Shqipëria anëtare e përkohshme e KS të OKB-së, ngjarje e rëndësishme për autoritetin ndërkombëtar të saj
Intervistë me analistin Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë
Analisti Aleksandër Çipa në intervistë për CMG
Anëtarësimi i Shqipërisë në cilësinë e anëtarit të përkohshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një ngjarje historike. Rezultatet e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së tregun se Shqipëria tashmë gëzon një reputacion pozitiv nga familja e madhe e kombeve.
CMG: Cili është vlerësimi juaj për këtë ngjarje?
Aleksandër Çipa: Padyshim që kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për autoritetin ndërkombëtar të Shqipërisë, për imazhin e saj në botë dhe në mënyrë të posaçme për integrimet institucionale në organizmat dhe strukturat ndërkombëtare, që ka bota jonë sot. Nga kjo pikëpamje mendoj që ky është një moment i rëndësishëm në historinë e diplomacisë shqiptare dhe shtetit shqiptar në mënyrën se si e ka ndërtuar udhëtimin e gjatë për më shumë se 100 vjet në skakierën e zhvillimeve globale dhe në mënyrë të posaçme në marrëdhënie me institucionet ndërkombëtare.
Në pikëpamje tjetër kjo ka të bëjë, pse jo dhe me një reputacion që merret për llogari të interesave kombëtare, sepse çdo shtet përfaqësimet e veta në institucione apo në organizma të cilat funksionojnë si një rotacion, apo qoftë dhe nga pikëpamja e strukturës së tyre organizative si një kontribues në mënyrë vetjake, mund të përdoret në për qasjet e interesit kombëtar sikundër dhe për partneritetet ndërkombëtare.
CMG: Presidenca e Shqipërisë e OSBE-së vitin e shkuar mendoni që ishte një kontribut që i dha të drejtën Shqipërisë për të ecur drejt anëtarësimit qoftë dhe të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?
Ansambleja e Përrgjithëshme e OKB-së (Koha jonë)
Aleksandër Çipa: Mendoj se po, pavarësisht se duhet të ndajmë përvojën për të qenë një vend anëtar të Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara është kryekëput e ndryshme nga përvoja e kryesimit të radhës të një organizate, siç është OSBE-ja. Mendoj që është diferenca midis dy niveleve. Së pari, niveli i ekspertizës që është tek njëra nuk është e ngjashme me organizatën e OSBE-së. Por gjithsesi këto janë dy momente që vlerësohen se Shqipëria institucionale dhe shtetërore ka tashmë kapacitete të burimeve njerëzore dhe kapacitete të negocimeve dhe diplomacisë, të cilat mund të krahasohen lehtësisht me kapacitete të dëshmuara nga organizata dhe vende që kanë qenë në udhëheqësinë pararendëse me Shqipërinë.
Në këtë këndvështrim mendoj se prezenca e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit edhe pse është e para e plotëson dhe e pasuron historinë e kontributeve shqiptare në Kombet e Bashkuara. Në këtë pikëpamje duhet t’i referohemi qysh në zanafillë, sepse kryesisht në vitet 20-të, 30-të Shqipëria ka patur një reputacion pozitivist nga mënyra se si ndërhynte dhe debatet pjesëmarrëse që kishte në aulat e Kombeve të Bashkuara.
CMG: Për herë të parë Shqipëria do të shërbejë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në një periudhë kyçe, ku kemi të bëjmë me krizat aktuale në Izrael, konfliktet në Ukrainë, Siri, Koreja e Veriut, Irani, por dhe çështje si pabarazia, varfëria, ngrohja globale dhe racizmi. Sa pritet të ndikojë zëri i Shqipërisë dhe vetë kjo në politikën e jashtme shqiptare?
Aleksandër Çipa: Ne nuk duhet ta ekzagjerojmë kontributin tonë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, por gjithsesi edhe nuk mund ta nihilojmë. Sepse në pikëpamjen e funksionimit dhe të procedurave mbi të cilat është bazuar kontributi i çdo anëtari të Këshillit të Sigurimit këto janë praktika tashmë të stërprovuara në realitetin gjeopolitik dhe në marrëdhëniet diplomatike.
Ministrja e jashtme shqiptare Olta Xhaçka duke votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Por Shqipëria duke qenë një vend me një autoritet dhe një kontribut të mirëvlerësuar nga të gjithë aktorët ndërkombëtare përsa i përket relacionit me rajonin dhe kryesisht i etiketuar si një vend që në përgjithësi gjeneron stabilitet dhe diplomacinë e mirëkuptimit dhe të luajalitetit do ta përdorë pashmangshmërisht këtë në periudhën e harkut kohor 2022-2023 në cilësinë e anëtares së KS të OKB-së për të kontribuuar edhe duke shfrytëzuar qasjen e vet në raport me palët që ose bëhen protagoniste të konfliktit, ose janë në konflikt.
CMG: Sa do të ndikojë për vetë rajonin e Ballkanit Perëndimor pozicioni i Shqipërisë si anëtar i përkohshëm në Këshillin e Sigurimit?
Aleksandër Çipa: Unë e vlerësoj këtë si një moment të ri të marrëdhënieve dhe reciprocitetit në rajonin tonë. Sepse nuk ka asnjë dyshim tashmë që në marrëdhënie me fqinjët Shqipëria, duke marrë një cilësi të tillë të përfaqësimit global ka të drejtën për ta rritur atë që quhet pretencioni i përfaqësimit të vetes në nivelet diplomatike dhe atë që quhet reciprocitet diplomatik. Kjo do të japë një ndikim jo vetëm në mënyrën dhe qasjet që do të kemi për çështjet rajonale, për shqetësimet e mbartura rajonale, por edhe në atë që quhet në kuotën e reciprocitetit në marrëdhëniet bilaterale, triraterale apo rajonale. Këto janë shumë të rëndësishme për një rajon shumë të ngarkuar siç është rajoni i Ballkanit Perëndimor, por në mënyrë të veçantë kjo bëhet edhe më e mprehtë në historikun e marrëdhënieve ndëretnike që karakterizohen zakonisht me tensione dhe fraktura në rajonin e Ballkanit.
Intervistoi Eda Merepeza