9 maji mund të konsiderohet si një ditë e mbarë për shqiptarët, pasi që prej kësaj date për shkak të situatës epidemiologjike pozitive, Shqipëria nuk kategorizohet më si zonë rreziku për Covid-19.
Fundjavën e kaluar Këshilli i Europës përditësoi listën e vendeve për të cilat duhet të hiqen kufizimet e udhëtimit. Për të patur situatën epidemiologjike nën kontroll autoritetet europiane kanë njoftuar se lista do të vazhdojë të rishikohet çdo dy javë dhe, sipas rastit, të përditësohet.
Këshilli i Europës
Sipas vendimit të Këshillit të Europës, nga 18 qershori 2021 vendet anëtare kanë nisur heqjen gradualisht të kufizimeve të udhëtimit në kufijtë e jashtëm për banorët e vendeve të treta si Shqipëria, Australia, Izraeli, Japonia, Libani, Zelanda e Re, Republika e Maqedonisë së Veriut, Ruanda, Serbia, Singapori, Koreja e Jugut, Tajlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Kina mbetet subjekt i konfirmimit të reciprocitetit.
Kriteret e përcaktimit të vendeve të treta për të cilat duhet të hiqet kufizimi aktual i udhëtimit u përditësuan më 20 maj 2021. Ato mbulojnë situatën epidemiologjike dhe reagimin e përgjithshëm ndaj COVID-19, si dhe besueshmërinë e burimeve të informacionit dhe të dhënave në dispozicion. Reciprociteti gjithashtu duhet të merret parasysh rast pas rasti.
Ndërkohë Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dha nje lajm të mire se prej datës 19 qershor, në Greqi do të lejohet të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare ashtu dhe turistike. Për këtë Ministria ka njoftuar dhe dokumentet e nevojshme për çdo udhëtar shqiptar, që dëshiron të shkojë në Greqi.
Ata duhet të jenë të pajisur me Formularin Plf; Certifikatë vaksinimi, test PCR ose rapid ose; Certifikatë të diagnozës pozitive e vlefshme për dy deri në nëntë muaj. Sipas njoftimit te MEPJ, fëmijët mbi 12 vjeç do të ketë të njëjtat kritere hyrëse si të rriturit.
Njoftimi i MEPJ shton se, “në pikat kufitare me Greqinë do të vijojnë të kryhen teste të rastësishme nga autoritetet përkatëse. Deri më datë 28 qershor, mbeten në fuqi kuotat prej 1500 personave në ditë në Kakavijë, 250 në Qafë Botë dhe 400 në Kapshticë dhe më vonë pritet liberalizimi total i lëvizjes”.
“Plotësimi i formularit PLF është i detyrueshëm për të gjithë nga të gjitha pikat kufitare, tokësore ose ajrore. Në rast se formulari nuk plotësohet online do të thotë që është arritur kuota ditore e ju duhet të zgjidhni një ditë tjetër për të udhëtuar drejt Greqisë”, thekson njoftimi i MEPJ
Një tjetër destinacion mjaft i preferuar për shqiptarët, Gjermania gjithashtu ka hequr kufizimet e udhëtimeve hyrëse nga Shqipëria.
Ambasada gjermane në Tiranë përmes një njoftimi të publikuar të premten thekson se “Qeveria Federale ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve hyrëse për personat rezidentë në Shqipëri me efekt që nga dita e diel, 20 qershor. Që nga kjo datë, udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit”. Gjithashtu ambasada thekson se “për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është e domosdoshme një dëshmi e testit ose një dokument që provon shërimin apo vaksinimin me vaksinat Pfizer-Biontech, Moderna, Astra Zeneca dhe Johnson&Johnson”.
Aeroporit i Rinasit
Nisur nga situata epidemiologjike pozitive Shqipëria që prej datës 9 maj, nuk kategorizohet më si zonë rreziku për Covid-19.
Nuk janë më të nevojshme detyrimi i testimit (me përjashtim të atyre, që hynë në rrugë ajrore), regjistrimi digjital i udhëtimit dhe detyrimi i karantinës.
Për udhëtarët, që hynë në Gjermani në rrugë ajrore, vazhdon të jetë në fuqi detyrimi i një testi përpara nisjes (test PCR- jo më herët se 72 orë përpara fluturimit, ose test antigjenesh, jo më herët se 48 orë përpara fluturimit).
Udhëtarët e vaksinuar plotësisht me një prej vaksinave Pfizer-Biontech, Moderna, Astra Zeneca dhe Janssen, apo të shëruarit (jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit), të cilët zotërojnë një dokument që provon vaksinimin apo shërimin, i formuluar në gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, në versionin hard copy apo atë digjital, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ në momentin e hyrjes në rrugë ajrore nga Shqipëria në Gjermani. Duhet theksuar se rregullat e karantinimit në Gjermani vendosen nga landet federale
Rekomandimi i Këshillit të BE, vjen si rezultat i përmbushjes së kritereve strikte të kontrollit të pandemisë në vend dhe masave të marra nga qeveria shqiptare për adresimin efektiv të kësaj sfide të përbashkët.
MEPJ rithekson rëndësinë e respektimit të masave nga qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kujdesi duhet të vazhdojë të jetë maksimal edhe gjatë lëvizjes në vendet e BE, të cilat mund të kenë protokolle specifike edhe pas rekomandimit të fundit.
Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme
Edhe kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca e ka cilësuar si një lajm të mrekullueshëm për qytetarët shqiptarë rekomandimin e Këshillit të BE-së për të hequr kufizimet e përkohshme të udhëtimit për banorët e Shqipërisë.
“Lajm i mrekullueshëm për qytetarët e Shqipërisë në fillim të sezonit turistik!! Këshilli i BE-së ka rekomanduar zyrtarisht heqjen e kufizimeve të përkohshme të udhëtimit për banorët e Shqipërisë!”, u shpreh Soreca në një reagim në rrjetet sociale.
Shqiptarët me nisjen e sezonit turistik veror kanë nisur udhëtimet, ku nuk ishte e nevojshme karantina, apo paraqitja e certifikatës së vaksinimit, si në plazhet turke të Antalias, apo në Emiratet e Bashkuara e gjetkë. Me liberalizimin në vijim të udhëtimeve drejt vendeve të BE-së dhe për qytetarët shqiptarë mundësohet lëvizja e tyre, në varësi të rregullave që përditësohen, sipas situatës epidemiologjike të vendeve përkatëse.
Eda Merepeza