Një nga sfidat e pandemisë Covid 19 është dhe sektori i punësimit. Në shumë vende të botës punonjës të sektorit publik dhe privat po e kryejnë veprimtarinë e tyre nga shtëpia, ose e quajtur ndryshe “smart working”. Edhe para pandemisë praktika e të punuarit nga shtëpia ka qenë e përhapur në vendet e zhvilluara, por për Shqipërinë kjo nisi të praktikohet në kohën e pandemisë. Pas marsit të vitit të kaluar administrata shtetërore kaloi një pjesë të madhe të punonjësve në punë nga shtëpia. Kjo nisi me një udhëzim të Departamentit të Administratës Publike drejtuar të gjithë institucioneve, që të përgatisin listat e nëpunësve që do të kryejnë detyrat e tyre “online”.
Administrata publike
Në këtë udhëzim përcaktohet se numri i punonjësve në shtëpi varet nga sipërfaqja e institucionit, për të garantuar largësinë fizike prej 2 metrash. Për punën nga shtëpia, çdo punonjës duhet të pajisjet me mjetet e nevojshme si kamera, kufje, mikrofonë, apo edhe kompjutera në pronësi të institucionit.
Nëpunësit e caktuar për “smart working” aksesojnë edhe nëpërmjet telefonit e-mailet e tyre zyrtare dhe dokumentet “online”. Veprimtaria e tyre monitorohet nga eprorët, duke zhvilluar rregullisht edhe videokonferenca. Ndërsa për punonjësit që vazhdojnë të punojnë në zyra, kërkohet zbatimi rigoroz i masave shëndetësore dhe minimizimi i kontaktit me qytetarët, duke ofruar një pjesë të shërbimeve publike “online”.
Plani i administratës përcakton edhe mundësinë për ndryshime orari për prindërit, në varësi të orarit të mësimit të fëmijëve të tyre, gjithmonë duke respektuar 40-orëshin në javë.
Në Shqipëri puna nga shtëpia për administratën u zbatua në mars dhe më pas sërish në maj. Gjatë periudhës së fundit, një pjesë e madhe e administratës që nuk ka punë fizike ka kaluar në “punë nga shtëpia”, në disa raste deri në 70% të institucioneve.
Të rinjtë dhe “puna nga shtëpia”
Puna nga shtëpia
Puna nga shtëpia në Shqipëri njihet edhe si “puna e të rinjve”, pasi shumica prej tyre duke qenë pjesë e kompanive “call center” zgjedhin të punojnë nga shtëpia. Por ka dhe profesione që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe punën e kryejnë nga shtëpia. Shumë prej tyre krijojnë portale informative, faqe shitjesh dhe blogje, duke siguruar një numër të madh klientësh dhe për rrjedhojë dhe të ardhurash.
Ky proces është tepër komod dhe shërben si pikënisje për të realizuar të ardhura si dhe për të nisur një profesion të ri, kryesisht nga të rinjtë.
Sipas sociologëve dukuria e “punës nga shtëpia” pritet të rritet në Shqipëri, sepse kërkesat për punë që kanë të bëjnë me aftësinë profesionale dhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht të punosh nga zyra, janë në rritje.
Përveç arsimtarëve, që në varësi të situatës pandemike në vend vitin akademik 2020-2021 kanë ushtruar shpesh here “smart working”, ka dhe profesione të tjera që tashmë punojnë rregullisht nga shtëpia. Teknologjia ka mundësuar krijimin e faqeve online të ofrimit të shërbimeve, promocioneve, por dhe shitjeve. Një pjesë e madhe e stilistëve të veshjeve në Shqipëri ofrojnë shërbimet e tyre nga atelietë, ndërsa ata më pak të njohurit nga shtëpia.
Shumë të rinj shqiptarë e kanë nisur përvojën e “punës nga shtëpia” vetëm ose me ndonjë shok dhe pas krijimit të një baze të ardhurash të mjaftueshme kanë zgjeruar stafin.
Bizneset e boshatisura
Punësimi nga shtëpia është një përvojë me përfitim të dyfishtë si për të punësuarin ashtu dhe për punëdhënësin. Punonjësve u shmang një sërë vështirësish si transportin, strehimin pranë vendit të punës, fleksibilitetin e orarit të punës. Nga ana tjetër kompanive u ul kostot e shpenzimeve për zyra dhe investimet në to.
Ndërkohë një anë pozitive e “të punuarit nga shtëpia” është dhe globalizimi i tregut të punës. Të rinj të talentuar në sektorë të ndryshëm mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga Shqipëria për kompani të huaja. Kjo formë e të punuarit pritet të ndikojë dhe në uljen e emigrimit të rinjve shqiptarë.
Të rinjtë shqiptarë në periudhën para pandemisë janë përballur me një treg të vështirë punësimi. Në përhapjen masive të “punës nga shtëpia” një pjesë e tyre me arsimim por dhe talent në teknologjinë e informacionit, modë, gazetari dhe fusha të tjera po vetëpunësohet. Kjo konsiderohet padyshim si një anë pozitive e “punës nga shtëpia”.
Studime të ndryshme botërore të dukurisë së “punës nga shtëpia” tregojnë se ajo do të jetë një trend i qëndrueshëm për shumicën e bizneseve. Puna nga shtëpia ka qenë një nga pasojat më të prekshme të koronavirusit në ekonomi. Ndërsa nëse do të parashikojmë të ardhmen e saj mjafton të kujtojmë se shefi i Zoom-it, Eric Yuan, biznesi i të cilit ka arritur rekorde fitimi gjatë pandemisë, ka deklaruar se “puna nga shtëpia” është këtu për të mbetur.
Eda Merepeza