Çaste votimi (ATSH)
Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, vlen të theksohet se pavarësisht “luftës së deklaratave” gjatë fushatës njëmujore zgjedhore, ato u zhvilluan të qeta dhe me një pjesëmarrje të lavdërueshme. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja e përgjithshme paraprake ishte mbi 48%.
3.588.869 zgjedhës, në 12 qarqe të vendit ushtruan të drejtën e votës për të rinovuar Parlamentin e Shqipërisë, që do të ketë 140 deputetë.
Në garë ishin 17 subjekte zgjedhore, me 1841 kandidatë, ndër të cilët 732 femra.
Sipas autoriteteve sfida pas procesit të votimit ashtu siç ishte parashikuar do të jetë dalja e rezultateve paraprake pas 48 orësh nga nisja e numërimit të votave. Liderët politikë të të gjitha kaheve pas votimit u bënë thirrje qytetarëve ta presin me qetësi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri thirrje që asnjë votë të mos tjetërsohet në procesin e numërimit, duke u kërkuar qytetarëve që të ruhet qetësia deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.
Kryeministri Edi Rama falënderoi votuesit për besimin dhe bëri thirrje që të numërohet deri në votën e fundit.
Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se vullneti i popullit është në kuti dhe kërkoi që të vazhdohet puna për numërimit të votave, sipas ligjit dhe me seriozitet.
Për herë të parë në Shqipëri në këto zgjedhje parlamentare u eksperimentua votimi elektronik në Njësinë 10 në Tiranë, ku fituese doli Partia Socialiste.
Komisioneri i KQZ-së Ilirjan Celibashi, në një komunikim për mediet, tha se sistemi elektronik i votimit i aplikuar është 100% i sigurt, në ruajtjen e integritetit dhe fshehtësisë së votës.
Numërimi i votave (Top Channel)
Sipas tij, duke qenë se sistemi u vu në përdorim për herë të parë, rezultati pati pak vonesa, por gjithësi u bë në kohë rekord, duke treguar të mirat dhe lehtësirat e teknologjisë. Kryekomisioneri Celibashi bëri thirrje që partitë të merrnin masa për të vijuar procesin e numërimit të votave pa e ndalur atë.
“Ka disa probleme të raportuara në disa KZAZ. Janë sporadike si raste, megjithatë meritojnë të kenë vëmendjen e partive dhe lidershipit përkatës, në rastet që numëruesit lodhen është mospërmbushje e vullnetit të rezultatin. KQZ ka marrë masa që të trajnohen anëtarët e ri të grupit të numërimit. Skemat me komisionerë të lodhur duhet të marrin fund”, -tha Celibashi.
Ndërsa ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, pas një vizite në një qendër votimi në kryeqytet, ku vëzhgoi procesin e numërimi të votave u shpreh se “Zgjedhësit shqiptarë e thanë fjalën e tyre, pavarësisht pandemisë, ka pasur një pjesëmarrje të lartë, kjo është një tregues i mirë i jetës demokratike në Shqipëri”. Duke u ndalur te votimi elektronik i eksperimentuar për here të pare në Shqipëri gjatë këtyre zgjedhjeve ai tha se kjo formë mund të implementohet më gjerë në të ardhmen.
Ekspertët e OSBE/ODIHR-it dolën në një konferencë shtypi, për të paraqitur raportin paraprak në lidhje me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Përfaqësuesit e cilësuan në përgjithësi një proces të suksesshëm, një ditë zgjedhjesh transparente dhe uruan qytetarët për sjelljen e mrekullueshme.
Sipas raportit, pati disa qendra votimi me disa probleme, probleme me votimin e personave me aftësi të kufizuara, pati mbipopullim në disa qendra dhe nuk janë respektuar masat anti-Covid.
Në raport u theksua se shitblerja e votave mbetet një problem serioz, duke ndikuar negativisht te besimi i publikut. Por, u tha se dita e zgjedhjeve ishte shumë më e qetë se gjatë fushatës.
Nuk u la pa përmendur as përdorimi për herë të parë i votimit elektronik, duke uruar që teknologjia të përdoret më shumë në të ardhmen, pasi sistemet elektronike ulin mundësinë për votim familjar.
Ekspertët e OSBE/ODIHR-it thanë se do të vazhdojnë të monitorojmë procesin dhe u bënë thirrje palëve që gjithçka të bëhet në interes të shqiptarëve.
Shqipëria votime (TV Klan)
Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri u pasqyruan gjerësisht në medien ndërkombëtare. Agjencia kineze e lajmeve “Xinhua” shkruan se “Procesi i votimit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë pasi vendi i Ballkanit kërkon të nisë negociatat e anëtarësimit të plotë me BE më vonë këtë vit. Mbi 23,000 shqiptarë aktualisht pozitivë me COVID-19 janë të ndaluar të votojnë për shkak të kërkesave të izolimit”
Agjencia italiane e lajmeve “ANSA” i kushtoi vëmendje përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të fituar mandatin e tretë, si dhe emigrantëve, që përbëjnë 30% të fuqisë elektorale, por që nuk gëzojnë të drejtën e votës.
Ndërkohë, “Al Jazeera” e nisi artikulli e saj për zgjedhjet me titullin “Shqipëria shkon në zgjedhje pas një fushate elektorale të zjarrtë”. Agjencia e lajmeve “Reuters” shkroi për një betejë “kokë më kokë” mes Partisë Socialiste dhe opozitës, në një nga vendet më të varfra të Evropës, i gërryer nga korrupsioni. Ndërsa “DW” foli për një Shqipëri politikisht të përçarë, ku beteja elektorale do të vijojë deri në numërimin e votës së fundit. “DW” nënvizoi edhe numrin e lartë të vëzhguesve të OSBE-së.
Nga mediat amerikane, “Associated Press” foli për zgjedhje në kohë pandemie, akuzash për korrupsion nga opozita dhe për rivalitetin e ashpër mes dy partive kryesore politike. Agjencia e lajmeve i kushtoi gjithashtu vëmendje votimit të pjesshëm elektronik dhe po ashtu depolitizimit të pjesshëm të komisionit elektoral.
Eda Merepeza