Historia e Arturit është shembulli real, se si dëshira e atyre që Shqipërinë e shohin si destinacion për të përmbushur ëndrrën dhe tokën një minierë të pasur, që mund të prodhojë bimë të shëndetshme e të veçanta.
Fermeri Artur Daulle
Nga emigrimi ku mori përvojën e punës, Arturi u kthye në vendlindje në Berat, për të kultivuar kivin, e sot na jep një mesazh për investimet në atdheun e tij, në tokën pronë të familjes së tij.
Artur Daulle i lindur në Berat, zotëron 8 dynym tokë të mbjellë me kivi prej të cilave merr një prodhim prej 30 deri në 40 tonë kivi.
Ai tregon se e ka sjellë për herë të parë në Shqipëri, kultivimin e kivit në plantacion, në vitin 2003, pas kthimit nga emigracioni ku jetonte dhe punonte në një zonë të Greqisë, që njihej për prodhimin e kivit dhe agrumeve.
“Fillimisht idenë për tu marrë me prodhimin e kivit e konsultova me familjen time, të cilët më mbështetën dhe kështu nisa punën me një studim paraprak që nga cilësia e tokës, kushtet klimaterike, teknikat e mbjelljes së kivit etj"-thotë Arturi.
Plantacionet me kivi
Ndërsa vlerëson faktin se me mbështetjen e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) arriti të kishte vërtetë një investim të suksesshëm.
Ai është përfitues i mbështetjes së parë nga AZHBR, për dorëzimin e prodhimit dhe mbështetjen e dytë financiare nga AZHBR e ka marrë për ujitjen me pika.
Sot, falë dëshirës dhe vendosmërisë por edhe mbështetjes së AZHBR, Arturi ka modernizuar ndër të tjera edhe sistemin e ujitjes me pika në parcela duke siguruar një prodhim të kënaqshëm të kivit.
Investimi i tij në parcela me kivi ka rezultuar produktiv dhe është një shembull i mirë që po përqafohet edhe nga fermerë të tjerë në zona të ndryshme të vendit.
Arturi i tregton ato jo vetëm në tregun vendas por kivit nga ferma e tij tashmë eksportohen edhe në vendet e rajonit dhe më gjerë. Skemat e mbështetjes në bujqësi, kanë rritur interesin e fermerëve për kultivimin e kivit, duke e kthyer atë nga një frut ekzotik 100% të importuar, sot të eksportuar edhe nga Shqipëria.
Kivi
Sipas të dhënave statistikore mbi 34 tonë kivi janë eksportuar gjatë këtij viti nga Shqipëria, kryesisht drejt vendeve të rajonit, por gjeografia e shteteve po zgjerohet me Bosnjen dhe Ukrainën.
Skemat ndihmëse për fermerët, shoqëruar me politika zbutëse që ulin kostot e punës, i kanë dhënë qartë rezultatet.
Kivi kultivohet në vend sidomos në zonën Lushnjë – Fier- Berat , në rajonin Tiranë – Durrës, por edhe në Vaun e Dejës dhe Pogradec.
Gjithashtu ka nisur të kultivohet nga fermerët e zonës së Vlorës, ndërsa sipërfaqe të konsiderueshme që arrijnë në 10 dynym janë mbjellë me kivi në fshatin Tapi, të Kuçovës. Sipas ekspertëve kivi i prodhuar në Shqipëri është më kokërrvogël se fruti i importuar. Megjithatë, vlerat janë të njëjtat.
Fermerët iniciatorë që guxuan të merren me prodhimin e kivit shprehen se, suksesi i kultivimit të kësaj frute bazohet në dy aspekte, thjeshtësia në rritje dhe aftësia e bimës për të mos ‘kapë’ asnjë sëmundje duke garantuar prodhim cilësor.
Por nga ana tjetër theksojnë ata, impakti që ka dhënë mbështetja e qeverisë me Skemat e Financimit është një nxitje për investime me standarde bashkëkohore që garantojnë një zhvillim të qendrueshëm të prodhimit dhe eksportit të kivit “Made in Albania” .
Etleva Xhajanka