Termi “imuniteti i tufës” është bërë një objekt debatesh mes ekspertëve të mjekësisë në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Tashmë që opinioni pubik e ka orientuar më së shumti vëmendjen te vaksinimi, mjekë të njohur shqiptarë po flasin gjithnjë e më shpesh rreth imunitetit të tufës.

Epidemiologu Alban Ylli

Epidemiologu Alban Ylli

Me fillimin e vaksinimit gjithësesi duket se arritja e imunitetit të tufës nuk ka rëndësinë e disa muajve më parë. Me imunutetin e tufës, i quajtur shkencërisht seroprevalenca e infeksionit Covid-19 në qytetin e Tiranës lidhet dhe studimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, hartuar nga imunologu prof. Genc Sulçebe dhe epidemiologu Alban Ylli.

Studimi i Akademisë së Shkencave i realizuar në kushtet e vështira të pandemisë dhe me mundësi modeste financiare është i vetmi në Shqipëri, i cili hedh dritë objektivisht mbi shtrirjen e infeksionit Covid-19 në qytetin e Tiranës.

Ky studim u realizua në dy faza dhe është programuar me parametra të rreptë shkencorë. Duke folur për studimin në media njëri prej bashkautorëve të tij, epidemiologu Alban Ylli tha se bëhet fjalë për një studim të kryer në katër lagjen të Tiranës (qendrat shëndetësore 3,7,8 dhe 9) ku janë marrë si kampionë rreth 850 persona dhe ka rezultuar se 49.6% e tyre kishin krijuar imunitet ndaj virusit.

Studimi është kryer në javën e fundit të dhjetorit dhe të dhënat tregojnë se në kryeqytet ka shumë gjasa të mos ketë më valë infektimesh, por problemi qëndron në rang kombëtar, ku përllogaritet se vetëm 25% e popullatës ka krijuar imunitet.

Profesori i imunologjisë Genc Sulçebe bëri të ditura shifrat e studimit rreth imunitetit të tufës në kryeqytetin, Tiranë

Prof. Genc Sulçebe

Prof. Genc Sulçebe

Që t’i referoheshim një popullate më të gjerë zgjodhëm rastësisht 3 qendra shëndetësore, që mbulojnë së bashku një popullsi prej 258 mijë banorësh dhe në fund të 2020 pothuajse 50 për qind e popullatës urbane e Tiranës është pozitive ndaj virusit. Pra ka qenë në kontakt me këtë virus dhe mund të themi se janë persona të imunizuar tashmë”, tha prof. Sulçebe.

Ndërsa bashkautori i studimit epidemiologu Ylli bëri thirrje që popullsia të ketë vazhdimisht kujdes ndaj infektimit.

Në qytetin e Tiranës ka një imunitet gjithmonë e më të madh, i cili po përparon me shpejtësi drejt imunitetit të tufës. Në termat e Shqipërisë imuniteti është ende relativisht i ulët, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm”, tha epidemiologu Ylli.

Ai ndër të tjera tha se “Lajmi për Tiranën duket shumë mirë, se imuniteti i tufës është rreth 70% dhe epidemia pas kësaj ka prirje të frenohet dhe quhet endemi. Duhet të jemi të përgatitur për muajt të tjerë të këtij dimri pasi mund të kemi valë të tjera sidomos në qytete të tjera të mëdha por nuk përjashtohet dhe Tirana pasi gjysma e popullatë së saj është ende vulnerabël”.

Autori tjetër i studimit, prof. Genc Sulçebe deklaroi para pak ditësh në media se si kryeqyteti ashtu dhe Shqipëria është ende shumë larg imunitetit kolektiv të tufës që duhet të jetë 70%.

Sipas tij, për këtë duhen edhe disa muaj, teksa si shpresë të vetme për t’u arritur një imunitet i plotë sheh vetëm vaksinën, edhe pse e pranon se rastet nuk do të zhduken plotësisht.

