Erles Qypi ka studiuar në Universitetin e Tiranës ku është diplomuar për drejtësi. Gjithashtu ai është liçensuar si avokat dhe e ushtron këtë profesion prej 4 vitesh në Shqipëri. Në një intervistë për CMG ai na tregon për arritjet dhe sfidat që ka kaluar në jetë, si dhe punën e tij të përditshme në shërbim të njerëzve, që për të është kënaqësi por njëkohësisht edhe përgjegjësi.
Erles Qypi ne interviste per CMG
CMG: Faleminderit që je me ne në këtë intervistë.
Erles Qyqi: Faleminderit për këtë intervistë që na jepni mundësinë që të shprehemi për eksperiencat tona në këtë emision kaq të bukur, i cili presupozon dhe përfaqëson mirë fjalën e jetës. Vetë jeta është një autostradë në vetvete.
CMG: Keni disa vite që ushtroni profesionin e avokatit këtu në Shqipëri. Si kanë qenë fillimet tuaja në këtë profesion?
Erles Qypi: Unë pasi mbarova studimet kam bërë një praktikë një vjeçare pranë një avokati tjetër, në të cilën mora eksperiencën si avokat në vitin 2013. Pas kësaj dhashë provimin e avokatisë, i cili është i detyrueshëm për të gjithë personat e diplomuar në drejtësi dhe që kërkojnë të bëhen avokat. Në vitin 2017 kam marrë liçensën për të ushtruar të drejtën e profesionit si avokat dhe që nga viti 2017 deri tani e ushtroj profesionin e avokatit.
CMG: Ju i keni nisur studimet për drejtësi në Itali dhe i përfunduat më vonë në Shqipëri. Pse zgjodhët pikërisht Italinë për të studiuar për drejtësi?
Erles Qypi: Duke parë influencën kulturore që Italia ka në Shqipëri, duke parë dhe të drejtën romake, e cila është shumë e gjerë dhe presupozohet që të jetë një dije dhe kulturë e përgjithshme lidhur me filozofinë e së drejtës, me historinë e saj, me evolimin shoqëror të asaj shoqërie ku pak a shumë jemi pjesë edhe ne sepse jemi pjesë e Bashkimit Europian, mendova që të studioja në Itali dhe e pashë si perspektivë të duhur që do të më informonte kulturalisht dhe nga ana juridike. Drejtësia ka qenë një ëndërr e imja që në vogëli dhe kam bërë gati katër vjet e gjysmë studime në qytetin e Ferraras afër Bolonjës, ku studiova drejtësi.
CMG: Po pse u ktheve për t’i përfunduar studimet në Shqipëri? Kishe vështirësi atje?
Avokat Erles Qypi
Erles Qypi: Vështirësia kryesore atje ishte ana ekonomike. Për aq vite sa isha atje përfitoja dhe bursë nga ana e shtetit italian, por me kalimin e viteve vështirësitë shtoheshin sepse ana ekonomike është një element shumë i rëndësishëm në Europë. Ka kushte të mira, por ka dhe çmime të larta. Duke mos arritur të mbuloja shpenzimet e mia, vendosa që të kthehesha në Shqipëri dhe t’i mbaroja këtu studimet e larta për drejtësi. Konkretisht unë kam bërë sistemin e vjetër 4 vjeçar, i cili përfshin Bachelor dhe Masterin dyvjeçar dhe u diplomova në Shqipëri përfundimisht.
CMG: Ndërkohë që në Itali gjatë viteve të studimit keni punuar atje, apo keni pasur mbështetje nga familja?
Erles Qypi: Me thënë të drejtën familja ka pasur shumë dëshirë për të më ndihmuar, por ka qenë tepër e vështirë sepse kostot e Italisë janë shumë të larta në krahasim me ato që fiton një familje shqiptare. Në Itali unë kam punuar dhe studiuar njëkohësisht, siç bëjnë dhe shumë studentë italianë. Kam punuar dhe studiuar me të gjitha mundësitë e mia, pa ndihmën e familjes. Siç e thashë meqenëse nuk mund t’i bëja dot të dyja dhe studimet edhe punën, mendova që të transferohesha në Shqipëri.
CMG: Në fakt, para se të nisnit studimet për drejtësi ju në Tiranë kishit zgjedhur një degë tjetër për të studiuar?
Erles Qypi: Po është e vërtetë që para drejtësisë kam studiuar në Fakultetin e Gjeologji-minierave dhe konkretisht në degën inxhinier minierash. Duke parë se Shqipëria është një vend që ka shumë miniera, e pashë si perspektivë dhe si një mundësi ekonomike dhe profesionale shumë të mirë për të studiuar në këtë fushë. Unë kam bërë një vit si student i inxhinierisë së minierave dhe mbas kësaj jam transferuar në Itali për të studiuar drejtësi, sepse e pashë që perspektiva ekonomike e studentëve të cilët mbaronin për këtë degë nuk është se ishte shumë e vlerësuar në atë kohë. Dihet që minierat kërkojnë një teknologji të avancuar që të krijohet një biznes i mirëfilltë ose një sipërmarrje të cilën Shqipëria nuk e ofronte. Unë e pashë si zgjedhje të mirë që të shkoja dhe të studioja në Itali, pasi edhe kjo ishte një mundësi e mirë në perspektivat e mia si një person për t’u diplomuar në një fushë përkatëse që më jepte perspektivë.
