Tirana e priti 1 qershorin me dekorimin me qershi të bulevardit kryesor të saj. Kjo simbolikë lidhet me emrin e muajt të gjashtë të vitit qershor që mund të quhet dhe “muaji i qershive”, por dhe me ditën e parë të tij, që përkujton “Ditën e fëmijëve”.
1 Qershori është dita ndërkombëtare e mbrojtjes së fëmijëve. Në traditën shqiptare deri në fillim të viteve 90-të kjo ditë ishte festë dhe manifestohej me veprimtari të ndryshme kulturore dhe arstistike në institucionet arsimore, parashkollore dhe shkollore. Tashmë qasja ndaj kësaj dite ka ndryshuar dhe pastranzicionit të tejzgjatur në Shqipëri vërehen një sërë fenomenesh negative, që shoqërojnë jetën e fëmijëve. Ndër to janë puna e fëmijëve dhe fëmijët e rrugës, trafikimi i të miturve, dhuna fizike dhe seksuale, bullizmi, që përbëjnë një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.
Pandemia nga Covid19, ka ndikuar shumë në arsimiminn dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve, në Shqipëri dhe në mbarë botën.
Më 1 Qershor, në Ditën Globale të Veprimit dhe për 100 ditë në vijim, grupet e fëmijëve në Shqipëri dhe 120 vende të botës, do të mbështeten për të ndërmarrë iniciativa dhe ngritur zërin për nevojat, vështirësitë dhe rekomandimet e tyre për autoritetet, prindërit dhe shoqërinë që të vënë në prioritet përmirësimin e situatës në fushën e arsimit për fëmijët/rinjtë, me fokus grupet në nevojë. Njoftimi është bërë në media nga organizata “Save the Children”, e cila vit pas viti publikon studime rreth fëmijëve shqiptarë dhe sfidave të tyre.
Sipas të dhënave të kësaj organizate ndërkombëtare joqeveritare afro 58% e fëmijëve kanë parë fëmijë të dhunohen fizikisht,
34% e fëmijëve kanë qenë viktima të bullizmit. Shumë vajza në zonat urbane dhe ato rurale, rreth 40% e tyre, kanë rënë pre e bullizmit dhe janë ngacmuar dy herë më shumë se djemtë.
Mbi 56% e fëmijëve mendojnë se strukturat përkatëse duhet të bëjnë më shumë për të eliminuar fenomenin e bullizimit.
Afro 90% e fëmijëve e konsiderojnë shumë të domosdoshëm praninë e psikologut/ punonjësit social në shkollë.
Rreth 94% e fëmijëve mendojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar fëmijët, që ndihen të përjashtuar për shkak të varfërisë, diskriminimit etnik apo aftësisë së kufizuar.
Afro 89% e fëmijëve të anketuar mendojnë se politikëbërësit duhet të dëgjojnë mendimet e fëmijëve për çështje që u përkasin atyre.
Mbi 60% e fëmijëve deklarojnë, se ata nuk kanë patur aspak, ose pak mundësi, për t’u dëgjuar nga politikëbërësit dhe 81% e tyre, do të donin të kishin më shumë akses në vendimmarrje.
Pothuaj 30% e tyre deklarojnë, se nuk kanë mundur të japin në shkollë mendimet e tyre për çështje që iu përkasin.
Rreth 97% e fëmijëve, kanë informacion për të drejtat e fëmijëve; 89% e tyre kanë marrë këtë informacion nga shkolla. Por 39% e fëmijëve nuk dinë, ose janë të pasigurt, se ku mund të drejtohen kur ndihen të dhunuar, ose të trajtuar në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që 10% e fëmijëve nuk ndihen të sigurt në shkollë.
Mbi 25% e djemve në zonat rurale përballen me vështirësi financiare, të cilat i kanë penguar për të marrë pjesë në veprimtari shkollore dhe/ose jashtëshkollore gjatë vitit të fundit.
