Divjaka është një qytet i ri por që ka një histori të lashtë që lidhet me qytetin e humbur Arnisa dhe me “Via Egnantian” e Romës së Vjetër. Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj. Parku Kombëtar i Divjakës konsiderohet si zonë unikale, nga më të rëndësishmet në bregdetin shqiptar dhe Mesdhe, për diversitetin e lartë, llojet e bimëve endemike habitare të larmishme dhe kolonitë e Pelikanëve Kacurrel.
Pelikani kacurrel, një pasuri e Divjakës
Ky park Kombëtar është shpallur një zonë Ramsar e mbrojtur nga UNESCO dhe konsiderohet si një nga ekosistemet më të rëndësishme dhe më interesante për shumëllojshmërinë e bimëve, bukuritë dhe mjediset çlodhëse.
Historia
Divjaka ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër. Vetë emri i saj rrjedh pikërisht nga kjo rrugë, e cila lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana, ose Peqini i sotëm. Divjaka ose “Due Vie”, Dy Vijat (Dyvjakë), shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri. Në vargkodrën që nis nga Apolonia e përfundon në Karpen, ka gjurmë të rrugës Egnatia dhe disa kisha me themele të periudhës Justiniane si ajo e Shëngjergjit, Shënmërisë, Shënkollit, Shënmëhillit, Shënpremtes etj.
Të dhënat mbi ekzistencën e këtij qyteti nuk përfundojnë vetëm duke u bazuar mbi të dhënat në lidhje me prejardhjen e emrit, por ekzistencën e tij e dëshmojnë më së miri gjetjet e shumta arkeologjike që në kohët e hershme. Nga zbulimet arkeologjike interes të veçantë paraqet fytyra e një femre në reliev, Erinia, perëndesha e hakmarrjes e skalitur në një bllok të vogël guri gëlqeror. Kjo vepër është gjetur në murin e jashtëm të Kishës së Divjakës.
Një zbulim i veçantë janë edhe enët e qeramikës, sëpata guri, enë balte etj., të zbuluara në zonën e Divjakësqë datojnë në periudhën neolitike deri në ditët e sotme e që ruhen ende në kushte të mira aktualisht në muzeun e Lushnjës. Po kështu janë gjetur heshta, hanxharë, pjatat e kandilat të cilat I përkisnin shekullit III-II para erës sonë.
Parku Kombëtar Divjakë Karavasta
Një fakt tjetër interesantë është një gurë i gjetur në Divjakë me mbishkrimin latin i cili është një gurë rruge dhe dëshmon se në këtë zonë ka pas kaluar një rrugë që lidhte Apollonin me Dyrrahun (Durrësin) dhe thuhet se ka qenë një degë e rrugës Egnantia që shkonte për në Skampa (Elbasan). Në një bllok tjetër guri qëlqeror po në numrin e kishës paraqitet në reliev portreti i Perandorit Ilir, Kostandini i Madh (306-332) i veshur me këmishë popullore ilire.
Përveç gjetjeve të shumta arkeologjike, sipas dokumenteve turke të vitetve 1441-1450 del se Divjaka ka qenë pronë e një të quajturi Dhimitër Prespa. Më pas kaloi në pronësinë e një fare Zakonas Beu, i cili përmendet në historinë për marrëdhënie me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Nga viti 1450 i shekullit XV qyteti mbeti në duart e një të quajturi Zurgo, më vonë pas vitit 1450 u bë pronë e nënës së Sulltanit. Të gjitha këto të dhëna tregojnë se ky vend ka qenë i populluar që në lashtësi dhe ka vlera të rralla historike.
Kulturë dhe traditë
Divjaka është një zonë që njihet për zakone dhe tradita të shumta të trashëguara që në lashtësi. Banorët e kësaj zone kanë ditur ti ruajnë këto traditat cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Askush nuk mund ta njohë mënyrën e jetesës së tyre nëse nuk kalon një kohë të gjatë me ta. Këto zakone e tradita të ndryshme i kanë rrënjët që në lashtësi. Ato që kanë mbetur që nga lashtësia janë veshja e tyre. Veshjet karakteristike të Divjakës janë veshje tipike Myzeqare dhe mjaft të veçanta në llojin e tyre duke marrë parasysh të qëndisurat shumëngjyrëshe në veshjet e femrave, dhe shamitë e tyre të bardha, kapelet e këpucët (opingat) e meshkujve janë gjithashtu tepër të veçanta për këtë zonë. Besimi fetar është një aspekt tjetër i rëndësishëm që Divjaka ka trashëguar në kohë. Pjesa më e madhe e banorëve vendas të këtij qyteti janë të besimit të krishterë ortodoks.
Turizmi
Parku Kombëtar i Karavastasë në Divjakë
Qyteti i Divjakës gjendet në një reliev të mahnitshëm ku harmonizohen bukur, dielli, rëra, deti, pylli dhe me një klimë të butë. Me një nga parqet natyrore më të bukur në vend, ky qytet tashmë është kthyer në një nga vendet më të vizituara për turizmin e vëzhgimit të shpendëve ujorë apo kafshëve të egra. Jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave aromëmirë, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, por ka një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar, Divjaka tërheq mjaft vizitorë të huaj.
Turizmi i vëzhgimit dhe ai i historisë, po bëhen trendi i turizmit në këtë zonë. Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar, natyror, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë.
Objektivi kryesore është “Pelikani Kaçurrel” por jo vetëm ai, janë dhe shpendë të tjerë si Flamingot, të cilët gjallërojnë strugat e ëmbla, Rosat e Egra, Çafkat, Karabullakët e të tjerë. Rreth 120 Pelikanë Kacurrel jetojnë në Lagunën e Karavastasë në Divjakë, sipas shoqatës Ornitologjike Shqiptare. Ky lloj është në listën e kafshëve gati në zhdukje nga Unioni Ndërkombëtar për Konservimin e Natyrës. Turistët e huaj që vizitojnë për herë të parë në Divjakë, befasohen nga natyra, flora dhe fauna e rrallë.
Çdo fundjavë janë me dhjetëra vizitorë vendas e të huaj, që shkojnë të vëzhgojnë nga afar shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur. Ajo që të ofron Divjaka, është një qetësi dhe komoditet, si dhe një ushqim të shëndetshëm bio. Plazhi I Divjakës shtrihet në një vijë bregdetare prej 23 km dhe gjerësi që shkon deri në 100m dhe me një rërë që vendasit e quajnë “kum”. Rëra e bredetit të Divjakës është shumë e pasur me jod dhe është tepër curative. Pushues vendas e të huaj janë të pranishëm në këtë zonë për tu relaksuar në qetësinë që të fal pylli me pisha, për të parë mrekullitë magjepse të luginës së Karavastasë si dhe për të shijuar ushqimin tradicional.
Plazhi i Divjakës
Kulinaria e kësaj zone është mjaft e pasur produkte te freskëta, peshku është ai që nuk mungon tryezës por edhe prodhimet e tjera të detit si ngjala, karakaleci, kallamara, oktapodi e deri te tek mishrat si zogu i fushës, fazani, mishi i qengjit, derrit, bretkosat etj. Ndërkohë flamingot dhe pelikanët kaçurrelë që popullojnë lagunën e Karavastasë kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në këtë park. Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të viti.
Elida Lazi