Pallati i Madh i Popullit, vend organizimi i sesioneve parlamentare, Pekin(Foto:VCG)
Demokracia kineze jo vetëm shfaqet në sistemin politik, sundimin e ligjit dhe aspekte të tjera “të mëdha”, por edhe vihet në jetë gjatë qeverisjes së çdo lagjeje të qytetit dhe fshatit. Krahas përparimit ekonomik të vendit, tani shumë reforma eksperimentale po bëhen në qeverisjen shoqërore, në mënyrë që të ngrihet pjesëmarrja e banorëve në zgjedhjen e drejtuesve, zgjidhjen e problemeve publike, si dhe vendimarrje të tjera që kanë të bëjnë me jetën e përditshme.
Lagjja “Ganhua” e qytetit Jiangmen të provincës Guangdong të Kinës Jugore është një lagje e madhe ku banojnë mbi 2 200 familje. Në të kaluarën, makinat, qoftë të banorëve të lagjes, apo të qytetarëve të tjerë, mund të parkonin falas në të dy anët e rrugëve të lagjes. Vitet e fundit, me shtimin e makinave, parkimet e pakufizuara “pushtuan” rrugët, duke përkeqësuar rëndë kushtet e trafikut të lagjes dhe duke shtuar vështirësitë e banorëve për të gjetur vend parkimi pasi ktheheshin në shtëpi.
Bisedë me përfaqësues të banorëve
Problemi u bë më i dukshëm gjatë luftës kundër COVID-19 vitin e kaluar, kur të gjitha lagjet e qytetit u detyruan të mbylleshin herë pas here mbi bazën e kërkesave të masave të kontrollit. Për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të sistemuar vendparkimet e parregullta, Këshilli i Banorëve të lagjes mori vendimin të niste parkimi me pagesë dhe projektimi i vendeve të parkimit. Por ky nuk ishte një vendim i lehtë për t’u vënë në zbatim, sepse qytetarët ishin mësuar me parkim falas.
Në raste të tilla, sistemi i qeverisjes demokratike të lagjes luan një rol të spikatur. Së pari, Këshilli i Banorëve (i zgjedhur nga vetë qytetarët) bëri një studim për nivelin normal të pagesës së parkimit në lagjet e tjera dhe një sondazh për të marrë mendimet e banorëve. Pastaj, ai caktoi disa persona kontakti nga “Dhoma e Konsultimeve”, pjesëtarët e së cilës janë aktivistë që kanë mbështetjen e fqinjve për konsultimet popullore me Këshillin e Banorëve dhe autoritetet e distriktit në vendimmarrjen e çështjeve të rëndësishme të lagjes. Ndërkohë, katër kurse trajnimi dhe tre aktivitete promovimi për përhapjen e modelit të ri të parkimit u organizuan për personat e kontaktit dhe banorët.
Mbledhje e opinioneve nëpër shtëpi
Pas thellimit të njohurive të banorëve për të mirat e ndryshimit të menaxhimit të parkimit, shumica e tyre ndryshuan qëndrim dhe shprehën përkrahje. Mirëpo, ende kishte zëra dyshues për këtë vendim. Për të përshpejtuar procesin vendimmarrës, Këshilli i Banorëve u propozoi autoriteteve të distriktit të bëhej votim. Nga 18 gushti i vitit 2020, grupet e punës që përbëheshin nga pjesëtarë të Këshillit të Banorëve, Dhomës së Konsultimeve dhe punonjës shoqërorë, mblodhën votat në tre pika votimi të krijuara në lagje.
Një javë më vonë, grupet e punës bënë edhe vizita nëpër shtëpi për të mobilizuar banorët e tjerë që nuk morën pjesë në votim ose që kishin vështirësi të shkonin në pikat e votimit. Gjithë procesi i votimit dhe mobilizimit zgjati 15 ditë, duke bërë që pjesëmarrja në votim ta kalonte dy të tretat, pragu për njohjen e vlefshmërisë së rezultateve të votimit. Më 3 shtator, nën vëzhgimin e zyrtarëve të distriktit, punonjësve shoqërorë, përfaqësuesve të banorëve, punonjësve të policisë dhe juristëve, votat u numëruan dhe u regjistruan. Ndër 1577 votat (në emër të familjeve), 1470 ishin pro, 50 kundër dhe 28 abstenim, gjë që tregoi se 71.71 % e pjesëmarrësve në votim ishin dakord për modelin e ri të menaxhimit të parkimit dhe të lagjes.
