Kina po përshpejton vaksinimin e banorëve kundër COVID-19 për të realizuar objektivin e vaksinimit të 80 për qind të popullsisë brenda fundit të vitit. Deri më 16 maj, numri i dozave të vaksinave të bëra në Kinë i kaloi 400 milionët, vetëm nëntë ditë pas shënimit të rekordit 300 milionë. Më 20 maj, kjo shifër i kaloi 450 milionët.
Që nga 24 marsi, Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës filloi të përditësojë në uebsajtin e vet zyrtar informacionet më të fundit për numrin e dozave të bëra në mbarë vendin. Sipas të dhënave statistikore, u deshën 17 ditë që numri i injektimeve të arrinte nga 200 milionë në 300 milionë, kurse nga 100 milionë në 200 milionë 26 ditë.
Përshpejtimi i vaksinimit ka të bëjë pjesërisht me raportimin e infektimeve me burim të brendshëm në provincat Anhui dhe Liaoning, që gjenden përkatësisht në lindje dhe verilindje të Kinës, ku u regjistruan 16 raste ditët e fundit.
Megjithëse analiza e renditjes gjenetike nga qendra e kontrollit dhe e parandalimit të sëmundjeve e provincës Anhui tregoi se shtamet e virusit të rasteve të raportuara aty nuk burojnë nga variantet shumë infektuese të gjetura në Indi dhe Afrikën e Jugut, përsëri banorët nxituan për të bërë vaksinimin.
Në pikat e vaksinimit në qytetin Hefei, kryeqendër e provincës Anhui, u krijuan radhë të gjata qytetarësh. Vetëm më 14 maj në Hefei u injektuan mbi 36.4 mijë doza, duke e çuar numrin e përgjithshëm në këtë qytet në më shumë se 2.6 milionë. Më shumë se 7100 punonjës mjekësorë po merren me vaksinimin dhe trajtimin kundër COVID-19, për të garantuar një vaksinim ditor prej 300 mijë dozash.
Ndërkohë në qytetin Shenyang, kryeqendër e Liaoning-ut, një tjetër provincë ku u raportuan infektime të reja me burim të brendshëm, janë krijuar më shumë se 300 pika për të injektuar mbi 200 mijë doza vaksinash në ditë.
Që nga 12 maji, në Shenyang janë bërë mbi 100 mijë doza vaksinash në ditë. Një autobus vaksinimi është vënë në funksionim në qendër të qytetit, ku mund të vaksinohen tre veta në të njëjtën kohë. Kalimtarët mund të bëjnë shpejt vaksinën pasi të regjistrohen me celular dhe të paraqesin kartën e identitetit.
Valët e reja të përhapjes së virusit në disa krahina dhe situata e rëndë në vendet fqinje, si India etj., e kanë nxitur më tej qeverinë kineze për “ndërtimin” sa më parë të një “muri imuniteti” kundër COVID-19 me anë të vaksinimit të 80 % të popullsisë. Sipas z. Shao Yiming, ekspert mjekësor nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve e Kinës, asnjë pacient i raportuar ditët e fundit në dy provincat nuk e kishte bërë vaksinën. “Megjithatë, kjo nuk do të thotë se vaksina mund t’ju garantojë të mos infektoheni. Efektet e vaksinës kategorizohen në tre nivele, që përkatësisht janë: mosinfektimi (i vetë të vaksinuarit), simptomat e lehta pas infektimit dhe mospërhapja e virusit te të tjerët pas infektimit. Të vaksinuarit, nëse infektohen, mbartin një sasi të ulët virusi, gjë që favorizon lehtësimin e simptomave, pa rrezikuar jetën. Prandaj, vaksinimi është një metodë e domosdoshme për të frenuar virusin dhe të ulur pasojat e infektimit”, shpjegoi eksperti rëndësinë e vaksinimit.
Lidhur me pyetjen nëse ndryshimi i varianteve të virusit mund të ndikojë në efektin e vaksinave të tanishme, z. Shao deklaroi në një konferencë shtypi se rezultatet fillestare të studimeve dëshmojnë se vaksinat aktuale janë në gjendje të përballojnë variantet e reja të gjetura në Indi.
“Gjatë përhapjes së vazhdueshme, mund të ketë më shumë mutacione. Nëse shfaqen variante jashtë aftësisë së vaksinave tona të tanishme, mund të reagojmë shumë shpejt për t’i përballuar. Vetëm nëse fusim variante të reja në fazën fillestare të prodhimit, mund të zotërojmë vaksina të reja kundër tyre, pa ndryshuar asnjë proces të prodhimit. I gjithë sektori shëndetësor i vendit po e ndjek me vëmendje situatën dhe, nëse ndodh një gjë e tillë, do të veprojmë menjëherë”, shtoi Shao.
Ndërkohë, e para vaksinë kineze me një dozë ka filluar të përdoret në Kinë për të ngritur shpejt përqindjen e vaksinimit.
Vaksina, e miratuar nga Administrata Kombëtare e Produkteve Mjekësore e Kinës në shkurt të këtij viti, u krijua nga një ekip kërkimor i Akademisë së Shkencave Ushtarake dhe "CanSino Biologics", një kompani biofarmaceutike kineze e teknologjisë së lartë.
Shangai tashmë ka filluar ta përdorë këtë vaksinë me një dozë të vetme që prej 13 majit.
Prodhuesit kinezë të vaksinave të COVID-19 "Sinovac", "Sinopharm" dhe "CanSino" kanë paraqitur aplikime për t'iu bashkuar COVAX-it, një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) që synon të sigurojë që çdo vend të ketë qasje të barabartë në vaksinat. OBSh-ja njoftoi miratimin e vaksinës së "Sinopharm"-it për Listën e Përdorimit Emergjent në 8 maj, duke e bërë atë vaksinën e gjashtë që ka marrë vlerësimin e OBSh-së për sigurinë, efikasitetin dhe cilësinë.
"CanSino" ka propozuar ta furnizojë COVAX-in me "dhjetëra milionë doza" të vaksinës së saj. Oferta për COVAX-in është çmimi më i ulët që "CanSino" përdor në tregje. Çmimi për vendet e pasura është rreth tre herë më i lartë.
Deri tani, jashtë Kinës, vaksina e "CanSino" është miratuar në Pakistan, Hungari dhe Meksikë. Bazuar në rezultatet e provave klinike e të përdorimit emergjent dhe pas përdorimit të përgjithshëm, të gjitha vaksinat që kanë marrë miratimin e kushtëzuar të tregut kanë treguar një nivel të mirë sigurie. Të dhënat tregojnë se koha e mbrojtjes prej vaksinës së "CanSino"-s mund të arrijë të paktën 6 muaj. Më parë, vëzhgimet mbi qëndrueshmërinë e vaksinës së ebolës duke përdorur të njëjtën teknologji, treguan se ajo ende krijonte mbrojtje të mjaftueshme edhe pas dy vjetësh nga përdorimi.(Foto:VCG)(Zhang Yan/Artan)