Situata rrugore në Shqipëri, si pasojë e aksidenteve, paraqitet poblematike. Sipas të dhënave nga Policia Rrugore vetëm 3 muajt e fundit numri i viktimave për shkak të aksidenteve rrugore është 50. Ndërsa vitin e kaluar për shkak të izolimit social, të imponuar nga pandemia Covid 19 numri i aksidenteve rrugore në mbarë vendin u ul ndjeshëm. Ndërkohë fillimi i këtij viti, me lehtësimin e masave shtrënguese anticovid ka shënuar rritjen e aksidenteve rrugore. Sipas drejtuesit të departamentit të Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili, shkeljet e kodit rrugor janë alarmante dhe faktorët janë të ndryshëm.
Drejtori i Sigurisë Rrugore Skënder Ismaili
“Situata është mjaft shqetësuese. Nga njëra anë pandemia dhe nga ana tjetër një sërë viktimash, që vijnë si rezultat i ngjarjeve rrugore që ndodhin në vendin tone. Aksidentet rrugore nuk kanë shkaqe, por janë disa faktorë objektivë dhe subjektivë që ndikojnë në ardhjen e tyre. Nga analiza që u kemi bërë të gjitha ngjarjeve rrugore është arritur në përfundimin se ka ndryshuar shumë sjellja e drejtuesve të mjeteve, që do të thotë se ka më shumë shkelje. Fakti që vetëm në 10 ditë janë konstatuar 14 mijë shkelje është një gjë alarmante”, tha shefi i Sigurisë rrugore Ismaili për Euronews Albania.
Sipas kreut të Sigurisë Rrugore pranë Policisë së Shtetit përgjegjësia kryesore për aksidentet mbetet te drejtuesit e makinave.
“Aksidentet rrugore kanë ardhur si rezultat i gabimeve njerëzore, i veprimeve të nxituara të drejtuesve të mjetit, i parakalimeve të gabuara”
Për të parandaluar shtimin e aksidenteve rrugore dhe për të ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor policia ka shtuar praninë në akset rrugore, si dhe ka marrë masa të shumta në këtë drejtim. Rreth tyre flet Ismaili
“Janë shtuar forcat policore në rrugë, duke përdorur të gjitha llojet e mjeteve, si radarët, apo kontrollin nga ajri me anë të dronëve si dhe një shtim të patrullave të policisë që do të bëjnë të mundur parandalimin e ngjarjeve rrugore",u shpreh Ismaili.
Pasqyra e aksidenteve rrugore (TV Klan)
Policia Rrugore ka si synim të veprimtarisë së saj të ndërgjegjësojë qytetarët për aksidentet rrugore, duke rritur ndëshkimet për shkeljet e rregullave të qarkullimit. Drejtuesi i departamentit të Sigurisë Rrugore në Policinë e Shtetit, Skënder Ismaili bëri të ditur se në zonat më të rrezikshme, policia nuk do të ndalojë më drejtuesit në rrugë për shkelje, por t’ua dërgojë gjobat në shtëpi.
Vitet e fundit në Shqipëri është përmirësuar ndjeshëm sinjalistika rrugore, si pasojë e ndërtimit të autostradave, por dhe rrugëve të tjera në nivel kombëtar. Aksidentet rrugore mbeten një shqetësim, ndonëse krahasuar me një dekade më pare numri i tyre është ulur ndjeshëm për shkak të rritjes së gjobave për rripin e sigurisë dhe alkolin në timon, përmirësimi i rrugëve dhe sinjalistikës rrugore, si dhe kufizimi i aksesit të kalimtarëve dhe çiklistëve në rrugët kombëtare
Nga të dhënat zyrtare të INSTAT-it, rezulton se para një dekade u regjistruan 322 vdekje në vit nga aksidentet rrugore. Ndërsa në vitin 2020 numri i tyre ishte 181, duke shënuar një ulje prej 44%.
Drejtoria e Policisë Rrugore se bashku me aktorët e tjerë, gjatë këtij viti do të përqendrohen në kontrollimin e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve, në kontrollin e rripave të sigurimit, bisedat në telefon, apo edhe kaskat mbrojtëse.
policia-rrugore
Numri mesatar vjetor i viktimave të shkaktuar si rezultat i aksidenteve rrugore për periudhën nga viti 2014 deri në 2020 është 235 viktima. Gjatë kësaj periudhe, viti që ka rezultuar me numrin më të lartë të viktimave është 2015, vit i cili ka shënuar 270 viktima duke u rritur me 2.3% në krahasim me vitin paraardhës. Viti me numrin më të ulët të viktimave është 2020 me 181 viktima, shpjeguar kjo dhe me kufizimet e lëvizjeve për shkak të pandemisë së Covid-19.
Eda Merepeza