Përshëndetje të nderuar dëgjues dhe mirë se erdhët në “Green story”, rubrika më e re në radio “Ejani”, ku së bashku do të nisim rrugëtimin tonë mbi planetin Tokë, për të trajtuar ngjarjet, historitë, problematikat që lidhen me mjedisin dhe gjithçka që ndikon në ekosistem. Vitet e fundit është ngritur shumë zëri për të frenuar emetimet e dyoksidit të karbonit, për të pasur ajër më të pastër, rrjedhimisht dhe ambient më frymëmarrës. Shumë vende janë zotuar që brenda disa dekadave të arrijnë objektiva të qartë në këtë drejtim.
Në vitin 1970, aktivisti amerikan John McConnell, për të nderuar planetin tonë krijoi eventin dhe vetë idenë e "paqes në botë", i cili me kalimin e viteve është transformuar duke u bërë një nga simbolet e luftës kundër ndryshimeve të klimës. Marrëveshja e Parisit, për shembull, u nënshkrua në vitin 2016 gjatë Ditës së Tokës, që kremtohet më 22 prill. Çdo vit zhvillohen takime, diskutime dhe ngjarje, në nivel global dhe gjithashtu lokal, ku përfshihen njerëz të të gjitha moshave me vëmendje të veçantë për brezat e rinj, të cilët e kanë shtyrë të gjithë lëvizjen në mënyrë më efektive, të paktën në nivelin e komunikimit, sesa kanë bërë të rriturit deri tani.
Një studim ndërkombëtar sjell një rezultat të frikshëm, siç e kanë përkufizuar studiuesit, vetëm 3% e planetit tonë është ekologjikisht e paprekur.
Një nga nismat më të rëndësishme në vitet e fundit për sa i përket ruajtjes së natyrës është projekti “30by30”, i cili sheh një listë të gjatë të vendeve anembanë botës të angazhuara për arritjen e një qëllimi ambicioz: për të bërë 30% të sipërfaqes së tokës një zonë të mbrojtur deri në vitin 2030.
Për momentin, është shkuar deri në gjysmë të rrugës, pasi sipas specialistëve, rreth 15% e sipërfaqes së tokës është një zonë e mbrojtur. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që është ekologjikisht e paprekur. Siç lexohet në studim, duhet të respektohen tre parime themelore: prania e një habitati të paprekur nga dora e njeriut, një numër i ulët, ose aspak, i llojeve që janë zhdukur në kohërat historike për shkak të ndërhyrjes së njeriut dhe prania e biodiversitetit të mjaftueshëm për të garantuar efikasitetin e plotë ekologjik. Në të gjithë Tokën, përqindja e ekosistemeve që plotësojnë këto tre kritere, ku flora dhe fauna janë të njëjta siç do të ishin 500 vjet më parë, në epokën para-industriale, është midis 2 dhe 3%.
Ekziston një fakt tjetër edhe më shqetësues që del nga studimi. Nga kjo përqindje e vogël e ekosistemeve të paprekura, vetëm 11% janë të vendosura brenda zonave të mbrojtura. Shumë prej këtyre zonave ndodhen në vende që nuk mbrohen zyrtarisht, por menaxhohen nga komunitetet autoktone, të cilat vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në kujdesin për integritetin e tyre. Prandaj ekziston një disproporcion i madh midis atyre që ne i konsiderojmë "zona të mbrojtura" dhe ekosistemeve që aktualisht janë ende të qëndrueshme dhe funksionale. Prandaj, sipas specialistëve, duhet të fillohet të merret parasysh nevoja për të rikthyer në jetë zonat e degraduara.
Sipas Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara, një nga çelësat për të marrë këtë rezultat është ruajtja e specieve të kafshëve dhe bimëve, të cilat lejojnë që habitati të rikthejë funksionalitetin e tij. Ndërhyrje të tilla mund të çojnë në rilindjen e rreth 20% të ekosistemeve tokësore aktualisht të degraduar.
“Wilderness” janë cilësuar ato pak zona natyrore të Tokës që nuk janë modifikuar në mënyrë të pakthyeshme nga dora e njeriut. Ato janë habitate të paprekura dhe dëshmojnë për mençurinë e ekosistemit tonë. Pandemia Covid-19 na ka kujtuar se kur dështon sistemi prodhon dëme të pallogaritshme. Një studim i fundit i botuar në “Frontiers in Forest and Global Change” ka hedhur dritë duke llogaritur atë që mbetet ende nga natyra e paprekur që na është dhuruar.
