Prej një viti jeta akademike përballet me ndryshime të mënyrës së mësimdhënies. Pedagogët dhe studentët në pjesën më të madhe të vitit akademik kanë komunikuar online, përmes platformave të ndryshme, apo me mënyrën e integruar. Kjo eksperiencë e re që po vazhdon ka vështirësi dhe sfida të shumta. Pedagogia e Universitetit Polis, prof.Ass.Dr në Departamentin e Mjedisit, Elizabeta Susaj tregon në Radio Ejani përvojën e saj në përballje me pandeminë gjatë mësimdhënies.
Prof.asc.dr Elizabeta Susaj intervistë për CMG
CMG: Jeni Prof. Asc.Dr në Departamentin e Mjedisit, Universiteti Polis. Cila është eksperienca juaj akademike në kushtet e pandemisë. A ka kjo përvojë anë pozitive dhe negative sa i përket mësimdhënies?
Prof. asc. Dr Elizabeta Susaj: Situata e pandemisë globale të koronavirusit është një situatë e pazakontë me të cilën po përballet e gjithë bota prej më shumë se një viti. Po kështu dhe stafi akademik dhe studentët e Universitetit Polis, ashtu si dhe universitetet e tjera. Të gjendur përballë ndërprerjes së menjëhershme të mësimit pas urdhrit të 9 marsit 2020 të Ministrisë së Arsimit për mbylljen ndër të tjera dhe të institucioneve arsimore, rektorati dhe drejtues të Universitetit Polis organizuan një takim të zgjeruar me stafin akademik për zhvillimin e mësimit online, si një alternativë e vijimit të procesit mësimor.
Universiteti Polis ka një eksperiencë disavjeçare në këtë fushë pasi prej 7 vitesh në bashkëpunim me Universitetin e Ferrarës në Itali ka zbatuar metodën e të mësuarit online në një program Phd të dyfishtë në fushën e arkitekturës dhe të planifikimit urban ku të gjitha procedurat që nga aplikimi, përzgjedhja e aplikantëve, përgatitja periodike dhe mbrojtja e gradës shkencore bëhen online dhe vlerësohen paralelisht nga një komision i përbashkët në të dy universitetet. Stafi akademik i Universitetit Polis, pjesë e të cilit unë jam, nisën dhënien e leksioneve nëpërmjet platformave googleclassroom, easyclass etj nëpërmjet të cilave jo vetëm dërgoheshin leksionet, jepeshin detyrat dhe kryheshin testimet. Që javën e dytë pjesëmarrja e studentëve të Universitetit Polis ishte mbi 80 për qind.
Prof.Elizabeta Susaj me studentë dhe pedagogë të Universitetit Polis
Kjo situatë ka anët e saj pozitive dhe negative, sepse jo të gjithë studentët apo pedagogët ishin të gatshëm për të zhvilluar mësimin online si një metodë e re mësimdhënie. Edhe unë ndonjëherë nuk ndjehem shumë mirë kur flas me kamera, apo mikrofonin sepse kur flas dua të kem një ndërveprim me studentët e mi.
CMG: Në rastin tuaj kemi të bëjmë me shkencë, laboratorë. Si asimilohen nga studentët lëndët laboratorike, që kanë lidhje konkrete me mjedisin apo shkencat agronomike?
Prof.asc.Dr Elizabeta Susaj:Po, është e vërtetë. Ka shumë lëndë në mjedis, bujqësi, si dhe në degë të tjera si arkitekturë, inxhinieri apo planifikim urban të cilat nuk mund të zhvillohen online. Universiteti Polis ka aplikuar metodën e integruar të zhvillimit të mësimit, duke ndërthurur leksionet online me praktika në terren, sigurisht me grupe të vogla deri në 10 vetë, duke zbatuar të gjitha masat mbrojtëse të rekomanduara tashmë.
Prof.asc.dr Elizabeta Susaj
CMG: Tani pas një viti në kushtet e pandemisë mendoni se “ia keni marrë dorën” mësimdhënies online?
Prof.asc.Dr Elizabeta Susaj: Për mendimin tim kjo mënyrë e mësimdhënies është një metodë e rëndësishme për formimin akademik dhe profesional të nxënësve dhe studentëve dhe më e mira e mundshme në kushtet aktuale. Por kjo mënyrë nuk është ideale, sepse nuk mund të zëvendësojë njëqind për qind mësimin në auditor apo praktikat në terren.
CMG: Për një shkencëtare si ju, sa ka ndikuar izolimi social gjatë pandemisë, nëse u referohemi veprimtarive shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Prof.asc.Dr Elizabeta Susaj: Ashtu si në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të botës, izolimi social prej tashmë një viti ka prekur dhe organizimin e veprimtarive shkencore brenda dhe jashtë vendit. Pothuajse njëqind për qind e tyre janë zhvilluar online. Ne kemi punuar gjatë kësaj periudhe, kemi ndjekur konferenca dhe simpoziume në fushën e bujqësisë, mjedisit dhe planifikimit urban online.
Ana pozitive e kësaj është sepse na mundëson që të marrim pjesë në sa më shumë veprimtari, por na mungon kontakti fizik i takimeve, të cilat janë shumë të rëndësishme në bashkëpunimin ndërnjerëzor, ndëruniversitar. Gjithashtu ndikon dhe në zbatimin e projekteve të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe organizata të tjera.
bioteknologjia e bimëve
CMG: Si autore e disa studimeve të rëndësishme në fushën e Agronomisë, Mjedisit, Hortikulturës dhe Bioteknologjisë keni drejtuar dhe ndjekur mjaft projekte në këto fusha. A keni në duar ndonjë studim aktualisht?
Prof.asc.Dr Elizabeta Susaj: Gjatë karrierës sime kam qenë drejtuese por dhe kam bashkëpunuar me projekte të qeverisë shqiptare, por dhe të USAID dhe Bashkimit Evropian. Lidhur me studimet dhe publikimet për pedagogët, apo dhe mësuesit në përgjithësi, kam mendimin që kjo ka qenë një periudhë shumë e vështirë dhe e ngarkuar, sepse nuk mjaftojnë tre apo katër orë në ditë për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ndaj studentëve.
Aktualisht jemi pjesë e projektit “Drive”, për zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Kam marrë pjesë gjithashtu në projektet “Erasmus” për shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, ku vitin e kaluar isha pjesë e projektit në një universitet në Portugali.
Nuk e kemi ndërprerë punën kërkimore-shkencore. Aktualisht kam në dorë publikimin e tre teksteve mësimore për studentët e Universitetit Polis, lidhur me vlerësimin e ndikimit në mjedis, dendrologji dhe peizazh urban. Njëkohësisht jam në përfundim të plotësimit të kritereve të vendosura për titullin akademik Profesor Doktor.
Intervistoi Eda Merepeza