Në mes të dhjetorit, udhëheqës të shumë vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe udhëheqës të qarqeve të biznesit morën pjesë në Samitin e Ambicies për Klimën të organizuar në mënyrë virtuale, që synonte marrjen e angazhimeve të reja për përballjen e ndryshimit klimatik dhe zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.
Samiti, i organizuar nga OKB-ja, Britania dhe Franca, në partneritet me Kilin dhe Italinë, dërgoi një sinjal të qartë që Marrëveshja e Parisit po funksionon, për të shtuar veprimet mbi çështjen klimatike.
“Së bashku mund të shfrytëzojmë përparimet shkencore për të mbrojtur planetin tonë, biosferën tonë, prej një sfide shumë më serioze dhe më shkatërruese se koronavirusi”, theeksoi kryeministri britanik Boris Johnson në fjalimin e tij të mbajtur në samit.
Mirëpriten përpjekjet e Pekinit
Samiti tregoi se një sfidë si ngrohja globale “mund të lidhë vendet, grupet dhe individët për një kauzë të përbashkët”, tha për “Xinhua”-në Martin Albrow, një sociolog i njohur britanik.
Për këtë kauzë, vendet si Kina dhe ato europiane po ndërmarrin veprime.
Kina synon të arrijë kulmin e lëshimit të dioksidit të karbonit deri në fund të vitit 2030 dhe të realizojë asnjanësimin e karbonit brenda vitit 2060. Ajo bëri edhe premtime të mëtejshme për vitin 2030, për të kontribuuar më shumë në përballimin e sfidave globale nga ndyshimi klimatik. Në krahasim me 2005-n, Kina do të ulë lëshimin e saj të dioksidit të karbonit për njësi të PBB-së me mbi 65 për qind, do të rrisë pjesën e lëndëve djegëse jofosile në konsumin e përgjithshëm të energjisë në rreth 25 për qind, do të rrisë vëllimin e rezervës pyjore me 6 miliardë metra kubë dhe do ta shtojë kapacitetin e përgjithshëm të instaluar të energjisë diellore dhe të energjisë së erës në mbi 1.2 miliard kilovatë.
Këto zotime janë mirëpritur nga ekspertët ndërkombëtarë.
Fakti që Kina po merr kaq shumë masa, po ndihmon në ndryshimin e mentalitetit të popujve në botë, që të jenë më të kujdesshëm për këtë çështje, e cila ka rëndësi kyçe për të ardhmen e shoqërive tona, tha profesori Leon Laulusa, zv.presidenti ekzekutiv i Shkollës së Biznesit ESCP me seli në Paris, një ndër shkollat më prestigjioze të biznesit në Europë.
Panele fotovoltaike në Zhejiang të Kinës Lindore
Ndërkohë, liderët e Bashkimit Europian arritën një marrëveshje për të ulur të paktën me 55% shkarkimin e gazrave serrë brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm krahasuar me 1990.
Vendet anëtare e miratuan këtë propozim të Komisionit Europian për të nxitur objektivin afatmesëm të Unionit si pjesë e objektivit afatgjatë për realizimin e asnjanësimit të karbonit deri në fund të vitit 2050.
Fusha të gjera për bashkëpunim
BE-ja dhe Kina janë zotuar të arrijnë lëshim neto zero të dioksidit të karbonit, gjë që ka hapur fusha të tjera për të thelluar bashkëpunimin, vuri në dukje Laurence Tubiana, ish-negociatori i Francës për çështjen e ndryshmit klimatik në një artikull për uebsajtin “Project Syndicate”.
Bashkëpunimi nuk ka nevojë të kufizohet në nivel shtetëror, por mund të zgjerohet te partneriteti ndërmjet qyteteve, rajoneve, provincave dhe industrive, shtoi Tubiana.
Në shtatorin e sivjetshëm, dega e “Volkswagen”-it në Kinë deklaroi se planifikon të investojë rreth 17.5 miliardë dollarë amerikanë në fushën e automjeteve elektrike në periudhën 2020-2024.
Duke ndjekur një strategji për elektrifikimi dhe digjitalizimi, “Volkswagen”-i planifikon të prodhojë në Kinë 15 modele të reja automjetesh me energji të re para fundit të vitit 2025, duke bërë që 35% e produkteve të tij në Kinë të jenë me energji elektrike.
“Kur Kina dhe vendet e tjera të botës po përballen me sfidat për t’u mëkëmbur nga pandemia e COVID-19, mund të shohim se investimet në kapitalet e vazhdueshme fizike dhe natyrore sjellin rezultate të shpejta, duke krijuar shumë vende pune. Investimet e vazhdueshme janë një rrugë drejt rimëkëmbjes ekonomike”, shkruan në një analizë Nicholas Stern, drejtori i Institutit Studimor mbi Ndryshimin e Klimës dhe Mjedisin “Granthan” pranë Shkollës së Ekonomisë dhe të Shkencës Politike të Londrës (LSE).
Sektori i energjisë së përtëritshme është një fushë kryesore për bashkëpunimin “e gjelbër” midis Kinës dhe vendeve europiane.
Në marsin e vitit 2019 u hap në Yantai të provincës Shandong të Kinës Lindore Qendra e Studimeve “TUS-ORE Catapult”, një projekt britaniko-kinez për studimin e energjisë së erës.
Prodhim i elektrikut me energji të erës në Anhui të Kinës Qendrore
Ajo është një qendër udhëheqëse në studimin dhe zhvillimin e teknologjisë së energjisë së përtëritshme, me lidhje unike që kombinon mbështetjen nga Britania dhe Kina gjatë zhvillimit të industrive të tyre në fushën përkatëse.
Kjo qendër do të zhvillojë programe të përbashkëta studimore, do të mbështesë hyrjen në treg dhe kultivimin e bizneseve britanike në Kinë dhe do të ofrojë mbështetje komerciale për kompanitë kinezë të energjisë së erës.
“Kina është një ndër tregjet më të mëdha të energjisë së përtëritshme dhe të dhënat tona tregojnë se ajo do të ruajë vendin e parë në vitet e ardhshme”, vuri në dukje Heymi Bahar, analist i lartë për tregjet dhe politikat e energjisë së përtëritshme në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).
Në të ardhmen, Kina do të përshpejtojë zhvillimin e një ekonomie të vazhdueshme, me lëshim zero, ripyllëzim të vazhdueshëm, zhvillim të bujqësisë organike dhe ngritjen e ndërtesave që mbrojnë mjedisin, vuri në dukje Hans-Josef Fell, themeluesi i institutit gjerman të studimit të politikave “Energy Watch Group” në një intervistë për “Xinhua”-në. Sipas tij, tregtia e teknologjive dhe produkteve mjedisore midis Kinës dhe pjesës tjetër të botës do të krijojë shumë vende pune.(Zhang Yan/Artan)