Në aspektin e ambientit, tani dimë se më shumë se 30 vjet më parë, zonat “wilderness”, zonat natyrore që nuk janë modifikuar në mënyrë të konsiderueshme nga njerëzit, ishin shumë më tepër dhe se tani ato zona të njëjta janë identifikuar si përparësi për ruajtjen dhe mbrojtjen e ambientit.
Nëse më parë nuk dihej se cila ishte mënyra për të matur shkallën e dëmtimit njerëzor, kohët e fundit, më në fund, ka pasur një nxitje për të përcaktuar se si të maten zonat e modifikuara në mënyrë të pakthyeshme.
Fokusi tani është në ato habitate të paprekura që përbëjnë listën e kësaj kategorie. Qëllimi është integriteti i ekosistemeve natyrore, që është njohur edhe nga Konventa për Diversitetin Biologjik, një organ i Kombeve të Bashkuara.
Studiuesit bien dakord duke kujtuar se vlerësimet e kaluara, të përqendruara në hartëzimin e ndikimit njerëzor në integritetin e habitatit, kanë krijuar harta të ndikimit antropogjen që vlerësuan në mënyrë të pavarur se midis 20% dhe 40% të sipërfaqes së tokës të planetit ka mbetur e paprekur nga dëmtimet e mëdha të njeriut, si vendbanimet, rrugët dhe ndotja nga drita dhe ajo akustike.
Pika e kthesës në temën e paprekshmërisë, megjithatë, mund të jepet nga studimi i ri që ka adoptuar një qasje tjetër në klasifikimin e zonave të botës. Në vend që të përqendrohej në ndikimin njerëzor, ai analizoi vendet e Kriterit C të Zonave Kryesore të Biodiversitetit, një klasifikim sipas të cilit “Një komunitet ekologjik i paprekur ka organizimin e plotë të specieve që dihet se janë të pranishme në një vend të veçantë me bollëkun e tyre natyror, krahasuar me një pikë referimi të përshtatshme rajonale.
Autorët e studimit zgjodhën vitin 1500 si datë referimi për vlerësimin e zhdukjeve të specieve për Listën e Kuqe të “Iucn” të specieve të kërcënuara dhe, përveç integritetit të habitatit, ata gjithashtu vlerësuan integritetin e faunës, pra asnjë humbje e specieve të kafshëve, dhe integriteti funksional, pra që nuk ka humbje të dendësisë së kafshëve nën një nivel që do të ndikonte në funksionimin e shëndetshëm të një ekosistemi. Kombinimi i këtyre masave të paprekshmërisë zvogëlon numrin e vendeve që mund të kualifikohen sipas Kriterit C të ZKB-së.
Studimi e shikon si shqetësuese që vetëm 11% e vendeve të matura janë të mbuluara nga zona të mbrojtura. Shumë nga zonat e identifikuara përkojnë me territoret e menaxhuara nga komunitetet autoktone, të cilat luajnë një rol vendimtar në mirëmbajtjen e tyre. Zonat e identifikuara si funksionale të paprekura përfshinin Siberinë Lindore, Kanadën Veriore, pjesë të pyjeve tropikale të pellgjeve të Amazonës dhe Kongos dhe shkretëtirën e Saharasë.
Sidoqoftë, sipas studimit, ka ende shpresë, pasi deri në 20% e sipërfaqes së tokës së planetit mund të rikthehet në integritetin e faunës përmes rivendosjes së disa specieve në habitate që mbetën të paprekura. Rezultatet tregojnë se mund të jetë e mundur të rritet zona me paprekshmëri ekologjike deri në 20% përmes rivendosjeve të synuara të specieve që janë humbur në zona ku ndikimi njerëzor është ende i ulët, me kusht që të menaxhohet mbrojtja e mbijetesës së tyre në një nivel ku të përmbushin rolin e tyre funksional.
Angazhimi për të ardhmen do të përfshijë gjithashtu identifikimin e zonave nën Kriterin C të ZKB-së që mund të ndihmojë në përqendrimin e vëmendjes në këto zona për ruajtjen dhe restaurimin. Sipas specialistëve, habitati i paprekur ka treguar të ketë përfitime të rëndësishme si për jetën e egër ashtu edhe për njerëzit dhe, rrjedhimisht, duhet të jetë një objektiv kritik i negociatave të vazhdueshme mbi kornizën globale të biodiversitetit.
Faleminderit që na ndoqët dhe mirë u dëgjofshim në edicionin e radhës së “Green story”!