Emigracioni është një dukuri që ndjek realitetin shqiptar prej 30 vjetësh. Shqiptarët, kryesisht ata që janë aktivë për punë vazhdojnë të largohen nga atdheu, kryesisht në vendet e Bashkimit Europian, por dhe në SHBA apo Kanada e Australi. Motivi: për një jetë më të mirë. Këtu përfshihen të rinjtë që pasi mbarojnë studimet Bachelor synojnë të studjojnë për master në vendet europiane, por dhe më tej. Nuk përjashtohen as ata të rinj që pas përfundimit të studimeve të larta synojnë ta provojnë veten jashtë vendit. Të rinjtë që kanë një profesion të kërkuar në vendet e BE-së zgjedhin emigrimin për shkak se pagesat në këto vende janë disa herë më të larta dhe mirëqenia është më e mirë. Emigrimi familjar gjithashtu është një nga elementet e kësaj dukurie, që realizohet përmes Llotarisë amerikane, bashkimit familjar me të afërmit që prej vitesh jetojnë në emigracion në disa nga vendet e BE-së që e lejojnë këtë. Por ka dhe shumë shqiptarë që pa i patur mundësitë e mësipërme tentojnë të pranohen si azilantë në vendet e BE-së.
Sipas “Monitor” në një studim të vitit 2018 lidhur me azilantët shqiptarë, për 1 mijë banorë aplikuan për azil 6.6 persona. Kështu Shqipëria u rendit vendi i parë në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë.
Që nga viti 2011 rreth 190 mijë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ndërsa shumë të tjerë kanë lënë atdheun dhe nuk janë regjistruar si azilantë.
Eurostat të dhënat e refuzimit të qëndrimit në BE (Monitor)
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, emigracioni neto vitet e fundit (diferenca mes atyre që ikin dhe atyre që kthehen) është mesatarisht 15-20 mijë persona në vit që largohen nga vendi.
EUROSTAT për azilantët shqiptarë
Në vitin 2020, rreth 137.8 mijë shtetasve jo-anëtarë të BE iu refuzua hyrja në territorin e Bashkimit Europian, shkruan “Monitor”.
Gati 10% e këtyre refuzime për hyrje ishin për shtetasit shqiptarë, të dytët në botë, që u “përzunë”, pas ukrainasve.
Eurostat raporton se numri më i lartë i shtetasve jo-BE që iu refuzua hyrja në BE në vitin 2020 u vu re midis ukrainasve (56 400), pasuar nga shtetasit e Shqipërisë (13 300) dhe Moldavisë (10 200).
Sipas Eurostat, rreth 557.7 mijë rezultoi se ishin ilegalisht të pranishëm në një nga Shtetet Anëtare të BE. Numri i shtetasve të jo-BE për të cilat u lëshua me një urdhër për të lënë një Shtet Anëtar të BE ishte 396.4 mijë persona.
9800 shqiptarë kryesuan listën e qytetarëve jo-BE që u kthyen në një vend jo-BE në vitin 2020, të ndjekur nga Gjeorgjianët dhe Ukrainasit.
Eurostat për uljen e moshës për punë të popullsisë (Monitor)
Emigracioni dhe dy anët e medaljes
Largimi nga vendi i të rinjve ka ndikuar ndjeshëm këto 30 vjet në plakjen e popullsisë në Shqipëri, duke e bërë atë vendin me normën më të lartë të rënies së popullsisë në moshë pune.
Sipas një studimi të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjatë 2014-2020, popullsia në moshë pune shënoi rënie me 2% në Shqipëri. Kjo dukuri nuk është vetëm shqiptare, pasi studimi nënvizon se rënia e popullsisë në moshe pune në Ballkanin Perëndimor ishte dy herë më e lartë se në BE, ku grupmosha (+15) u reduktua me 1,5% gjatë 2014-2020. Në ato ekonomi ku popullsia në moshë pune është në rënie, sistemet e mbrojtjes sociale janë nën presion për shkak të rritjes së raportit të varësisë për moshën e tretë.
Gjithashtu popullsia në moshë pune në Ballkanin Perëndimor vuan nga shkalla e lartë e inaktivitetit. Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës ishte mesatarisht 59% në rajon në vitin 2020, shumë poshtë mesatares së BE -së prej 27%.
Nga ana tjetër emigracioni ka ndikuar në rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe hapjen e vendit ndaj botës. Eksperti i emigracionit Kosta Bajraba në një dalje televizive nuk e sheh negative dukurinë e emigracionit.
“Emigracioni ka dy anë. Emigrimi ka avantazhet e tij në favor të një shoqërie sepse siguron burime shtesë për ekonominë e një vendi. Gjithashtu relakson ekonominë e një vendi nga shumë probleme që nuk mund t’i zgjidhë dot vetë. Megjithatë ka ndikime negative që lidhen me forcën e punës, strukturën dhe dinamikën e popullsisë”
Sipas ekspertit Bajraba “Shqipëria gjatë 30 viteve të fundit ka patur fluksin më të lartë të emigracionit për frymë. Shqipëria ka patur jashtë vendit rreth 30-35% të popullsisë, që shkon në 25% të forcës së punës”
Ndërsa më tej Bajraba nënvizon efektet pozitive të emigracionit në shoqërinë shqiptare.
“Ka patur ritme të larta të emigrimit të fëmijëve, të emigrimit familjar. Nuk mendoj se jemi në gjendjen të themi obobo ç’na gjeti nga emigrimi!. Sepse emigrimi ja ka kthyer Shqipërisë impaktin e vet pozitiv sepse vendi ka marrë këto vitet e fundit nga remitancat e emigrantëve rreth 1 miliard euro në vit të cilat janë përdorur për qëllime të ndryshme. Ato kanë ndihmuar mbijetesën e popullsisë, kanë luftuar varfërinë apo nisjen e bizneseve të vogla”
Sociologu Gëzim Tushi në një intervistë për DW lidhur me dukurinë e emigracionit është shprehur se "Emigracioni i viteve të fundit po jep pasoja të fuqishme demografike dhe social-ekonomike, siç është boshatisja e vendit, plakja e popullsisë, ulja e numrit të lindjeve, në të cilat emigracioni ka "peshën e luanit”, sepse ata që largohen nga vendi janë përgjithësisht moshë e re, me aftësi të mëdha prodhuese. Një pjesë e mirë e tyre janë elitarë nga pikëpamja profesionale dhe kjo është shqetësuese. Po ikën elita e vendit, "truri”, largimi i profesionistëve siç janë inxhinierët, mjekët, punonjës të IT-së, infermierë, mësues, të cilët kur largohen nga vendi, krijojnë vakuume që nuk mund të plotësohen kollaj. Për ta është investuar dhe largimi i tyre krijon boshllëqe të mëdha” është shprehur Gëzim Tushi.
Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës ka publikuar raportin e fundit për emigrimin nga Ballkani Perëndimor ku përllogariti se nga 2010 deri në vitin 2019 janë larguar 1.5 milionë qytetarë, ku në krye të listës qëndron Shqipëria me gjysmë milioni.
Eda Merepeza