Kozeta Zavalani
Kozeta Zavalani, një krijuese e pasionuar letrare, gazetare dhe aktiviste në nivel ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të grave, na tregon se dita e gruas nuk është vetëm 8 marsi. Çdo grua është “një misionare” për barazinë sociale, forcimin e familjes, duke kontribuar në forcimin e rolit të saj në shoqëri.
CMG: Ndonëse keni një diplomë në ekonomi, gazetaria dhe letërsia artistike janë profesioni që ju identifikon. Pavarësisht pandemisë dhe ndryshimit të stilit të jetës 8 marsi është përkujtuar në botë. Keni një lidhje gati magjike me këtë datë dhe krijimtaria juaj ka në qendër femrën.
Kozeta Zavalani në një veprimtari poetike në Rumani
Kozeta Zavalani: Në fakt arsyeja kryesore është se kam lindur pikërisht më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe më duket sikur nëna më ka bërë me një mision të veçantë që të promovoj jetën e grave dhe t’i bëj ato të njohura në botë për sukseset e tyre dhe pse jo edhe për dobësitë apo mangësitë që ato hasin në jetë, në luftën e vazhdueshme për të ecur përpara dhe për të realizuar qëllimet e tyre.
Nuk duhet folur për çështjen e gruas vetëm më 8 mars, sepse kjo çështje nuk është vetëm për gratë por të drejtat e grave janë të drejtat e njeriut . Ne jemi më shumë se gjysma e popullsisë dhe duhet ta ngremë zërin fort për të drejtat tona, ndonëse gruas tani i ka ardhur koha ne ende kemi shumë për të bërë për faktorin grua në jetën politiko-sociale të vendit.
Ky ka qenë qëllimi në librat e mi. E kam filluar karrierën në fushën e gazetarisë dhe më pas në letërsinë artistike, duke pasur femrën në qendër të çdo libri. Ndër krijimet e para kanë qenë intervista me gra të shquara, të cilat kam patur rastin t’i njoh jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të ndryshme të botës gjatë konferencave ndërkombëtare ku kam marrë pjesë.
Kozeta Zavalani në intervistë për CMG
CMG: Jeni një nga gazetaret me karrierë të gjatë radiofonike dhe televizive, që publiku e njeh si spikere e lajmeve në Radio Tirana dhe Televizionin Shqiptar. Ndërkohë prej disa dekadash aktivizoheni me organizatat ndërkombëtare të grave, duke bërë të njohur shoqërinë femërore shqiptare në botë. Sa keni ndikuar në forcimin e rolit të gruas shqiptare në shoqëri?
Kozeta Zavalani: Unë gjithmonë jam përpjekur të realizoj pikësynimet e mia dhe sa ja kam arritur nuk e di, por kam zgjedhur të vrapoj në rrugët e jetës, të shoh dhe gjurmët e padukshme dhe të meditoj pas gjithçkaje që kam lënë pas. Të jesh i suksesshëm në jetë do të thotë të kesh arritur pikësynimet e tua dhe them se ja kam arritur. I kam vjedhur orë gjumit për të realizuar qëllimet e mia si nënë, si grua dhe si krijuese përballë sfidave. Jam ndjerë shumë mire kur në konferenca ndërkombëtare në vitet e para të hapjes së Shqipërisë me botën kur tregoja për sfidat e grave shqiptare shumë vetë nuk arrinin ta besonin që kishim mungesa të shumta, jo vetëm financiare por dhe në infrastrukture, si dhe për pozicionin e gruas në vendimmarrje.
CMG: Në mijëvjeçarin e ri pozita e gruas në shoqërinë tone ka shënuar përparime. Ju si e shikoni pozicionin e gruas shqiptare në shoqëri?
Kozeta Zavalani në konferencë për gruan
Kozeta Zavalani: Përparime të dukshme janë bërë. Nëse sheh listat e zgjedhjeve që presim, gratë janë në një numër të konsiderueshëm, por ende duhet punuar për cilësinë, sepse zëri i grave dëgjohet pak. Dua që zëri i grave të dëgjohet, ndërsa personalisht zëri im dua të dëgjohet nëpërmjet krijimtarisë.
CMG: Jeni fituese e shumë çmimeve letrare në nivel ballkanik, ndërsa poezitë tuaja janë botuar në disa antologji botërore. Jeni organizatore e eventit poetik mbarëbotëror "100 mijë Poetet për Ndryshim". Na tregoni për këtë veprimtari dhe planet tuaja krijuese
Kozeta Zavalani: Është një event i bukur mbarëbotëror dhe jam e kënaqur që e kam realizuar në Shqipëri. Këtë vit ndonëse ishim të izoluar për shkak të pandemisë ky event u organizua online, por pjesëmarrja ishte shumë më e madhe se sa vitet e tjera kur jemi takuar fizikisht. Me rastin e 10 vjetorit të këtij eventi vendosa që të gjitha poezitë e pjesëmarrësve të vitit të kaluar që të përmblidheshin në një antologji poetike.
Kozeta Zavalani dhe librat e saj
CMG: Pandemia dhe izolimi social që prej një viti ka sunduar botën, a ka ndikuar tek ju si autore ?
Kozeta Zavalani: Në fakt personalisht ka ndikuar për mire, pasi ne krijuesit pak a shumë zgjedhim një moment vetizolimi për të krijuar. Kjo periudhë na shkëputi me botën sepse nuk kemi patur më veprimtari me përjashtim të atyre online. Them se për mua ka qenë periudhë e frytshme pasi këto ditë përfundova romanin tim të fundit që titullohet “Pas mesnate”, në të cilin u bëj një homazh miqve dhe mikeshave që fatkeqësisht na i rrëmbeu Covid 19.
CMG: Mesazhi juaj për Ditën Ndërkombëtare të Gruas?
Kozeta Zavalani: Uroj të gjitha gratë, nënat dhe motrat si “Ambasadore e Paqes”, duke u dhënë një mesazh për mirësi dhe paqe, të duam sa më shumë njeri-tjetrin, të falim sa më shumë dashuri dhe të shpërblehemi me dashuri. Sepse dashuria do ta ndryshojë botën dhe do ta bëjë atë një vend më të mire.
Intervistoi Eda Merepeza