Lidhur me këtë ai është shprehur se "sa kohë na duhet në 70%. Duhen disa muaj. S’mund të ketë imunitet të plotë. Duhet të ndërhyja vaksina. Vaksina është mjeti më i mirë, më i shpejtë, për imunitetin kolektiv të tufës. Që do bëjmë stopim të infeksionit. Nuk do zhduket, por rastet do jenë më të rralla”.

Eugena Tomini ISHP

Eugena Tomini ISHP

Duke parë konkretisht situatën e Covid 19 në spitalet ku trajtohet, shefja e Survejancës në ISHP-së, Eugena Tomini deklaroi se Shqipëria është larg imunitetit të tufës përballë pandemisë së koronavirusit.

Në një intervistë Tomini tha se ditët e fundit është vënë re një tendencë në rritje të rasteve me COVID.

Edhe nga të dhënat e deklaratat e MSH-së, ju keni vënë re që kemi një tendencë në rritje të rasteve pozitive. Që pas fillimit të kësaj jave kemi pasur tendencë në rritje. Situata është në alert, pasi kemi transmetime. Imuniteti i tufës do të ishte kënaqësi për të gjithë, do ishte arritje. Pandemia po vijon me valë të saj, me një intensitet ku transmetueshmëria është e lartë. Jemi larg imunitetit të tufës, pavarësisht transmetueshmërisë së lartë”, -tha Tomini.

Kirurgu shqiptar në Milano Albert Troci ka folur për mediet shqiptare rreth imunitetit dhe vaksinës antiCovid. Në Itali janë bërë disa studime. Në disa zona si Lombardia rreth 20% e kanë kaluar Covidin, në disa zona është më i ulët, sidomos jugu. Ajo që do të na çojë në imunitetin e tufës janë vaksinat. Pretendojmë të arrijmë shifrën 60-850% që do të na çonte në daljen nga pandemia dhe kthimin në jetët tona.

Edhe “imuniteti i tufës” përballet me teori pro dhe kundër, ashtu si është bërë tashmë zakon të trajtohet çdo gjë e lidhur me koronavirusin.

Imuniteti i tufës

Imuniteti i tufës

Ndërsa disa vende të botës po përballen me rritje të rasteve të të prekurve me koronavirus dhe masa të rrepta shtrënguese për parandalimin, shkencëtari amerikan William Haseltine deklaroi para pak kohësh për CNN se koronavirusi është kompleks

Unë them që këtë virus ti e merr dhe trupi yt e harron. Ky nuk është një virus standard ndaj të cilit mund të fitohet imuniteti i tufës. Nuk ka prova të imunitetit të tufës për viruset korona. Nuk ekziston,” tha Haseltine.

Ai vazhdon më tej: “Çdo vit, të katër Koronaviruset kthehen dhe na japin ftohje…Nëse merrni një prej tyre, mund të shkaktojë të njëjtën sëmundje vitin që vjen. Ne e dimë nga studimet që imuniteti i fituar mund të zbehet në dy muaj. Nuk zhduket, por zbehet në një periudhë kaq të shkurtër. Pra, nuk ekziston diçka e tillë si imuniteti i tufës. Është një fantazi. Ndodh për disa viruse. Nuk duket sikur do të ndodhë për këtë”, ka theksuar shkencëtari amerikan.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH deklaroi se i ashtuquajturi imunitet i tufës arrihet vetëm po të kryhet vaksinimi I 70% i popullsisë. Një përqindje 60-70% është e nevojshme për një luftim të efektshëm të virusit të koronavirusit, përsëritën drejtues të saj. Vetëm në nivele të tilla, vaksinimi, virusi nuk do të përhapet aq shpejt.

“Vaksinimi do të ketë një efekt të madh, por mendoj, se askush nuk mund të premtojë shuarjen e virusit, për sa kohë që nuk kemi kuptuar më shumë për të", tha koordinatori i OBSH-së Mike Ryan.

Përtej të gjitha studimeve apo debateve duket se vlerë më të madhe se sa imuniteti i tufës ka vaksinimi i popullsisë, që do të ulë ndjeshëm prekjen e individëve nga Covid 19.


Eda Merepeza