Një vit në pandemi dhe jeta e qytetarëve në mbarë botën ka ndryshuar rrënjësisht, jo vetëm sa i përket mbrojtjes së shëndetit, por dhe marrëdhënieve të tyre me familjen, shoqërinë, punën. Çdo individ e ka përjetuar pandeminë Covid 19 në mënyra të ndryshme, por ka dhe të përbashkëta në përditshmërinë e tyre. Një ndër to është dhe përdorimi i telefonit celular veçanërisht gjatë periudhës së karantinës, por dhe në përgjithësi të distancimit social.
Jeta virtuale gjatë pandemisë
Në bisedat e përditshme shpesh dëgjohet të thuhet se “telefoni na mbajti gjallë” gjatë karantinës. Shumë qytetarë tashmë e kanë kaluar Covid 19 në kushte shtëpie, apo spitalore dhe kontakti me të afërmit, miqtë, mjekët, kolegët apo personat e afërt jashtë vendit është kryer me celular, nëpërmjet mediave sociale. Për ata që infektimi me koronavirus ka qenë më i lehtë, por të detyruar për të qëndruar në shtëpi për një periudhë dyjavore apo më shumë, celulari ka qenë mjeti i vetëm i komunikimit. Ka shumë njerëz që jetojnë vetëm, të rinj apo të moshuar dhe të afërmit i kanë në qytete të tjera të vendit, apo jashtë tij. Kjo kategori të vetmin mjet komunikimi me mjekun e familjes, familjarët dhe miqtë, ka patur atë me telefonin celular.
Pyetjeve tona se sa e kanë përdorur celularin gjatë karantinës, qytetarë të ndryshëm në Tiranë u janë përgjigjur sipas përvojave të tyre.
Një e re tregon se e ka përdorur më shumë se zakonisht celularin gjatë periudhës së distancimit social
“Unë nuk jam ndonjë përdoruese e madhe e telefonit e mbi të gjitha e rrjeteve sociale në jetën e zakonshme. Por duke krahasuar përdorimin e tij me periudhën e karantinës së krijuar nga pandemia Covid 19 e them me bindje se e kam përdorur më shumë celularin. Kjo edhe për faktin se na është kufizuar prezenca në ambiente të ndryshme me familjarët dhe me shoqërinë, ndaj këtë e ka zëvendësuar telefoni”, tregon një e re.
Komunikimi me celular gjatë pandemisë
Ndërsa një qytetar, që e ka kaluar koronavirusin me vështirësi thotë se nuk e ka përdorur shumë celularin gjatë periudhës së trajtimit të sëmundjes
“E kam përdorur shumë pak celularin dhe lajmet nuk i dëgjoja fare. Vetëm në momente të caktuara komunikoja me të afërmit e miqtë për t’i njoftuar për gjendjen time shëndetësore. E kam përdorur më pak se zakonisht celularin sepse gjendja ime ishte e rëndë dhe detyrimisht iu përkushtova shëndetit”, thotë qytetari.
Nëse i referohemi të dhënave të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) përdorimi i celularit nga shqiptarët në tremujorin e dytë të vitit 2020 arriti një rekord prej 197 minutash në muaj. Kjo periudhë përkon me rritjen e numrit të të prekurve me Covid 19 në mbarë vendin dhe për rrjedhojë të qytetarëve që kanë qëndruar në izolim social.
Dy qytetarë të tjerë për mikrofonin e Radio Ejani tregojnë se pa komunikimin virtual gjatë karantinës, do të ishte e vështirë të përballonin izolimin social.
“Gjatë karantinës e kam përdorur më shumë se zakonisht celularin, sepse vetëm ai na lidhte me njeri-tjetrin. E kemi përdorur për thirrje me jashtë vendit, brenda dhe në marrëdhënie me punën, me klientët. Vetëm telefoni na ka mbajtur gjallë”, tregon pronarja e një biznesi të vogël në kryeqytet.
I të njëjtit mendim është dhe një qytetar tjetër.
“Gjatë gjithë ditëve të karantinës e kam përdorur shumë celularin se ishim të mbyllur dhe nuk kishim si të komunikimin. Ndaj me telefon komunikonim me njerëzit e afërt, me ata që i kemi jashtë duke përdorur rrjetet sociale apo whatsap-in për t’u lidhur me ta”, thotë qytetari.
Distancimi social i imponuar nga pandemia Covid 19 i bëri përdoruesit shqiptarë të telefonisë celulare të gjenin “shpëtim” në realizimin e komunikimit përmes whatsap, viber, mesazheve sms, por dhe në rrjetet sociale si facebook, Instagram etj.
mediat sociale
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregon se numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në Internet, nga rrjetet celulare, në 3 muajt e fundit të vitit 2020 ishte rreth 1.99 milionë çka përbën një rritje me 2.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe një rritje prej 1.9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Nga këto të dhëna mësohet se numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare, sipas kartave SIM ishte rreth 3,337,824, ndërsa numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të katërt të vitit 2020 arriti në rreth 2.51 milionë, që tregon një rritje me rreth 2.8 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në epokën digjitale komunikimi përmes telefonisë celulare është pjesë normale e përditshmërisë së qytetarëve, por në kushtet e izolimit social për shkak të pandemisë, duket se kjo lidhje është bërë tepër e dobishme dhe e pazëvendësueshme.
Eda Merepeza