Ekonomia shqiptare, si dhe ajo botërore vijojnë të përballen me pasiguri të shumta për shkak të pandemisë. Si do të arrijë ajo të rimëkëmbet pas goditjes pandemike?

Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e tij deklaroi se Shqipëria pritet të ketë një rimëkëmbje graduale me rreth 5% këtë vit. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim i qëndron një norme rritje 4.5%, ndërsa sipas projeksioneve bazë të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me 5.1%. Duke iu referuar ritmeve, institucionet ndërkombëtare financiare të lartpërmendura parashikojnë se rikthimi në nivelet e parakrizës nuk mund të ndodhë këtë vit, por në vitin 2022.

Pavarësisht parashikimeve, gjithçka varet nga ecuria e pandemisë dhe pashmangshmërisht nga procesi i vaksinimit. Një rol të madh luajnë dhe masat që do të merren nga qeveria për rimëkëmbjen ekonomike, e cila për shkak të tërmetit të nëntorit 2019 dhe tashmë pandemisë u përball me rënien më të fortë që nga kriza e piramidave në vitin 1997.

Industria që është ndër sektorët më të goditur nga pandemia aktualisht kërkon mbështetjen e qeverisë.

Edvin Prençe, kryetar i shoqatës Pro Export, ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen e industrisë fason në televizionin A2.

“I kemi kërkuar qeverisë se sa mundësi ekonomike kanë për të na mbështetur. Kërkojmë ndihmë për modernizimin e makinerive tona. Biznesi fason e ka ezauruar likuiditetin dhe është në pikë kritike. Nuk shkohet dot më përpara. Duhet bashkërendim i punës me qeverinë”, u shpreh Prençe.

Ndërsa nënkryetari i shoqatës së Tur-Operatorëve Kliton Gërxhani, duke folur për vështirësitë në sektorin e turizmit, kërkoi nga ana e qeverisë hartimin e një plani dhe mbështetje për turizmin e goditur keq nga pandemia.

“Jemi në një situatë thuajse të pashpresë. Në 6-mujorin e parë nuk presim punë, shpresojmë që në verë të nisë diçka. Ajo që duam të dëgjojmë nga qeveria është një plan. Bizneset duan mbështetje financiare për të mbajtur në punë ata punonjës që kanë mbetur pa u larguar. Deri tani, nuk ka asnjë plan dhe asnjë bisedë në tavolinë”, deklaroi Gërxhani.

Kërkesë për dialog mes enteve prodhuese dhe qeverisë bëri dhe sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra.

Kemi probleme në likuiditet. Duhet të ketë një tryezë të gjerë dialogu për planin e rimëkëmbjes. Personeli ynë i aftësuar po shkon drejt shteteve të tjera dhe ky është problemi ynë më i madh”, tha Shkodra.

Prognozat e ekspertëve të ekonomisë

Ekspertët në mbarë botën deri tani kanë shënjeshtruar katër skenarë për daljen nga kriza prej pandemisë. Skenari i parë grafikisht cilësohet si V, që nënkupton rënie të shpejtë të ekonomisë, por dhe ngritje po kaq të shpejtë; Skenari i dytë është ai U, që nënkupton rënie, pasuar nga staniacioni dhe më pas ringritje. Skenari i tretë cilësohet si W, që nënkupton dy recensione dhe një ngritje të qëndrueshme. Ndërsa skenari i katërt dhe i fundit është ai L, që nënkupton rënie, të shoqëruar nga recesion i gjatë, pa rikthim në normalitet.

Prof. Anastas Angjeli

Prof. Anastas Angjeli

Eksperti i njohur i ekonomisë, njëherësh kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë profesori Anastas Angjeli, u shpreh në një intervistë televizive se mendon se për Shqipërinë ka dhe një formë tjetër, që është skenari “K”.

Shqipëria përfshihet në skenarin K. Ekspertët më të mirë presupozojnë që rënia do të jetë e fortë, por nuk do të ketë depresion të gjatë, por një ngritje nga fillimi i verës së këtij viti. Pastaj, do të kemi transformim rrënjësor të tregut, ku një pjesë do të bjerë, një pjesë do të ristrukturohet dhe një pjesë tjetër do të rritet me ritme të shpejta. Kjo do të thotë që rënia do të jetë e fortë, do të ketë ngritje, por ndërkohë rënie të disa bizneseve, që janë bizneset që goditjen e kanë nën nivelin e mesatares. Shqipëria, po të marrim parasysh këtë skenar, ka veçoritë e veta që lidhen me ambientin ekonomik. Fundviti e ka lënë ekonominë tonë me tkurrje, që mund të jetë edhe 6%. Është një klimë jo shumë e favorshme për një ngritje. Veçoria e dytë është se ne jemi goditur edhe nga tërmeti. Së treti, ka lidhje me aftësinë regjeneruese që do të kemi për të rindërtuar pasojat e tërmetit, pasi rindërtimi është element”, u shpreh Angjeli.

Edhe eksperti i ekonomisë Selami Xhepa është shprehur optimist për rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare dhe mendon se ajo do të jetë e shpejtë.

“Mendoj që pandemia do të ketë një rekuperim të shpejtë. Në vitin 2022, ekonomia do ta ketë kapërcyer krizën. Problemi është se normat e rritjes ekonomike në Shqipëri kanë rënë në mënyrë të ndjeshme, sidomos në 10 vitet e fundit. Ritmi mesatar vjetor është vetëm 2%. Shqetësimi nuk është kur do të rikthehemi, por me çfarë ritmi rritjeje do të kthehemi”, shprehet Xhepa.

Shqipëria në fund të prillit do të përballet dhe me një sfidë politike, zgjedhjet, kostoja e përgjithshme e të cilave është 35 milion euro. Kjo ngjarje me zgjedhjen e ekipit të ri qeverisës pritet të ndikojë në rimëkëmbjen ekonomike të vendit nga kriza pandemike.

Eda Merepeza