Pas përpjekjeve prej më shumë se një dekade, tani Kina është vendi nr.1 në botë për sa i përket gjatësisë së hekurudhave për trenat me shpejtësi prej të paktën 250 kilometrash në orë. Deri në fund të vitit të kaluar, 38 mijë kilometra hekurudha të shpejtësisë të lartë në Kinë zunë mbi 60 % të gjatësisë së përgjithshme të këtij tipi hekurudhash në mbarë botën. Ndërkohë, sipas planifikimit të Kompanisë Shtetërore të Hekurudhave, gjatësia e hekurudhave të shpejtësisë të lartë në Kinë pritet të arrijë në rreth 70 mijë kilometra, duke lidhur të gjitha qytetet me popullsi mbi 500 mijë.

Shumë të huaj që vijnë në Kinë mahniten për këtë shpejtësi të Kinës në zhvillim dhe vlerësojnë komoditetin e trenave të shpejtë. Por të rrallë janë ata që e dinë se, me gjithë zhvillimin e madh të trenave të shpejtë, në Kinë mbeten edhe 81 trena “të ngadaltë”, që udhëtojnë 100-120 kilometra në orë, duke ndaluar në çdo stacion të vogël përgjatë itinerarit të shkurtër, ndërsa çmimi i biletave të tyre ka mbetur i pandryshuar për më shumë se 30 vjet.

Në sytë e disa udhëtarëve, këta trena “të ngadaltë” janë dëshmi e kohës së vjetër, pra të pazhvilluar. Po pse nuk nxirren nga qarkullimi?

Trenat e “ngadaltë” janë ata që udhëtojnë nëpër zonat e largëta malore ose disa krahina të goditura nga varfëria në Kinë. Vagonët e tyre janë të pajisur vetëm me ndenjëse e nuk kanë shtretër, dhe ata ndalojnë në çdo fshat ku kalojnë, sado i vogël qoftë. Çmimi më i ulët është 1 juan (16 lekë), kurse një udhëtim gati 400 kilometra kushton vetëm 24 juanë (385 lekë).

Për shkak të kushteve të pafavorshme gjeografike, banorët që jetojnë në këto zona nuk janë në gjendje të përballojnë biletat e shtrenjta të trenave të shpejtë, pa përmendur që trenat janë për ta edhe një mjet i rëndësishëm transporti për të shitur produktet bujqësore karakteristike jashtë vendlindjes. Prandaj, qeveria jep subvencione të shumta çdo vit për t’i ruajtur këta trena, në mënyrë që të ndihmojë banorët të dalin nga varfëria.

Treni 5633/4, që kalon nëpër provincat Sichuan dhe Yunnan, është një shembull tipik, nga i cili mund të kuptojmë rolin e rëndësishëm të këtyre trenave të posaçëm në jetën e banorëve vendorë. Kur kalon në zona ku janë të përqendruara disa pakica kombëtare, ky tren ndalon mesatarisht një herë në 13.5 kilometra. Çmimi minimal është 2 juanë (32 lekë) dhe maksimal 25.5 juanë (400 lekë). Mbase më mirë është ta quajmë “autobus mbi shina” sesa “tren”.

Wenggumuqie jeton në kontenë Xide të prefekturës Liangshan, një zonë autonome e pakicës kombëtare Yi. Ai hipi në trenin 5633/4 nga stacioni Yuehua për të çuar në shtëpi një dash. Wenggumuqie e bleu këtë dash race për të përmirësuar gjendjen ekonomike të familjes nëpërmjet mbarështimit të dhenve. Transportimi i një dashi të tillë me kamion do të harxhonte qindra juanë, kurse me tren vetëm dhjetë juanë.

Në këtë tren të ngadaltë nuk kishte vetëm dhen, por edhe pata, zogj pule në kuti, madje edhe derra.

Nga stacioni Mianning, erdhën Jiyueligemo dhe disa shokë e shoqe të saj duke mbajtur në krahë më se dhjetë thasë të mëdhenj të mbushur me makarona të çastit, speca, shalqi etj. Jiyueligemo ka një dyqan të vogël në vendlindje, një qytezë në kontenë Xide. Ajo përdor një herë në disa ditë trenin e ngadaltë për të blerë mallra me shumicë nga konteja Mianning. Kur shkon atje, bileta është 2 juanë, kurse gjatë kthimit, harxhon 5 juanë të tjerë për mallrat. Pra, gjithë udhëtimi vajtje-ardhje, kushton vetëm 7 juanë (112 lekë), që mbulon edhe transportin e kaq shumë mallrave.

Treni 5633/4 kalon mjaft zona në thellësi të maleve, ku nuk ka rrugë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e banorëve vendorë. Prandaj ata e përdorin trenin për të transportuar shpendë shtëpiakë, perime, drithëra dhe produkte të tjera bujqësore, për t’i tregtuar jashtë maleve. Jo vetëm kaq, po edhe shumë nxënës e konsiderojnë trenin si “autobus” të leverdishëm, sepse ndalon te shkollat me kushte më të mira në konte.

Haixun-i është nxënës në vitin e fundit të shkollës tetëvjeçare me konvikt “Wa’er” të kontesë Xide. 5633/5634 është “treni i shkollës” i tij dhe i shokëve, që kthehen një herë në dy javë në shtëpitë e tyre që ndodhen larg. Një udhëtim me tren kushton 5 juanë, kurse me furgon 26 juanë. Çdo fundjavë ka rreth 6 000 nxënës që përdorin këtë tren të ngadaltë për t’u kthyer në vendlindje.

Në prag të Vitit të Ri të kombësisë yi, treni madje pret edhe shumë nuse, që vijnë bashkë me familjarët dhe, pas disa stacioneve, takohen me dhëndrin e krushqit që i presin në stacion.

Sipas të dhënave statistikore, tani ende funksionojnë 81 trena “të ngadaltë” në Kinë me 530 ndalesa. Ata mbulojnë 104 konte e qyteza të varfra në 21 njësi administrative në rang province të mbarë vendit dhe 35 zona ku gjenden të përqendruara pakicat kombëtare. Pavarësisht se trenat nuk janë të shpejtë e të ardhurat janë të pakrahasueshme me ato të shumicës së trenave ekspres, shërbimet në ta janë në përmirësim të pandërprerë. Cilësia e pajisjeve të brendshme dhe masat e garantimit të sigurisë janë përmirësuar dukshëm. Një veçori e dukshme është se trenat ekspres gjithmonë nisen në orar fiks, kurse “të ngadaltit” presin derisa hipin të gjithë udhëtarët dhe ngarkohen të gjitha mallrat. Për çdo udhëtar që ushqen shpresën për një jetë më të mirë, çdo udhëtim është pikënisje e realizimit të kësaj ëndrre.(Foto:VCG)(Zhang Yan/Artan)