Numërimi i votave,Ganhua
Vendet e parkimit pas rregullimit, Ganhua
Me këtë veprim u zgjidh mbarë problemi që kishte zgjatur për disa vjet.
Kurse për sistemin e qeverisjes demokratike në zonat e gjera rurale në Kinë nuk mund të lihet pa përmendur fshati Hezhai në varësi të qytetit Hechi në Rajonin Autonom Guangxi-Zhuang, i cili hodhi hapin e parë në këtë drejtim.
Në vitin 1979, kur nis zbatimi i politikës së “Reformës e Hapjes”, si në fshatrat e tjera të vendit, edhe banorët në Hezhai rimorën nga fshati tokat, që u ndanë sipas numrit të anëtarëve të familjes, ndërsa më parë toka menaxhohej nga kooperativat. Mirëpo, pas ndryshimit të sistemit të drejtimit të fshatit, në këtë fshat, me shtimin e të ardhurave të banorëve, dolën edhe disa dukuri të panjohura më parë, si kumari, vjedhjet, prerja e paligjshme e pyjeve, hyrja e kafshëve (lopëve, kuajve etj.) në tokat e banorëve të tjerë dhe ringjallja e besëtytnisë. Ndërkohë, në këtë fshat të madh mungonte shumë forca qeverisëse.
Fshati Hezhai(Foto:Renminribao)
Për të ndryshuar këtë situatë, disa anëtarë të Partisë Komuniste të Kinës bënë një propozim, sipas të cilit u krijua një grup i ruajtjes së rendit dhe u përpilua një dokument i kodit të sjelljes së banorëve, në të cilin çdo familje vuri firmën e vet.
Pak kohë më vonë, rregullat treguan fuqinë e tyre. Pasi mësuan për zhdukjen e një lope, brenda dy orësh, banorët, sipas kodit të sjelljes, mbikëqyrën çdo udhëkryq dhe e gjetën në ditën e dytë lopën.
Me të parë efektshmërinë e rregullave, ky sistem evoluoi gradualisht në Këshillin e Banorëve. Më 5 shkurt të vitit 1980, 85 përfaqësues të banorëve të fshatit votuan Wei Huanneng-un, një ndër anëtarët e paktë të Partisë në fshat, si kryetar të parë të Këshillit.
Gjatë eksplorimit të metodës së vet të qeverisjes në zonat rurale, Hezhai gjithmonë ka qenë pionier. Këtu u realizua për herë të parë votimi nëpërmjet telefonit e internetit; u krijua sistemi i parë i përsosur i qeverisjes mbi bazën e propozimit, shqyrtimit, publikimit e mbikëqyrjes, si edhe u krijua këshilli i parë i lidhjes midis Partisë dhe banorëve të fshatit për rigjallërimin rural.
Fshati Hezhai(Foto:Renminribao)
Sistemi qeverisës demokratik që përputhet me realitetin e fshatit ka përmirësuar në mënyrë të dukshme jetesën e banorëve, duke zhdukur kumarin e vjedhjet dhe duke përmirësuar marrëdhëniet midis fqinjëve.
Vitet e fundit, banorët nëpërmjet Këshillit, kanë zhvilluar konsultime me autoritetet e pushtetit dhe kanë zgjidhur vështirësitë në furnizimin me energji elektrike e ujë, në ndërtimin e rrugëve, kanaleve të ujitjes, shkollës së re, qendrës së aktivitetit të të moshuarve, parkut kulturor etj. Këshilli i zgjedhur nga banorët, me drejtimin e vet kompetent, i ndihmoi banorët të zhvillojnë sektorë të ndryshëm ekonomikë. Mbi 95 % e banorëve vendorë jetojnë në ndërtesa shumëkatëshe dhe disa kanë blerë makina. Tani ky sistem i qeverisjes është vënë në jetë në shumicën e fshatrave të Kinës, duke u sjellë banorëve më shumë të mira dhe duke kultivuar konceptin e demokracisë me karakteristika kineze.(Zhang Yan/Artan)