Turizmi, një arterie kryesore për ekonominë shqiptare, duket se po e rimer ritmin e vitit 2019, kur shifrat e turistëve të huaj që e frekuentuan Shqipërinë ishin të lavdërueshme. Pas një viti anemik turistik, siç mund të quhet 2020-a, e sunduar nga kufizimet pandemike, tashmë ka nisur në të gjithë bregdetin sezoni turistik veror.

[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]


Gjatë një interviste televizive Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e cilësoi vitin 2021, si vitin e turizmit që do të shërbejë si një arritje shumë e mirë për ekonominë shqiptare.

Prej më shumë se një jave Shqipëria ka hapur kufijtë dhe nuk kërkon as test për Covid-19 dhe asnjë dokument tjetër shoqërues për të gjithë të huajt që dëshirojnë të mbërrijnë në “token e shqiponjave” për turizëm bregdetar, malor apo kulturor.

Vihet re një gjallërim i fluksit të turistëve, kryesisht përgjatë vijës bregdetare të vendit dhe ata nuk janë vetëm turistë nga Kosova, por edhe nga shtete të tjera.

Task-Forcë për sezonin turistik

Task-Forcë për sezonin turistik

Qeveria shqiptare ka krijuar një Task-Forcë të turizmit për këtë sezon dhe në mbledhjen e fundit të saj, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu paraqitën masat e përbashkëta për një sezon turistik të sigurt.

Ministri Klosi tha se subjektet që nuk do të plotësojnë kushtet e sigurisë dhe të higjienës nuk do të kenë të drejtë të administrojnë plazhet.

“Ne nuk do të pranojmë që të kemi stacione plazhi nga persona që nuk kanë mundësi të garantojnë shërbim të mire. Kryefjala e këtij viti është siguria dhe pastërtia e stacioneve tona të plazhit. Strukturat që do të posedojnë një stacion plazhi nuk mund ta realizojnë atë në rast se nuk do të kenë kontratën me një ruajtës plazhi të licensuar.

Ministri Klosi u shpreh se sezoni i sivjetëm veror do të jetë “covid free” dhe me siguri të garantuar në të gjitha pikëpamjet. Ai deklaroi se do të ketë rregulla që nga siguria e jetës në plazhe, sigurimi i rendit, niveli i zhurmave, muzikës, duke garantuar komoditet për çdo pushues vendas dhe të huaj.

[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Ministrja e shëndetësisë Manastirliu u shpreh se vaksinimi i të gjithë punonjësve të strukturave akomoduese lehtëson sezonin turistik.

“Sa i përket sezonit të turizmit garantojmë një sezon më të lehtësuar, por sigurisht duke mbetur theksi te zbatimi i protokolleve shëndetësore, që padyshim edhe këtë vit do të vijojë të kërkohet zbatimi i tyre”, tha kreu i shëndetësisë.

Në këtë sezon turistik Shqipëria po ndjek politikën e ”dyerve të hapura” për turistët e huaj, që tashmë kanë nisur të shijojnë fillimin e verës në hotelet me personel të vaksinuar dhe ku respektohet protokolli anticovid. Turistët më së shumti janë nga Kosova, që si çdo vit shënojnë numrin më të lartë të pushuesve në stacionet turistike në Shqipëri, por vërehet dhe një interesim në rritje i turistëve nga Polonia, Ukraina, Rusia.

[Foto nga VCG]

[Foto nga VCG]

Nuk ka kërkesa për test PCR për të udhëtuar në Shqipëri, nëse linja ajrore me të cilën po fluturoni nuk e kërkon këtë. Ky është një tjetër faktor që e bën Shqipërinë lehtësisht të arritshme nga turistët e huaj. Vaksinimi masiv i popullsisë në Shqipëri dhe rënia e vazhdueshme e numrit të të prekurve me koronavirus ndikon gjithashtu pozitivisht në vendimin për të ardhur për pushime verore këtu. Gjatë sezonit veror do të funksionojnë qendra shëndetësore në 29 zona në të gjithë vendin, ku udhëtarët do të jenë në gjendje të bëjnë testet COVID-19. Turistët janë të lirë të lëvizin kudo, por duhet t’u përmbahen rregullave të distancës sociale prej 1,5 metrash.

Turizmi është një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare. Një në pesë veta punon në sektorin e turizmit. Ky sektor jep më shumë se 20 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Me një frymëmarrje të lehtësuar nga koronavirusi, sezoni turistik veror 2021 premton që Shqipërinë ta vizitojë një numër i madh turistësh të huaj, por edhe vendasit, duke u përballur me kufizimet e udhëtimit jashtë vendit, do të jenë frekuentues të bukurive natyrore të atdheut. (Eda Merepeza)