Sapo ka dalë nga shtypi dhe tashmë është në qarkullim libri i sociologut të njohur, “Mjeshtër i Madh” Gëzim Tushi: “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Për Radio Ejani sociologu Tushi flet për këtë studim dhe për përballjen e individit e shoqërisë shqiptare me pandeminë Covid 19.
Sociologu G.Tushi dhe linri i tij për pandeminë
CMG: Gjatë gjithë kohës së pandemisë tashmë prej një viti jeni përfshirë përmes analizave psikosociale në median e shkruar dhe atë audiovizive.Besoj se këto përjetime si individ, por dhe sociolog iu nxitën në krijimin e librit “Pandemia-Asgjë nuk do jetë si më parë”. Flasim për librin, përmbajtjen dhe impaktin që prisni të ketë në publik.
Gëzim Tushi: Është detyrë e sociologëve dhe psikologëve që të trajtojnë problemet që lidhen me pandeminë, jo në aspektin mjekësor, të patologjisë medikale, por në aspektin e ndikimeve social-psikologjike që ka shkaktuar ky virus i vogël, mikroskopik që u kthye në një nebulozë planetare. Tani nuk është më një patologji sociale apo thjesht një metaforë, por është një realitet i vërtetë i cili ka marë jetë njerëzish. Pa diskutim, ka qenë obligimi im dhe që në muajin mars kur u shfaq pandemia kam qenë i involvuar në debatin publik të intelektualëve.
Kanë qenë dy grupe në këtë debat, së pari mjekët, të cilët janë në frontin e pare dhe në një farë mënyre pandemia solli një ridimensionim të figures së mjekut. Kjo me sa duket lidhet me faktin që pandemia i mësoi shqiptarët që të kenë një koncept tjetër për çmimin e jetës. Ne nuk jemi treguar gjithmonë të kujdesshsëm, por tani që e pamë veten keq filluam të kuptojmë çmimin e jetës.
Grupi i dytë i intelektualëve që kanë marë pjesë në këtë debat sigurisht që duhet të ishin sociologët, psikologët, sepse pandemia nuk prek vetëm trupin dhe nuk është vetëm një patologji mjekësore, por dhe sociale, që preku mendjen dhe shpirtin e njerëzve.
Pandemia nga pikpamja trupore mund të jetë e rikuperueshme, sepse ka raste të pakta humbje jete krahasuar me nivelin e infeksioneve, kurse për sa i përket anktheve, pasigurive dhe frikërave, që ka sjellë në jetën sociale, ato janë shumë të mëdha. Ajo ka prekur çdo qelizë të jetës shoqërore, ka prekur individin, i cili është tronditur dhe është i paqartë me veten e tij se si do të jenë marrëdhëniet me të tjerët, marrëdhëniet me shoqërinë.
Sintagma që përdor unë, “asgjë nuk do të jetë si më pare”, është mesazhi i librit tim, që do të ndryshojnë shumë gjëra, jo vetëm në marrëdhëniet me individin, por dhe me shoqërinë, me zakonet, me traditat, me institucionet e sigurisë morale, me shkollën, me punën, spitalet, mjekësinë. Ky virus ka ndikuar jo vetëm në reformimin e jetës, por ka prekur dhe vetë vdekjen. Kësaj radhe po reformohen dhe ritualet e vdekjes, sepse pandemia ka prekur çdo gjë.
Sociologu Gëzim Tushi
CMG:Kur themi “Asgjë nuk do jetë si më pare”, zakonisht përpiqemi të japim shpresë për veten, apo të tjerët. Në librin tuaj kjo shprehje ka konotacion pozitiv, apo është një zile alarmi, se do të bëhet më keq?
Gëzim Tushi: Shumë lexues të librit më kanë telefonuar dhe më kanë pyetur se çfarë do të thotë kjo? Mos do të përmbysen gjërat dhe nuk do të jetë asgjë si më pare? Unë e kam sqaruar që ky nuk është një shikim pesimist i imi. Ideja është për të shtuar kujdesin, i cili në këto raste nuk është kurrë i tepërt.
Pandemia sipas gjykimit tim është një pike kthese për të ndryshuar disa nga gjerat që nuk do të jenë më ashtu siç kanë qenë. Në librin tim them se parimi kryesor që po na meson pandemia është se parimet e shëndetit janë mbi gjithçka. Pra, nëqoftëse mënyra se si sillemi me shoqërinë, marrëdhëniet zakonore të dasmave, hidhërimeve, komemoracionet historike, politike, ku ne kemi disa bravura supersociale shumë të mëdha dhe mblidhemi në turmë, ndonjëherë pa kuptim.