Erles Qypi gjate nje seance gjyqi
CMG: Cilat janë për një avokat sfidat dhe vështirësitë e ushtrimit të profesionit në Shqipëri?
Erles Qypi: Sfidat janë të mëdha duke qenë se ne jemi akoma një vend në tranzicion. Avokati në Shqipëri përfaqëson një profesion të nderuar mund të themi, por profesioni i avokatit lidhet dhe me kulturën juridike dhe atë ekonomike, si dhe sjelljen e shoqërisë ndaj kësaj marrëdhënie me ligjin. Pikërisht në këto faza kemi dhe reformën në drejtësi, e cila presupozohet që të sjellë më shumë mundësi jo vetëm për qytetarët por dhe për ne që jemi të fushës. Kjo sepse fut në shina një lloj konkurence të ndershme ose një lloj konkurence shoqërore, morale dhe ligjore përballë ligjit. Unë këtë e shikoj si një mundësi shumë të mirë dhe ndjehem mirë në profesionin që ushtroj.
CMG: Keni meduar ndonjëherë që ta lini profesionin dhe të largoheni jashtë vendit, për të bërë një punë tjetër?
Erles Qypi: Mundësia është, duke qenë se Shqipëria ka liberalizimin e vizave dhe nuk është problem për të shkuar jashtë dhe mund të shkoja në çdo kohë. Por meqenëse investova kaq vite dhe tani jam dhe baba i një fëmije, jam një familjar i martuar, mendoj se profesionin shumë mirë mund ta ushtroja në Shqipëri. Normalisht që ana ekonomike në Europë do ishte më e mire, por njeriu nuk jeton vetëm për anën ekonomike, jeton dhe për identitetin e vet personal dhe shoqëror, vendin nga vjen dhe atë që përfaqëson. Unë mendoj që të jetoj në Shqipëri tani për tani dhe në rast se do të më jepej një mundësi për të ikur jashtë patjetër që do të iki për një perspektivë më të mire, por gjithmonë në mënyrë të përkohshme dhe mendoj prapë të kthehem në vendin tim.
CMG: Sa kohë shpenzoni në ditë me punën tuaj?
Erles Qypi: Puna e avokatit ka një marrëdhënie mund të themi intensive, duke filluar nga mëngjesi deri në orën 14.00 mbasdite që presupozohet që janë gjyqet, që zhvillohen rreth kësaj ore. Kurse në mënyrën e të menduarit dhe të sjellurit avokatia të mban pothuajse gati gjithë kohën të angazhuar me çështjet e gjyqit. Sepse ti duhet në çdo fazë të gjesh më të mirën dhe të krijosh mundësinë më të shkurtër që ta zgjidhësh brenda aspektit ligjor çështjen që t’i përfaqëson për të gjithë klientët e tu. Njëkohësisht është një marrëdhënie shumë e bukur me vetveten, por dhe me të tjerët. Çdo çështje është një sfidë e veçantë ku ti do të përfaqësosh më mirë veten tënde, rrethanat, faktet, provat që paraqiten në balancë me atë që parashikon drejtësia dhe interesat e klientit tënd.
CMG: Ju keni bërë dhe një mastër në këtë fushë?
Erles Qypi: Unë kam bërë dhe një master pasuniversitar po në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, i cili ishte një master në të drejtën tregtare europiane. Ky master të jep një formim tregtar dhe përgjithësisht të institucioneve të Bashkimit Europian dhe mënyrën se si të gjitha këto konvergjojnë dhe shkojnë në interes të përbashkët shoqëror ose në një perspektivë europiane. Në këtë master unë kam bërë dhe një temë diplome, ku unë kam trajtuar marrëdhëniet e Kinës me BE-në dhe aty pashë shumë aspekte të veçanta të kulturës kineze, të sjelljes së atyre tepër paqësore ndaj ambientit dhe marrëdhënieve tregtare që ato i kushtojnë me vendet e tjera. Ka qenë një master frymëzues nga ana ime sepse kam kuptuar që një fuqi e madhe si Kina është tepër serioze dhe korrekte në një marrëdhënie ndërkombëtare që ajo krijon me shtetet e tjera.
CMG: Unë të falënderoj shumë për këtë intervistë për CMG dhe të uroj suksese dhe punë të mbarë.
Erles Qypi: Edhe unë ju falënderoj shumë për mundësinë që më dhatë dhe ju uroj gjithë të mirat.
Intervistoi: Gazmend Agaj