Sistemi arsimor në Shqipëri po përballet me shumë sfida për shkak të pandemisë. Një prej tyre është dhe rikthimi i mësimit online në shkollat e arsimit të lartë ku studjojnë 130 mijë studentë në të gjitha ciklet, në universitetet publike dhe private.

Komiteti Teknik i Eksperteve

Komiteti Teknik i Eksperteve

Rritja e numrit të të prekurve nga Covid 19 së fundmi edhe të moshave të reja ngriti shqetësimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë qëllim u zhvillua një dëgjesë me pjesmarrjen e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi si dhe ekspertëve të Komitetit Teknik, mbi situatën aktuale dhe zhvillimin e mësimit oline në universiteteve, nisur nga kërkesat e universiteteve për kthimin në auditore.

Kreu i shëndetësisë Ogerta Manastirliu, duke hapur takimin u shpreh se vendimet e marra janë në funksion të plotë të ruajtjes së shëndetit publik.

Për ne, në të gjithë vendimmarrjen tonë, gjatë gjithë kësaj kohe, shëndeti është i pari, në majën e piramidës të vlerave dhe të gjitha vendimet tona janë marrë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Manastirliu.

Duke bërë një pasqyrim të situates pandemike në vend, kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli argumentoi vendimin për universitetet online.

Vendimarrja nuk ka qenë e lehtë, por jemi bazuar në këto të dhëna. Situata në Shqipëri nga 6-18 Janar është paraqitur me një rritje të incidencës dy javore, gjë që në dhjetor nuk e kishim. Incidenca dyjavore ka shkuar në 291 raste për 100 000 banorë në një kohë që dy javë më përpara ka qenë vetëm 227 raste për 100 000 banorë, kjo është shoqëruar me një rritje të incidencës, sidomos në moshat 15-24 vjeç dhe në moshat 25-34 vjeç. Një tjetër faktor risku është qëndrimi në konvikte, që e shton shumë rrezikun e infeksionit dhe mundet që konviktet të shndërrohen edhe në vatra të shpërndarjes së sëmundjes”, – theksoi Rakacolli.

Pasi u njoh me argumentet e ekspertëve ministrja e Arsimit Evis Kushi, ka vlerësuar punën e Komitetit Teknik të Ekspertëve, duke shprehur vendosmërinë për ndjekjen e sugjerimeve që bazohen në evidencë.

Ne kemi shumë besim tek ju dhe jo vetëm që i vlerësojmë por i respektojmë maksimalisht dhe të gjitha rekomandimet tuaja, që lidhen me situatën në përgjithësi por sidomos dhe sugjerimet në arsimin tonë qoftë në nivelin paraunirversitar por edhe në arsimin e lartë”, tha Kushi.

Ministrja Evis Kushi garantoi se institucioni që drejton nuk mund të marrë asnjë vendim që shkon kundër analizave shkencore, duke i cilësuar argumentet e ekspertëve si të qarta, pasi prioriteti më madhor është shëndeti.

Drejtuesja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha se: “Që me shfaqen e varianteve të reja qoftë në Mbretërinë e Bashkuar, po qoftë edhe variante të reja që janë shfaqur dhe që janë gjetur në shumë vende të botës në Afrikën e Jugut, në SHBA, edhe në vende të tjera, është vënë re që mosha 15-24 vjeç dhe mosha e re jo vetëm preken, por aktualisht ata shërbejnë si vektorë, si transmetues të këtij virusi në moshat e tjera”.

Në fund të dëgjesës, ekspertët e Komitetit Teknik dhe ministrja e Shëndetësisë theksuan se vendimi për universitetet online do të vlerësohet periodikisht, duke parë dinamikën e situatës së epidemisë në vend.

Mësimi online në universitete

Mësimi online në universitete

Më të prekurit nga vendimi për zhvillimin e mësimit online në universitetet e vendit janë stafet pedagogjike dhe studentët.

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë kanë reaguar në media se duan të kthehen sa më pare në auditore, sepse sezoni i provimeve të dimrit është në prag, por atyre u është komunikuar se do të shtyhet. Ata madje janë kundër formës së re të dhënies së provimeve dhe sugjerojnë që provimet të bëhen sipas sezoneve, jo të dy sezonet të bëhen në fund të vitit akademik. Sipas studentëve. dhënien e provimeve e vështirëson edhe mungesa e kryerjes së lëndëve praktike në laboratore.

Ata kanë reaguar dhe ndaj mësimit online, të cilin e quajnë inekzistent, bazuar në përvojën e vitit të kaluar. Studentët nga rrethet po ashtu janë kundër mësimit online pasi qëndrimi i tyre në kryeqytet, në pritje të hapjes së universiteteve ka një kosto edhe më të lartë ekonomike.

Ndërkohë, Universiteti i Korçës dhe i Gjirokastrës, pas takimit me ministren Kushi kanë kërkuar hapjen e tyre duke garantuar shëndetin e studentëve.

Mësimi online në universitete nuk është një dukuri shqiptare. Për të shmangur shtimin e infektimeve nga Covid 19, në shumë vende të botës si në Britaninë e Madhe, Itali, Gjermani, Austri, Zvicër, SHBA, Kanada, e vende të tjera mësimi zhvillohet online.

Eda Merepeza