Daniel Nikolla është shembulli i të rinjve shqiptarë që shkëlqejnë brenda dhe jashtë trojeve. Me një guxim të rrallë dhe iniciativë të lakmueshme, ai ka ecur me hapa shumë të mëdha. Vendosi të shkojë në Angli për të ndjekur studimet dhe ëndrrën e tij për t’u bërë futbollist profesionist, por ai do të ndriçonte më shumë në fushën e marketingut.
Daniel Nikolla
Danieli drejton departamentin e marketingut në kompaninë Angleze “Hardy Signs”
Së fundmi ai është bërë pjesë e një nisme shumë interesante-“Vaksinohu edhe ti !”
CMG: Daniel, do ta nisim këtë bisedë duke folur për refleksionet e tua. Kur kthehesh pas në hapa çfarë mendon se ka qenë ogur fati për të ecur me hapa të sigurta në sukses?
Daniel Nikolla: Mendoj që janë disa elementë të ndërthurur, duke nisur që nga edukata e familjes apo edhe shkolla, këmbëngulja shumë e madhe, që kam përshtypjen e kanë shumë shqiptarë kudo në botë, por edhe mua më ka karakterizuar gjithnjë. Kjo e fundit, pra të qenit aktiv në çdo fushë të shoqërisë, më ka ndihmuar që të jem më konfident e më të pastaj kam zhvilluar prezencën në publik dhe të folurën. E folur kjo, e cila në rastin tim më ka lidhur me më të mëdhenj se unë në moshë që kanë ndarë me mua eksperiencën e tyre, duke qenë i lidhur dhe duke e rritur rrethin e networkut kam ecur dhe kam arritur disa gjëra deri më tani.
Daniel Nikolla
CMG: E nisim nga A-ja. Le t’i klasifikojmë pak arritjet tuaja në jetë.
Daniel Nikolla: Në fakt, ky është vetëm fillimi, sepse ne jemi ende në të 20-tat. Por nëse mund të flas për këtë do të ndalem tek viti 2016, ku u bëra pjesë e një fushate të UEFA-s dhe së bashku me babain tim. Udhëtuam në Francë dhe Britani për të filmuar një film rreth tifozave shqiptarë në EURO 2016. Ndërsa shumica e gjërave të tjera më pas kanë qenë në Britani. Në vitin 2013 u shkëputa nga Shqipëria dhe erdha këtej dhe që në ditët e para kam pasur shumë fat dhe në çdo fushë që jam përfshirë e kam gjetur veten.
Në 2015 jam zgjedhur president i Unionit të studentëve të kolegjit ku unë studioja dhe një nga fushatat me interes ka qenë fushata e studentëve të huaj. Në 2014 Britania e hoqi të drejtën e studentëve të huaj për të punuar në Britani pasi ata mbaronin shkollën dhe pas një lobimi shumë të madh me Unionin dhe shumë studentë ne arritëm këtë korrik të japim serish aksesin për të gjithë studentët që vijnë në Britani.
Daniel Nikolla
CMG: Aktualisht me çfarë po merreni dhe çfarë jeni duke drejtuar?
Daniel Nikolla: Unë jam menaxher marketingu në një kompani reklamash në zemër të Anglisë. Ne punojmë me kompani shumë të njohura dhe Dhoma të Tregtisë. Unë fillova si një njeri që sapo kisha mbaruar universitetin. Kisha një pozicion më junior në ekip para 3 vitesh, por me kalimin e kohës shumë nga fushatat që unë iniciova patën fatin që ecën dhe automatikisht mu besua që të drejtoja departamentin tim. .
CMG: Cilat janë tiparet dalluese që ju kanë dhënë edhe një siguri më shumë?
Daniel Nikolla: Unë nuk pushoj asnjëherë. Jam gjithmonë duke folur me njerëz të rinj, duke i takuar, duke u përfshirë edhe me degë të tjera të biznesit. Nuk jam i fokusuar vetëm në një gjë, gjithashtu edhe lexoj shumë rreth profesionit tim. Merrem me shitje, me takime gjithashtu edhe me strategji të ndryshme për zhvillimin e proceseve të brendshme që kompania të harxhojë më pak financa dhe më pak kohë pune.
CMG:Jeta juaj dje dhe sot. Çfarë do të krahasojmë?
Daniel Nikolla
Daniel Nikolla: Para 2013-ës unë doja të bëhesha futbollist. Studioja, por e kisha pasionin tek sporti. Kurse sot jam i fokusuar në familje dhe profesioni dhe te personi që unë dua të jem pas 3 vitesh. Tani për momentin shoh se si ta zhvilloj ekipin tim.
CMG: Sekretet e një marketimi të mirë?
Daniel Nikolla: Inteligjenca emocionale është nr. 1, që të zhvillosh një intuitë të mirë për t’i treguar njerëzve kualitet. Të qenit të drejtë dhe mënyra se si shkruajmë. Gjithashtu shumë biznese të vogla dhe të mesme nuk po bëjnë tepër rreth fushatave digjitale, por ato janë shumë të rëndësishme.
CMG:Fushata “Vaksiohu edhe ti!”, çfarë solli?
Daniel Nikolla: Ishte një fushatë shumë e mirë që shtyu shumë shqiptarë për t’u vaksinuar. Kjo nisi sepse këtu u deklarua nga qeveria se minoriteti shqiptar e ka numrin e vaksinimeve të ulët.
Pas fushatës dhe një muaj pas pati një deklaratë që numri i emigrantëve e kishin rritur përqasjen dhe kishin ikur për t’u vaksinuar.