim, tani temperaturat më të larta dhe thatësira janë të mjaftueshme për ta transformuar Amazonën Juglindore në një burim CO2-shi më shumë sesa të jetë një rezervuar përthithës.
Shkencëtarët thonë se humbja e fuqisë së Amazonës për të përthithur CO2 është një paralajmërim i fortë se zvogëlimi i emetimeve nga lëndët djegëse fosile është më urgjent se kurrë. Sipas tyre, zbulimi se një pjesë e Amazonës po lëshonte karbon edhe pa zjarre ishte veçanërisht shqetësues. Pemët prodhojnë pjesën më të madhe të shiut të rajonit, kështu që më pak pemë do të thotë thatësira më të mëdha, valë të nxehtësisë, më shumë vdekje të pemëve dhe zjarre.
Profesor Scott Denning, në Universitetin shtetëror amerikan të Kolorados, e konsideron si heroike fushatën e kërkimeve ajrore. Sipas tij, në juglindje pylli nuk po rritet më shpejt sesa po vdes. Një studim satelitor i botuar në prill zbuloi se Amazona braziliane lëshoi gati 20% më shumë dyoksid karboni në atmosferë gjatë dekadës së fundit sesa absorboi.
Tokë e djegur pas zjarrit, Amazona(VCG)
Hulumtimi që gjurmoi 300.000 pemë gjatë 30 viteve, botuar në vitin 2020, tregoi se pyjet tropikale po përthithnin më pak CO2 sesa më parë. Sipas Denning, njerëzit mendojnë se shndërrimi i më shumë tokave në bujqësore do të thotë më shumë produktivitet, por në fakt humbet produktiviteti për shkak të ndikimit negativ në shi.
Pylli i madh tropikal gjithnjë kishte kontribuar, deri më tani, për të pastruar ajrin e planetit, të paktën qëkur filluan të dhënat e tij shkencore, në vitin 1960.
“Të humbasësh aftësinë e Amazonës për të lehtësuar ose luftuar dëmin që njeriu i bën atmosferës do të thotë të jesh i detyruar të përshpejtohen politikat për të zvogëluar efektin serë”, -paralajmërojnë shkencëtarët.
Çfarë mund të bëhet për ta përmbysur këtë cikël? Sipas ekspertëve, nëse mund të ndalen zjarret, Amazona do të kthehej në një konvertues natyral të dyoksidit të karbonit në oksigjen. Por, ndërkohë, në vend të kësaj po bëhet e kundërta, po përshpejtohen ndryshimet klimaterike. Për ekspertët është e nevojshme që të arrihet një marrëveshje globale për të shpëtuar Amazonën.
Përgatiti: Irma Paloli