Pothuajse gjysma e fëmijëve, 49,9% e tyre, ndihen pesimistë për një kohë të gjatë, ndërkohë që vetëm 45% e tyre janë optimistë për gjetjen e një pune pas përfundimit të shkollës.
Këto janë shifra, por realisht gjendja e të drejtave të fëmijëve mbetet e rëndë; ata shfrytëzohen, keqtrajtohen, nënvlerësohen dhe përjashtohen nga shoqëria.
Shqipëria ka miratuar dekadën e fundit një sërë ligjesh, strategji dhe dokumenta të tjera që sigurojnë fëmijët, megjithatë mungon zbatimi i tyre dhe mbrojtja e saktë dhe sistematike e fëmijëve, aq më pak integrimi dhe gjithëpërfshirja e tyre.
Fëmijët që vuajnë në Shqipëri u përkasin kryesisht familjeve me probleme sociale dhe ekonomike, nga zonat rurale apo grupet e përjashtuara nga shoqëria si pakicat rome dhe egjiptiane.
Vetë fëmijët duan që zëri i tyre të dëgjohet. Ja disa mesazhe fëmijësh drejtuar institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi, të realizuara nga “Save the Children”
“Kur më rrahin unë shmangem sepse kam shumë frikë. Shmangem dhe kërkoj një person të më ndihmojë”, është mesazhi kundër dhunës i një djali 11 vjeçar
“Fëmijët nuk duhet të dhunohen sepse ata vriten shpirtërisht dhe mund të kalojnë deri në vetëvrasje”, shprehet një djalë 10 vjeçar
“Dhuna nuk duhet të jetë te fëmijët, sepse nuk është diçka e mire. Askush nuk ka të drejtë të më dhunojë mua, apo njerëzit e tjerë” është mesazhi i një vajze 12 vjeçare
“ Fëmijët nuk duhet të dhunohen sepse ata kështu rriten me trauma. Pas dhunës te fëmija do të kemi një të rritur që është i dhunshëm ose mund të përfundojë edhe prapa hekurave. Ai nuk di si të krijojë një familje dhe nëse e krijon kjo familje nuk do të jetë e lumtur” flet një vajzë 15 vjeçare.
Origjina e Ditës së 1 qershorit
Në fakt 1 qershori e ka origjinën nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara . Dita e fëmijëve u vendos në datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, koincidoi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko, mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas, Festa e 1 qershorit filloi të festohet në të gjithë botën.
Në Shqipëri dhe mbarë botën, kjo ditë u kushtohet fëmijëve, me aktivitete të larmishme. Shumë vende të botës e kanë pranuar atë si festën ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime, të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.
Që prej 1989, shumë qeveri kanë adoptuar Konventën e OKB-së mbi të drejtat e fëmijëve, e cila garanton zbatimin dhe respektimin e të drejtave të barabarta për çdo fëmijë, me qëllim plotësimin e nevojave të tyre për mbijetesë, rritje, pjesëmarrje dhe përmbushjen e potencialit të tyre. Megjithatë, ende miliona fëmijë në botë janë prehë e dhunës, abuzimit dhe diskriminimit, dhe shumë të tjerëve nuk u garantohet shëndeti, ushqimi, streha, shkollimi apo shfrytëzohen duke lypur apo punuar për të tjerë.
Organizatat e Kombeve të Bashkuara, kanë rekomanduar edhe ditë të tjera të cilat lidhen me fëmijët si: Dita Universale e Fëmijëve, e kremtuar më 20 Nëntor, Dita Botërore kundër punës së fëmijëve, e kremtuar në 12 qershor nga ILO, Dita ndërkombëtare kundër përdorimit të fëmijëve si ushtarë, e kremtuar në 12 shkurt nga UNODA, etj, si dhe të tjera ditë të kremtuara nga OJF të ndryshme që marrin në mbrojtje fëmijët.
Eda Merepeza