Jo vetëm kanë mësuar kërcimet tradicionale shqiptare dhe kanë veshur kostume tradicionale nga e gjithë Shqipëria, por edhe kanë përgatitur një material special për “Javët e Europës 2021”. Janë 21 ditë udhëtim në kulturën shqiptare, atë europiane dhe projektet e BE-së në Shqipëri, organizuar gjatë majit nga Delegacioni i BE-së në Tiranë.
Aktivitete me rastin e Ditëve të Europës
Një udhëtim simbolik, që nisi më 9 maj. Një tur njohës, transmetues dhe emocionues i një përfaqësie diplomatike, që njohu një Shqipëri të bukur dhe mikpritëse dhe inicioi e promovoi njëkohësisht, për qytetarët, aktivitete të vlerave të larta europiane.
Aktiviteti kishte si qëllim kontaktin me qytetarët dhe organizimin e veprimtarive të veçanta, panaireve, koncerteve, filmave dhe debateve mbi BE-në dhe Shqipërinë.
Programi i “Javëve të Europës”, që organizohet çdo vit, kësaj here kishte të bënte me shkëmbimin me komunitetet vendore, përmes një ekspozite lëvizëse rreth BE-së, politikave dhe vlerave të saj, ndihmës së saj financiare për Shqipërinë së bashku me Shtetet Anëtare të BE-së.
Delegacioni i diplomatëve
Temat kryesore u përqendruan te programet “BE për Shkollat”, “BE për Kulturën”, “BE për Inovacionin”, “BE për Bujqësinë” dhe Erasmus+.
Një kombinim i argëtimit shqiptar dhe europian përmes muzikës, netëve të filmave të BE-së, si dhe dokumentarëve mbi trashëgiminë kulturore të Shqipërisë ka shoqëruar autobusin e Delegacionit të BE-së, duke dëshmuar se: Europa është këtu, mes nesh dhe ne jemi pjesë e saj.
Aktivitetet nisën nga Bajram Curri dhe përfunduan në skajin më jugor të Shqipërisë, në Konispol, për të kulmuar në Tiranë, me fjalime përshëndetëse dhe atmosferë festive, në të cilën ambasadorët nuk hezituan që të bëheshin protagonistë. Ata të kapur dorë për dorë, kanë hedhur valle në sheshin “Skënderbej”.
Aktivitete në Korçe
Vallen e mori ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ambasadorja e Suedisë Elsa Hastad, ambasadorja e Holandës Guusje Korthals Altes, si dhe ambasadori gjerman Peter Zingraf, të cilët bashkë me valltarë profesionistë, kërcyen me ritmet e Pogonishtes. Shembull mjaft domethënës që tregon se kultura është ura më e mirë që afron njerëzit dhe vlerat e tyre.
Autobusi me ambasadorë, ose autobusi kulturor, udhëtoi kudo nëpër Shqipëri, duke promovuar projekte të reja, iniciativa dhe artistë të rinj. Ideja ishte që ata të udhëtonin në të gjithë Shqipërinë dhe të mësonin se çfarë duan njerëzit më shumë. Këtë mision e deklaroi vetë Luigi Soreca, para gazetarëve.
“Dëshira jonë ishte që të bënim këtë rrugëtim në të gjithë Shqipërinë, por në veçanti të vizitonim, sa më shumë bashki që të ishte e mundur. Kjo ishte arsye që ne vendosëm të shkonim edhe në disa bashki që janë më të largëtat në Shqipëri, edhe për arsyen se bashkitë do të bëjnë një punë më të rëndësishme pas fillimit të negociatave të Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Do të jenë bashkitë në fakt që do të bëjnë rreth 70 % të gjithë punës që ka të bëjë me vënien në zbatim të legjislacionit të Bashkimit Europian. Ne donim që edhe ju t’ju tregonim se ç‘kemi bërë deri më tash, në dy programe shumë të rëndësishme: Be për Shkollat dhe Be për Kulturën dhe Trashëgiminë Kulturore. Kështu që gjatë kësaj periudhe ne do të vizitojmë punën në shumë shkolla të cilat, ose po ndërtohen nga fillimi, ose po rindërtohen me fondet e BE. E njëjta gjë po ndodh edhe me disa nga sitet më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shqipërisë, të cilat për shkak të dëmeve nga tërmeti, do të restaurohen. Njëra prej tyre, ndoshta ndër më të rëndësishmet në vend është Mozaiku tek Muzeu Kombëtar”, u shpreh Soreca.
Luigi Soreca në Tropojë gjatë Javëve të Europës
Pas tij, fjalën e morën edhe ambasadorët e tjerë të cilët rikonfirmuan mbështetjen e vendeve që ato përfaqësojnë drejt rrugës integruese të Shqipërisë.
Duhet theksuar se gjatë 3 javëve u zhvilluan disa aktivitete mjaft interesante, që kishin si qëllim promovimin e vlerave të kulturës shqiptare.
Ndalesa e parë e “Javëve të Evropës 2021”, ishte Bajram Curri, qyteti më në veri i Shqipërisë. Të gjithë ambasadorët pjesëmarrës që vizituan qytetin shijuan performancën tradicionale të vallëzimit nga të rinjtë e Bajram Currit dhe shfaqjen e filmit francez "Misteri i Henry Pick".
“Ejani të shijojmë së bashku shëtitjet me kajak në Liqen”, ishte slogani i aktivitetit tjetër që u zhvillua në Tiranë. Ishte një ftesë për në Parkun e Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, për një lundrim falas në Liqen, si pjesë e programit të BE-së për Inovacionin.
Ndërkohë një shfaqje e rrallë, plot emocion ishte interpretimi “live” nga ballkoni panoramik i Tamarës, i interpretueses Oda Haliti, një DJ dhe njëkohësisht një producente e talentuar, e cila dhuroi spektakël “live”, të transmetuar përmes rrjeteve sociale, duke pasqyruar gjuhë dhe kulturë të ndryshme europiane.
Javët e Europës
Pjesë e këtij projekti ishte edhe dokumentari rreth historisë urbane të Shkodrës dhe Korçës, i shfaqur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ky është një nga 10 dokumentarët mbi trashëgiminë kulturore shqiptare, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Pjesë e rëndësishme e turit ishte edhe anoncimi i dy restaurimeve të rëndësishme për kulturën, të dy objekteve të rëndësishme kulturore, siç janë: Restaurimi i Teatrit të Kukullave dhe restaurimi i mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar.
Në fakt restaurimi i mozaikut të Muzeut tashmë ka nisur dhe me përfundimin e këtyre punimeve do t’i kthehet gjallëria objekteve dhe vetë qytetit.
Projekti i saponisur “EU4Culture” financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës do të restaurojë edhe shumë objekte të tjera me rëndësi.
“Javët e Europës” është një aktivitet që u zhvillua nga përfaqësuesit e BE-së në Shqipëri me rastin e 9 Majit që cilësohet si dita e Europës, ku u shënua fitorja përfundimtare mbi fashizmin dhe përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.
Neritana Kraja