Mbledhje e KQZ-së
Shqipëria është në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe situata politike gëlon me takime në qytete e fshatra, ku në shumicën e rasteve shkelen masat anticovid të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Këto ditë të dhënat e situatës epidemiologjike në vend kanë shënuar rritje të infektimeve, madje dhe në moshat e reja, ku për fat të keq ka patur dhe fatalitete.
Në takimin e radhës me mediat, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, njëherësh zëvendësministre e Shëndetësisë, Mira Rakacolli duke u ndalur në masat anticovid dhe afrimin e zgjedhjeve të 25 prillit tha se vendimet merren duke patur parasysh situatën epidemiologjike dhe jo fushatën zgjedhore.
“Absolutisht nuk lidhen me zgjedhjet. Kjo sëmundje ishte ngjarje e re për të gjithë botën. Të gjithë nisemi nga shkenca epidemiologjike, nga indikatorë të ndryshëm. Masat që janë arsyetuar se mund të jenë ndalës dhe frenues janë të ndryshme në vend të ndryshme. Shqipëria me shifrat që ka pasur mendojmë që deri tani masat kanë qenë të arsyeshme pasi janë marrë për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe nuk lidhen absolutisht me asnjë lloj situatë të caktuar politike”, tha Rakacolli.
tubime zgjedhore
Disa subjekteve politike, madje dhe vetë presidentit të Republikës u janë vënë gjoba për moszbatimin e masave anticovid në takime të ndryshme, por kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e partive politike të vazhdojnë tubimet në lokale dasmash, kryesisht në mjedise të mbyllura.
Fushata zgjedhore e paraqitur në mediat vizive dhe më së shumti në rrjetet sociale ka shqetësuar mjekët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
175 mjekë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë i janë drejtuar me një letër të hapur drejtuesve kryesorë politikë në vend që të kontribuojnë me respektimin e masave antikovid.
Në letrën drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste: Edi Rama, kryetarit të Partisë Demokratike: Lulzim Basha, kryetares së Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim: Monika Kryemadhi, kryetarëve të partive politike pjesëmarrëse në procesin zgjedhor të 25 prillit, dhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, mjekët shprehen se, “me rastin e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ku mijëra qytetarë po angazhohen në fushatën parazgjedhore e më pas përmes vullnetit të votës së tyre, do të kenë mundësi të zgjedhin qeverinë e re, ne, personeli mjekësor, shohim me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave antikovid, të cilat janë përcaktuar me ligj, pikërisht me votë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë”.
Zgjedhjet e përgjithëshme 25 prill 2021
Cilat janë kërkesat e mjekëve, të cilët duan të kontribuojnë në implementimin, respektimin dhe zbatimin e masave për frenimin e Covid 19 në Shqipëri?
Ndër to përmendim ndalimin e grumbullimeve të më shumë se 10 personave në mjedise të mbyllura dhe të hapura, në konferenca, tubime, mbledhje partiake, në ceremonitë festive.
Përdorimi i detyruar i maskave mbrojtëse dhe distanca fizike prej 2 metrash, nga të gjithë personat, gjatë kohës që janë duke qëndruar në hyrje të qendrës së votimit apo vendvotimit është një masë tjetër e rëndësishme. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit. Në vendvotim duhet të vendosen edhe dezinfektuesit, të cilët do t’i shërbejnë votuesve për t’i dezinfektuar duart në hyrje dhe dalje të vendvotimit.
Gjithashtu një prej kërkesave në letrën e hapur të mjekëve drejtuar faktorit politik dhe zgjedhor në Shqipëri është respektimi rigorozisht i masave anti-Covid nga stafi zgjedhor.
Mbledhje për rolin e policisë në zgjedhjet e 25 prillit
Një vëmendje e veçantë në letër u kushtohet dhe zgjedhësve ndaj kërkohet marrja e masave organizative nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të regjistruar personat që mund të jenë të infektuar me Covid-19, ata që janë në karantinë apo izolim të detyruar, si dhe përditësimi i listës së këtyre votuesve në kohë reale. KQZ duhet të ndërmarrë procedurat e duhura që personave të izoluar/karantinuar t’u mundësohet pjesëmarrja në votim.
Takimet, konferencat dhe mbledhjet zgjedhore me mbi 10 persona, sipas mjekëve, duhet të mbahen në formatin elektronik, për të evituar kështu kontaktet fizike mes elektoratit.
Ndërkohë sugjerohet që personat mbi 65 vjeç, si dhe ata që vuajnë nga sëmundje shoqëruese, t’i shmangin aktivitetet parazgjedhore, pasi sipas OBSH-së konsiderohen si më tepër të riskuar nga virusi Covid-19.
Reagimin e pare ndaj letrës publike të mjekëve e ka bërë kreu i KQZ-së Ilirian Ceibashi i cili ka deklaruar për mediat se:
“Të infektuarit me COVID të izoluar në shtëpi të cilët momentalisht janë rreth 35 mijë, do të mbeten pa votuar në 25 prill, pasi nuk ka një metodë që mund t'u ofrohet. Kështu tha kreu i KQZ Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët, i cili shtoi se i vetmi përjashtim që sanksionon Kodi Zgjedhor ka të bëjë me qendra të posaçme në burgje dhe spitale”.
Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit zhvillohen në një situatë të veçantë të imponuar nga masat kundër pandemisë COVID-19, të cilat ndikojnë në zhvillimin e fushatës nga subjektet zgjedhore, por nga ana tjetër janë një angazhim më tepër për punonjësit e Policisë e Shtetit, të cilët duhet të veprojnë me korrektësi dhe vendosmëri në zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit, duke bashkëpunuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, misionet monitoruese të procesit zgjedhor, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.
Eda Merepeza