Eksploruesi amerikan Victor Vescovo, ish-zyrtar i Marinës, i specializuar për thellësitë detare, falë trashëgimisë së tij personale dhe kontributit të miliarderëve në kërkim të emocioneve, në vitin 2018 startoi projektin ambicioz “Five Deeps”, me synimin për të vizituar pesë thellësi oqeanike deri në vitin 2019. Një mision i kryer. Por, Vescovo nuk u ndal dhe filloi menjëherë projektin e ri, eksplorimin e “Challenger Deep”, që është pika më e ulët e “Mariana Trench”. Kështu që ai më në fund u zhyt aq shumë saqë vendosi rekordin e ri të thellësisë, i cili që nga viti 2012 i përkiste regjisorit dhe eksploruesit kanadez James Cameron.

Mariana Trench

Mariana Trench

Por, për cilat thellësi flitet saktësisht? Sa është thellësia e oqeaneve tona? Sa mund të thuhet se i jemi afruar qendrës së Tokës?

Fundi i oqeanit nuk është aq i ndryshëm nga pjesa tjetër e planetit. Nëse do të mund të hiqnim të gjithë ujin që mbulon Tokën, do të zbulonim një peizazh të njohur, të përbërë nga fusha, male dhe lugina shumë të thella, rezultat i lëvizjes së vazhdueshme të pllakave që formojnë koren e tokës. Malet më të larta të kësaj toke të re, ende pothuajse krejtësisht të pashkelur, janë aq të larta sa mund t'i shohim edhe nga pjesa kontinentale. Libri i rekordeve “Guinness” raporton se mali më i lartë në botë është Pico, në Azore, 2351 metra mbi nivelin e detit, por nën ujë fsheh 6098 më shumë.

Edhe më mbresëlënës është numri i luginave, grykave dhe humnerave që shtrihen në fund të oqeanit. Në këtë pikë, që nga vitet 1960, përqendrohej vëmendja e eksplorimeve më të mëdha nënujore, shpesh të kryera me mjete indirekte të matjes, për të krijuar hartën e formave të shtratit të detit.

Batiskafi i parë në histori, FNRS-2, u projektua dhe u ndërtua në Belgjikë në vitin 1948 nga shpikësi dhe eksploruesi Auguste Piccard, por ishte modeli tjetër, FNRS-3, në vitin 1954, automjeti i parë i drejtuar nga qeniet njerëzore që u zhyt në honet e oqeanit, duke shkuar deri në thellësinë e jashtëzakonshme 4050 metra.

Sikur të ishte në garë me veten, në vitin 1960 Piccard realizoi veprën e tij më të famshme në brendësi të krijimit të tij të ri, batiskafi “Trieste”, të cilin ia kishte shitur Shteteve të Bashkuara, duke e bërë atë të prekte pjesën e poshtme të “Mariana Trench”. Që atëherë kjo luginë nënujore në brigjet e Filipineve është bërë Everesti i oqeaneve, pothuajse një simbol i faktit se, ndërsa ne tani kemi eksploruar pjesën më të madhe të tokës, oqeanet janë ende një mister për ne dhe një kufi që pret. Ekziston një arsye pse shumica e misioneve nënujore pas atij të “Triestes” u përqendrua në këtë vend, dhe jo në ndonjë hendek tjetër oqeanik, pasi Mariana është më i thelli ndonjëherë.

“Mariana Trench” nuk është një vrimë në oqean që shkon deri në thellësi gati 11 km, por një luginë gjigante nënujore, e gjatë 2550 km, 69 e gjerë dhe me një formë pak a shumë si një banane. Në pjesën jugore të tij ka një zonë më të thellë se pjesa tjetër e luginës, e emërtuar humnera “Challenger”, ku ndodhen, në tre “pishina nënujore” pikat më të thella të Marianës, dhe në këtë mënyrë edhe të planetit Tokë. Emri “Challenger” vjen nga anija britanike që mati për herë të parë thellësinë e saj gjatë një ekspedite në vitin 1875, duke sjellë shifrën prej 8184 metrash. Që atëherë, çdo matje pasuese ka shkuar më thellë.

Në shtatëdhjetë vitet e fundit, rekordi i thellësisë së eksplorimit të oqeanit është përmirësuar me disa metra herë pas here. Dhe supozohet që të jetë e vështirë të bëhet më mirë, kur është gjetur pika më e thellë në planet. Për më tepër, eksplorimet e thellësisë me njerëz janë të rrezikshme, shumë më pak sesa ishin dikur, por ende kërkojnë vite përgatitje dhe trajnim dhe një dozë të mirë çmendurie. Mbi të gjitha, ato janë shumë të shtrenjta.

E ardhmja mund t’i përkasë eksplorimit të telekomanduar. Prej disa vitesh tashmë janë dërguar në fund të detit të ashtuquajturat UUV, automjete nënujore pa pilot, dronë dhe robotë të pajisur me kamera dhe të kontrolluar nga distanca, nga një anije mbështetëse sipërfaqësore.

Në fillim të marsit 2021, një grup kërkimor kinez publikoi në revistën “Nature” se kishte zbritur një robot pikërisht në Hendekun Mariana, deri në 10.900 metra thellësi. Veçori e kësaj nisme është se, ndryshe nga UUV-të e zakonshme, ai ishte një robot "i butë", pa koracën e blinduar të metaleve të rënda që konsiderohej e domosdoshme për të mbrojtur këto makineri nga presionet e mëdha. Nga ekspertët, kjo është cilësuar një zgjidhje që mund të përfaqësojë vërtet të ardhmen e eksplorimit të oqeanit.

11 km është thellësia maksimale, metër më shumë, metër më pak, që natyra nga ka dhuruar, por kjo nuk i ka ndaluar njerëzit të provojnë të shkojnë edhe më tej. Dhe në fakt pika më e thellë në planet nuk është me origjinë natyrore, por njerëzore. Gërmimet e pusit super të thellë të Kola-s, të kryera në Rusi në vitet 1980, arritën 12.262 metra në vitin 1989, dhe ende sot ajo është thellësia maksimale e arritur ndonjëherë. Ato gërmime, tani të braktisura, ishin një përpjekje për të hyrë sa më thellë në koren e tokës, për të parë se si ndryshon planeti ynë ndërsa shkohet më në thellësi. Sidoqoftë, më shumë se 12 km të atij gërmimi nuk lejojnë të zbritet personalisht për të kontrolluar. Për të arritur kaq në thellësi, pa shembur gjithçka, rusëve iu desh të hapnin një vrimë vetëm 23 cm të gjerë.

Për të gjetur një gërmim artificial mjaft të thellë dhe mjaft të madh për të akomoduar një qenie njerëzore, duhet shkuar në Afrikën e Jugut, në jugperëndim të Johanesburgut, në minierën e arit Mponeng, pika më e thellë e së cilës është 3.84 km nën tokë.

Liqeni Vostok

Liqeni Vostok

Një rekord në dukje vetëm më pak mbresëlënës, në teori, liqeni më i thellë në Tokë është Bajkali, në Rusi, që shkon deri në 1642 metra. Por, liqeni Vostok, më i madhi nënakullnajor në Antarktidë, ka diçka më shumë. Ndodhet rreth 4000 metra thellë nën shtresën e akullit të Antarktikut, e cila është e trashë rreth 3500 metra, me sipërfaqen e ujit 500 metra nën nivelin e detit dhe një thellësi të vlerësuar prej rreth 1000 metra.

Përgatiti: Irma Paloli