Kjo ka një burim historik shumë të rëndësishëm që duket vlerësuar nga pikpamja sociologjike. Ne kemi qenë një shoqëri komunitariste, tradicionale dhe supersociale.
Në sistemin tone të vlerave lidhja, ngushtësia me njeri-tjetrin kanë qenë vlerë e madhe morale, madje ne e kemi konsideruar vlerë të madhe që jetojmë në turmë. Ne hymë në shoqërinë postmoderne shumë vonë. Disa nga ndryshimet që kanë ndodhur kanë qenë timide dhe treni ynë ka dale nga stacioni i vjetër, por shpejtësia e lëvizjes dhe e ndryshimit është shumë e ngadaltë, krahasuar me trenin evropian. Kjo është arsyeja që ne kemi disa problem “sui generis”. Gjërat do të ndryshojnë jo vetëm në përputhje me parimet e shëndetit, por dhe me ndryshimin që po vjen nga shoqëria postpandemike. Kjo do të thotë që ne do të rishikojmë mënyrat se si socializohemi dhe si i ndërtojmë marrëdhëniet me të tjerët. Nëqoftëse në sistemin e vlerave atëhere ishte afërsia, vlera e pare tani është distance, pra shoqëria ka filluar të vlerësojë distancimin social dhe fizik.
CMG: Covid 19 ka përfshirë gjithë botën dhe kjo përhapje, sado që duket e çuditëshme, sikur të bën të mos ndjehesh vetëm. Mendoni se individët e kulturave të ndryshme e përballojnë në mënyra të ndryshme pandeminë, sa i përket emocioneve, ankthit, pa harruar zbatimin e masave për shmangien e infeksionit.
Sociologu Tushi intervistë për CMG
Gëzim Tushi: Popujt kanë kulturat dhe zakonet e tyre dhe sikurse e dini zakonet janë vlerat e një populli që i dallon nga të tjerët. Çdo popull ka zakonet e tij, mënyrën se si i ndërton marrëdhëniet familjare, sociale dhe këto janë krenari kombëtare. Shoqëria është multikulturaliste dhe pavarësisht globalizimit identitetet kulturore janë të veçanta.
Ndryshimet që po ndodhin tek ne kanë sjellë tronditje, ankth e pasiguri sepse nuk jemi të sigurtë as për të sotmen, por as për të nesërmen. Këto ndryshime kanë prekur institucione të rëndësishme si familjen dhe shtëpinë.
Në librin tim jam ndalur në një rishikim kryesisht të marrëdhëniet e shqiptarëve me familjen dhe shtëpinë, si institucione të jetës private. Shoqëria jonë ka një natyrë turbokapitaliste dhe sikurse e dini njerëzit janë në garë për sukses, karrierë, para apo për t’u mbrojtur nga dështimi dhe herë pas here këto kanë bërë ftohur marrëdhëniet familjare dhe njerëzit u kthyen në individë të personalizuar edhe pse brenda familjes, secili ishte me idetë e tij dhe me projektet e tij.
Pandemia na dha një goditje sizmike dhe i kthyem sytë nga shtëpia. Shtëpia u bë spital, sepse pjesa më e madhe u kuruan në shtëpi nga Covid 19, u bë farmaci sepse aty kishim të gjitha mjekimet, përdorëm telemedicinën duke u lidhur virtualisht me mjekun e familjes dhe mjekun specialist . Shtëpia gjithashtu u bë shkollë sepse pjesa më e madhe e nxënësve dhe studentëve filluan të mësojnë nga shtëpia. U krijua karakteri hibrid i punës dhe ky është një debat i madh që po zhvillohet sot. Madje edhe ne u mësuam të punojmë në distancë , nga shtëpia.
CMG: Pandemia ende vazhdon. A do të kemi një vazhdim të studimit tuaj, për periudhën postpandemike?
Gëzim Tushi: Padyshim që do të merrem me ndikimet pozitive apo negative që do të ketë pandemia, sepse në gjykimin tim ajo është një pikë kthese që po i jep një emër të ri shoqërisë. Në çdo kohë shoqëria ka një emër të caktuar dhe unë them se kjo shoqëri do të jetë postpandemike dhe do të ndjekim karakteristikat e saj.
Intervistoi Eda Merepeza