Kina përcaktoi një objektiv relativisht modest të rritjes ekonomike për vitin 2021, ndërsa ekonomia e dytë për nga madhësia në botë po përjeton ndryshim thelbësor me kalimin e fokusit të zhvillimit nga sasia në cilësi.
“Objektivi i rritjes mbi 6 % do të na sigurojë të përqendrojmë forcat te nxitja e reformës, risive dhe zhvillimit me cilësi të lartë”, tha kryeministri kinez Li Keqiang në raportin e punës të mbajtur ditët e fundit në sesionin vjetor legjislativ.
Objektivi është më i ulët se ai i parashikuar nga analistët prej 8 % sivjet, gjë që tregon se Kina po bëhet më tolerante ndaj rritjes së moderuar, duke u dhënë provincave më shumë hapësirë për një zhvillim cilësor më të barabartë, të sigurt dhe të vazhdueshëm, tha Bai Yongxiu, profesor i Universitetit Veriperëndimor të Kinës.
“Ndjekja e konceptit të ri të zhvillimit dhe rritja me cilësi të lartë është e domosdoshme për të garantuar një nisje të mirë për ndërtimin e gjithanshëm të një vendi socialist modern brenda vitit 2050”, vuri në dukje Zhang Yansheng, kryestudiues në Qendrën për Shkëmbime Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës.
Që nga vitet '60 të shekullit të kaluar, vetëm rreth dhjetë ndër më shumë se 100 vendet e rajonet me të ardhura të mesme u bënë ekonomi me të ardhura të larta gjatë ndërrimit të modelit të zhvillimit nga shtimi sasior në përmirësimin cilësor. Në dallim nga ato, vendet dhe rajonet e tjera patën amulli ose edhe prapakthim, duke mos arritur të vinin në jetë këtë ndryshim thelbësor.
Vendosja e njeriut në qendër
Një ndër karakteristikat më të spikatura të modernizimit të Kinës është përmirësimi i mirëqenies së popullit, siç pasqyrohet nga përpjekjet shumë të mëdha të vendit për të çrrënjosur varfërinë në dekadat e fundit.
Qeveria kineze gjithmonë i është përkushtuar filozofisë së zhvillimit me njeriun në qendër, duke u përpjekur për të përmirësuar më tej jetesën e banorëve gjatë synimit të zhvillimit me cilësi të lartë.
“Kontradikta kryesore në shoqërinë kineze është tani midis kërkesës në rritje të njerëzve për një jetë më të mirë dhe mosbalancimit e pamjaftueshmërisë së zhvillimit. Zhvillimi me cilësi të lartë ka rëndësi kyçe për të zgjidhur këtë kontradiktë”, shpjegoi profesori Bai.
Një sërë masash do të zbatohen në pesë vjetët e ardhshëm, duke përfshirë shtimin e të ardhurave të banorëve, nxitjen e punësimit, ndërtimin e sistemit arsimor cilësor dhe përsosjen e sistemit të sigurimeve shoqërore të niveleve të ndryshme, thuhet në Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-2025) për zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe Objektivat Afatgjata deri në Vitin 2035.
“Populli kinez do të përfitojë më shumë dhe në mënyrë më të barabartë nga reforma e zhvillimi, duke gëzuar një ndjenjë kënaqësie, lumturie e sigurie më thelbësore, më të garantuar e më afatgjatë, teksa vendi po hedh hapa të pandërprerë drejt objektivit të lulëzimit të përbashkët,” shpjegoi Bai.
Forcimi i risive
Kina, duke synuar arritjen e më shumë përparimeve tekniko-shkencore, po mbështetet te risitë gjatë modernizimit, për t’u shndërruar në një vend inovator.
Lei Jun, deputet i Asamblesë Kombëtare Popullore dhe njëherësh edhe kryeekzekutivi i gjigantit të prodhimit të smartfonave "Xiaomi", i tha agjencisë së lajmeve "Xinhua" se Kina duhet të bëjë më shumë përpjekje për ngritjen e aftësisë novative, me më shumë punë në studimet bazë dhe krijimtari origjinale. Ai u shpreh i bindur se, me zbatimin e masave të përmendura në raportin e punës së qeverisë, sektorët kinezë të shkencës dhe teknologjisë do të shfaqin gjallëri më të madhe.
"Përvoja shumëvjeçare e biznesit na ka bërë të kuptojmë se shkenca dhe teknologjia përbëjnë një forcë parësore prodhuese", tha Xu Guanju, një tjetër deputet dhe presidenti i Grupit "Transfer", një kompani e industrisë kimike në provincën Zhejiang të Kinës Lindore.
Sipas tij, investimet shumëvjeçare të kompanisë në risi po japin rezultat. "Tani rendimenti ynë në punë është ngritur 25 % dhe kostoja e menaxhimit të prodhimit është ulur në të njëjtën shkallë," vuri në dukje Xu.
Sipas Planit të 14-të Pesëvjeçar, shpenzimet e Kinës për studim dhe zhvillim do të rriten mbi 7 % çdo vit në pesë vjetët e ardhshëm, duke zënë një përqindje më të lartë në PBB-në e vendit në krahasim me pesë vjetët e kaluar.
Rritja e gjelbër
Pavarësisht shtimit të presionit për ngadalësimin e rritjes ekonomike, Kina ka këmbëngulur të mos ndjekë modelin e vjetër të zhvillimit që ndikonte rëndë në mjedis, ndërsa udhëheqësit e saj kanë ritheksuar shumë herë se “lumenjtë e kristaltë e malet e harlisura janë male me ar dhe argjend”.
Gjatë ndjekjes së një modeli rritjeje që mbron mjedisin ekologjik, Kina ka marrë masa të rrepta për të promovuar përdorimin më të gjerë të energjisë së përtëritshme dhe për të kufizuar kapacitetin e prodhimit të sektorëve që kërkojnë përdorim burimesh të shumta, duke i shpallur luftë ndotjes.
Pavarësisht sfidave të papara të sjella nga epidemia e COVID-19 vitin e kaluar, vendi nuk i pakësoi përpjekjet drejt zhvillimit të gjelbër, duke nisur ndalimin e importimit të mbetjeve të ngurta dhe ndalimin dhjetëvjeçar të peshkimit përgjatë lumit Jance.
Sipas raportit të punës së qeverisë, sivjet Kina do të vijojë të shtojë përpjekjet për të përmirësuar kushtet mjedisore.
Ndalimi i mbetjeve të ngurta do të vazhdojë në mënyrë të palëkundur, klasifikimi i mbetjeve shtëpiake do të nxitet në një mënyrë të mirëplanifikuar, përdorimi i materialeve të paketimit të postës së shpejtë të padëshme për mjedisin do të inkurajohet më tej dhe mbledhja e trajtimi i mbetjeve mjekësore e të rrezikshme do të përmirësohen.
Përveç kësaj, qeveria do të hartojë një plan veprimi për arritjen e kulmit të lëshimit të karbonit deri në fund të vitit 2030, duke bërë përpjekje për të përmirësuar strukturat industriale dhe energjetike.(Zhang Yan/Artan)(Foto nga VCG)