Kina publikoi ditët e fundit dokumentin nr. 1 për vitin 2021, duke theksuar përpjekjet për të nxitur në mënyrë të gjithanshme gjallërimin rural dhe për të përshpejtuar modernizimin e bujqësisë dhe të zonave rurale.
Si dokumenti i parë politik që publikohet çdo vit nga autoritetet qendrore kineze, ai vlerësohet si një tregues i përparësive të politikave të qeverisë kineze. Çështjet e bujqësisë dhe të fshatit e kanë zënë këtë pozicion parësor për 18 vjet radhazi që nga viti 2004.
Sipas dokumentit, gjatë Planit të 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), Partia Komuniste e Kinës, partia në pushtet në Kinë, do t'i ketë punët lidhur me bujqësinë, zhvillimin e zonave rurale dhe përmirësimin e jetesës së banorëve të fshatit si “përparësinë kryesore” të saj.
Në dokumentin e sivjetshëm qartësohen objektivat dhe detyrat në fushën e bujqësisë dhe të zhvillimit të zonave rurale për vitin 2021 dhe në një vizion më të gjerë deri në vitin 2025.
Sivjet Kina do të mbajë të qëndrueshme sipërfaqen e mbjellë me drithëra, duke garantuar një prodhim vjetor drithërash 650 miliardë kilogramë, do të përmirësojë më tej cilësinë e produkteve bujqësore dhe sigurinë ushqimore, si edhe do të sigurojë që rritja e të ardhurave të banorëve të fshatit të jetë më e shpejtë se e atyre të qytetit.
Brenda vitit 2025, Kina do të arrijë përparim në fusha si modernizimi i bujqësisë dhe i zonave rurale me një bazë më shëndoshë bujqësore dhe zvogëlimi të të ardhurave midis banorëve të fshatit e atyre të qytetit.
Përveç kësaj, qeveria do të caktojë një periudhë kalimtare pesëvjeçare për kontetë që kanë dalë nga varfëria, duke i shndërruar politikat e çrrënjosjes së varfërisë në rigjallërim të gjithanshëm të zonave rurale.
Qeveria do të vijojë të konsolidojë rezultatet e zbutjes së varfërisë, duke shtuar vitalitetin e zhvillimit të zonave që kanë dalë nga kufiri i varfërisë dhe duke krijuar një mekanizëm të rregullt ndihme ndaj banorëve ruralë më të paprivilegjuar e në vështirësi ekonomike.
Kurse për modernizimin bujqësor, në dokumentin e qeverisë kineze theksohet rëndësia e kapaciteteve për të garantuar furnizimin me produkte bujqësore, si stabilizimi i zonave të mbjella me drithëra, ngritja e rendimenteve vjetore, shpejtimi i krijimit të një sistemi modern të mbarështimit të farërave cilësore, nxitja e zhvillimit të akuakulturës së gjelbër e të shëndetshme dhe përmirësimi i tregtisë së produkteve bujqësore.
Ritheksohet njëkohësisht domosdoshmëria e ruajtjes së “vijës së kuqe” të 120 milionë hektarëve tokë të punueshme, teksa brenda këtij viti do të realizohet objektivi i krijimit të 6.66 milionë hektarëve tokë bujqësore të nivelit të lartë me rendimente të qëndrueshme.
Kërkohet gjithashtu të bëhen përpjekje për të forcuar mbështetjen nga ana shkencore, teknologjike dhe e pajisjeve ndaj zhvillimit të bujqësisë moderne, për të ndërtuar brenda vitit 2025 rreth 500 zona pilot të modernizimit bujqësor dhe për të çuar përpara zhvillimin e gjelbër të bujqësisë.
Kina do të nxisë fort planin e veprimit për të ndërtuar një infrastrukturë më të mirë, për të ofruar shërbime më cilësore publike në zonat rurale, për të shtuar konsumin dhe për të përshpejtuar integrimin e zhvillimit urban-rural.
Kina i ka dhënë në pesë vjetët e kaluar ringjalljes rurale përparësi për të nxitur zhvillimin në fshat. Në zonat më të pazhvilluara janë vënë në jetë nisma tekniko-shkencore për përhapjen e bujqësisë moderne.
Për shembull, në kontenë Nujiang të provincës Yunnan të Kinës Jugperëndimore, një grup ekspertësh po përdorin njohuritë e tyre për të ndihmuar banorët të mbjellin mandarina.
Dr. Li Jinxue nga Akadamia e Shkencave Bujqësore e Yunnanit është një ndër 40 ekspertët që u dërguan për të ndihmuar banorët në qytezën Laowo në luftën kundër varfërisë. Brenda më pak se dy vjetësh, Li e ka shndërruar këtë zonë në një thesar.
Terreni malor ka penguar rëndë zhvillimin ekonomik vendor, sepse shumica e tokave mbizotërohej prej barërave të gjata. Banorët e Laowo-s në të kaluarën përdornin metoda tradicionale të mbjelljes dhe pjesa kryesore e filizave prekeshin shpesh nga viruset. Shumë pemë mezi rriteshin ose prodhonin fruta pas katër - pesë vjetësh për shkak të mungesës së mbështetjes teknologjike.
“Zona është plot me burime të mira natyrore, si drita e diellit, uji dhe ajri i freskët. Është një zonë ideale për mbjelljen e mandarinave. Kështu që zgjodhëm 31 varietete të mandarinës dhe do të shohim se cilat janë më të përshtashme”, tha dr. Li.
Ai, së bashku me anëtarë të grupit të tij, ofruan njohuritë e tyre të shumta për të ngritur rendimentin e prodhimit të frutave. Ata u mësuan banorëve të përdorin ujitje me pika për të përmirësuar dheun dhe për ngritur efikasitetin e punës. Ata përdorën edhe drona për të monitoruar rritjen e pemëve dhe për të parandaluar sëmundjet dhe insektet e dëmshme.
Pasi realizoi çrrënjosjen e varfërisë ekstreme vjet, Kina po e ndryshon fokusin e saj drejt ringjalljes së gjithanshme rurale. Kjo strategji që u propozua në vitin 2017 synon zgjidhjen e problemit të hendekut ekonomik midis zonave urbane dhe rurale. Gjatë këtij procesi modernizimi i ekonomisë rurale nëpërmjet risive tekniko-shkencore përbën një pjesë të rëndësishme.
Tani kooperativa e mandarinave në Laowo mbulon 200 hektarë tokë dhe në të janë punësuar mbi 100 familje që kanë qenë të goditura më rëndë nga varfëria. Z. Li po u mëson banorëve edhe që të mbjellin krizantema mes pemëve për të siguruar të ardhura të tjera. Ai gëzohet jashtë mase kur sheh që rezultatet e studimeve të tij ndihmojnë drejtpërdrejt banorët, duke ndryshuar jetën e tyre.(Zhang Yan/Artan)(Foto nga VCG)