Muaji prill pritet ta gjejë Shqipërinë me një aeroport të ri ndërkombëtar. Bëhet fjalë për Aeroportin e Kukësit ku punimet janë drejt fundit duke respektuar vënien e kësaj vepre të rëndësishme në afatin e premtuar. Është punuar për shtimin dhe zgjerimin e pistës si dhe ndërtimin e godinave të nevojshme, të cilat do të jenë pjesë e funksionimit të këtij aeroporti, e ndërkohë paralelisht kanë nisur procedurat edhe për licensimin e tij.
Nga puna për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit
Pista aktuale e këtij aeroporti është shtuar me 300 metra, për të arritur në total një gjatësi prej 2.2 kilometrash, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë.
Ditët e fundit në pistën e re të Aeroportit të Kukësit u krye testimi i një avioni. E pranishme në këtë testim ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga presidenti i kompanisë koncensionare Besnik Bami dhe drejtori i aeroportit Altin Progonati vlerësuan punën e bërë deri tani.
“Sot jemi në Aeroportin e Kukësit vetëm një muaj nga fillimi i operimeve, pra nga fluturimi i pare, ashtu siç ka premtuar kryeministri Rama. Punët këtu kanë patur një ecuri shumë të shpejtë, por nga ana tjetër sot është një ditë e veçantë sepse do të kemi një fluturim prove nga Aeroporti i Kukësit”, tha ministrja Balluku.
Aeroporti i Kukësit është në fazën e certifikimit dhe fluturimet do të nisin në muajin prill.
Ministrja Balluku informoi se pas pak ditësh do të shpallet edhe kompania fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.
“Pas pak ditësh ne do të kemi dhe rezultatet nga gara për Aeroportin e Vlorës dhe do t’i jepet start negocimit të kontratës, duke nisur kështu procedure për aeroportin e tretë në territorin e Republikës së Shqipërisë”, bëri të ditur Balluku.
Ministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të Aeroportit të Kukësit
Nga pista e sapotestuar e Aeroportit të Kukësit ministrja Balluku premtoi se në 4 vjeçarin e ardhshëm qeverisës të socialistëve Shqipërisë do t’i shtohen dhe 3 aeroporte të tjerë.
“Brenda 4 vjeçarit të ardhshëm ne parashikojmë që të nisim edhe dy aeroporte të tjera, të cilat janë aeroporte ndërkombëtare, por më të vogla, që do të akomodojnë vetëm nevojat turistike. Është aeroporti i Sarandës dhe ai i Korçës, duke përmbyllur kështu një strategji me pesë aeroporte në territorin e Shqipërisë, të ndara në mënyrë të barazvlefshme përsa i përket Veriut, Qendrës, Jugut dhe Lindjes” premtoi ministrja Balluku.
Aeroporti i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Punimet për këtë aeroport kanë filluar më 10 maj 2003 dhe kanë përfunduar më 31 tetor 2005.
Në vitin 2006 janë kryer punimet për instalimin e pajisjeve të navigacionit, si dhe është bërë kalibrimi dhe pranimi i tyre.
I gjithë financimi i aeroportit është dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me përjashtim të shpenzimeve për shpronësimin e pronarëve të tokave të zëna nga aeroporti, të cilat u përballuan nga qeveria shqiptare.
Shuma e përgjithshme e investimit (ndërtimit dhe supervizionit) ka qenë afro 20 milionë dollarë, pa përfshirë pajisjet e navigacionit, të cilat nuk kanë qenë në marrëveshjen fillestare, por që më pas u financuan edhe ato nga qeveria e Emirateve të Bashkuara.
Ndërkohë në vitin 2019 nisën punimet për terminalin e pasagjerëve.
Projekti i Aeroportit të Kukësit
Aeroporti i Kukësit do të mundësojë fluturime me kosto të ulët, ndërsa do të sjellë një erë të re zhvillimi për të gjithë zonën. Ai shihet edhe si një gjenerator i mijëra vendeve të reja të punës që do të hapen vit pas viti, si rezultat i zhvillimit të biznesit dhe ekonomisë lokale. Aeroporti i Kukësit do të ketë të punësuar si pjesë të stafit të tij afro 200 punonjës, ndërsa terminali i pasagjerëve, i cili është duke u ndërtuar, do të jetë me dy kate, ku do të jenë të stacionuar edhe zyrat shtetërore. Për këtë aeroport do të përdoret një teknologji satelitore e siguruar nga Shërbimi Europian i Navigimit nëpërmjet satelitit.
Pasagjerët e parë do të ulen në aeroportin e Kukësit, në verilindje të vendit, në pranverën e këtij viti. Kategoria e tij është 3C, për akomodimin e avionëve turboprop dhe avionëve me turbina rajonalë. Kapaciteti i projektuar është rreth 1 milion pasagjerë në vit.
Eda Merepeza