“Jam nga fshati. Shumë banorë në vendlindjen time ishin në vështirësi ekonomike. Ndieja se kisha përgjegjësi t’i ndihmoja”, thotë Jing Qi, që ka gradën "master" në telekomunikacion, për vendimin e lënies para shtatë vjetësh të punës së mirë në qytet dhe të kthimit në fshat për pasurimin e banorëve vendorë.

Në vitin 2001, pasi mbaroi studimet në degën e automatizimit të Universitetit të Hunanit, Jing Qi filloi karrierën e tij 14-vjeçare në një kompani të njohur të telekomunikacionit në Pekin. Në sytë e shumë njerëzve, ai ishte i suksesshëm dhe me një perspektivë edhe më të mirë në kompani, pasi mori një gradë "master" në inxhinierinë e telekomunikacionit në Universitetin Tsinghua, një ndër shkollat e larta më të mira të Kinës. Por, në vitin 2014, ai mori një vendim të papritur: të kthehej në vendlindjen e varfër për ta zhvilluar atë.

“Kisha një punë të mirëpaguar, një shtëpi komode dhe një familje të lumtur në Pekin. Por, sa herë kthehesha në vendlindje me rastin e Festës së Pranverës (Vitit të Ri Kinez), vija re se shumë familje aty ende kishin vështirësi ekonomike. Të kufizuar prej koncepteve dhe metodave të prapambetura, fshatarët nuk mund të siguronin të ardhura të mira. Ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë po i kushtonin më shumë rëndësi sigurisë ushqimore dhe ishin në gjendje të përballonin çmime të larta për produkte bujqësore organike. Prandaj, më lindi ideja që t'i ndihmoja fshatarët të zhvillonin bujqësinë për produkte të tilla”, shpjegon Jing Qi.

Kjo nismë i tronditi të gjithë familjarët. “Shpreha kundërshtim të fortë. Jing Qi kishte një jetë aq të mirë në kryeqytet. Pse donte të kthehej përsëri në fshatin e varfër?”, shprehet vëllai i madh i tij Jing Weixin. Edhe prindërit e tyre ishin kundër kësaj ideje. Por, pasi mësuan se bashkëshortja e Jing Qi-së kishte dhënë "dritën jeshile", ata ranë dakord, ndonëse me mëdyshje.

Me pasion dhe me ndihmën e familjes, Jing Qi u kthye në fshat duke bërë 3 milionë juanë investime të mbledhura nga miqtë. Pas shumë kërkimeve, duke marrë parasysh faktorë si kushtet mjedisore, planifikimi qeveritar, pronësia e tokës, dëshira e banorëve etj., ai gjeti një tokë të sheshtë me burime të pasura dhe të pastra ujore për ndërtimin e fermës.

Brenda një viti, pasi u ndërtuan rruga, u sigurua furnizimi me energji elektrike, u bë gërmimi i puseve, u ngritën serrat dhe ahuret, Jing Qi bleu mbi 100 dele e afro 300 pula fshati dhe mbolli disa hektarë bimë ekonomike, duke nisur kështu punën e re.

Mirëpo pikërisht në këtë vit, fshati pësoi një thatësirë të paparë, si pasojë e së cilës kikirikët nuk prodhuan dhe kërcejt e tyre u bënë silazh për bagëtinë në dimër. Më vonë, për shkak të mungesës së përvojës, vetëm më pak se 30 % e zogjve të pulës mbijetuan dhe shumë dele ngordhën, sepse nuk mund të ambientoheshin me klimën vendore. Jo vetëm kaq, po në majin e vitit të ardhshëm, një stuhi rrallëherë e parë në historinë e fshatit, i fluturoi çatitë e ahureve qindra metra larg, duke shkaktuar mbi 300 mijë juanë humbje. “Ishte një natë me erë jashtëzakonisht të fortë. Kur hapa derën, u befasova nga kokrrat shumë të mëdha të breshrit. Gjëja më e keqe ishte kur zbulova se ahuret ishin prishur dhe kishin mbetur vetëm një pjesë e deleve”, rrëfeu Jing Qi për kohën më të vështirë në nisjes së karrierës bujqësore.

Megjithatë, këto goditje nuk e lëkundën vullnetin e Jing Qi-së. Ai vizitoi ekspertë e ferma të suksesshme mbarështimi dhe bëri përparim nëpërmjet mësimit. Më në fund, rritja e deleve dhe e pulave hyri në rrugën e mbarë.

“Banorët e fshatit guxonin të provonin punë të reja vetëm pasi të shikonin se ti kishe sukses në to”, rrëfen Jing Qi. Me të parë suksesin e tij, disa banorë të inkurajuar filluan ta ndiqnin. Jing Qi bleu zogj pule cilësorë dhe i dhanë fshatarëve. Për të shmangur përdorimin e antibiotikëve në rast të rënies së sëmundjes, ai pyeti mjekët tradicionalë, duke përzier disa barëra mjekësore në ushqimin e pulave për të ngritur përqindjen e mbijetimit të zogjve. Tani banorët vendorë rrisin çdo vit mbi 2 000 pula fshati, të cilat Jing Qi i blen kolektivisht me një çmim të mirë, duke shtuar të ardhurat e fshatarëve pjesëmarrës.

Tani në fermën e Jing Qi-së, jashtëqitjet e deleve grumbullohen dhe përdoren si pleh organik për pemët frutore dhe rritjen e krimbave të tokës, që shërbejnë si ushqim për pulat. Një zinxhir i plotë për prodhimet organike është krijuar, duke realizuar shkarkim zero të mbeturinave.

Për shitjen Jing Qi shfrytëzon plotësisht epërsitë e tij profesionale. Ai hapi një dyqan në internet, ku transmetohen drejtpërdrejt pamje të fermës, duke bërë që blerësit e mundshëm të shohin me sytë e tyre mjedisin natyror të rritjes së deleve, pulave dhe të frutave. Përveç kësaj, ai i ndihmon edhe banorët e varfër të shesin në dyqanin e tij produkte si mjalti, bimët mjekësore etj.

Që nga viti 2016, Jing Qi nisi ta zgjerojë sferën e biznesit, duke krijuar një model që përbëhet nga “kompania, baza dhe familjet fshatare”. Ai krijoi baza prodhimi në disa fshatra të afërta, duke i ndihmuar familjet me vështirësi ekonomike të rrisin dele dhe pula. Kurse kompania përgjigjet për trajnimin e fermerëve, shitjet dhe çështje të tjera. Nëpërmjet kësaj metode, mijëra banorë në kontenë e tij i kanë dhënë lamtumirën varfërisë.(Zhang Yan)(Foto:VCG)