Jemi në kulm pandemie në të gjithë botën, po futemi në palcën e dimrit dhe turizmi ka shënuar rënie dramatike në gjithë botën. Kjo gjë pasqyrohet edhe tek treguesit e shifrave për numrin e vizitorëve në vendin tonë, për muzeumet dhe sitet arkeologjike, i cili është reduktuar ndjeshëm.

Kalaja e Gjirokastrës

Kalaja e Gjirokastrës

Në fillim të këtij viti, kur pandemia ende nuk kishte mbërritur në Shqipëri, Ministria e Kulturës vendosi të rriste të gjitha çmimet e biletave në muze, parqe arkeologjike dhe kala. Çmimi i biletave individuale u dyfishua dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh asokohe se e gjitha u bë për të plotësuar kërkesën e institucioneve në varësi, që nuk mund të përballonin mirëmbajtjen e tyre.

Mirëpo për shkak të situatës post-Covid dhe krizës ekonomike të krijuar gjatë periudhës së izolimit, Ministria e Kulturës po ndjek strategjinë e çmimeve të reduktuara sërish, për muzetë dhe sitet arkeologjike.

Për të rikthyer vëmendjen tek vizitorët vendas, por për të tërhequr edhe më shumë ata të huaj, janë vendosur paketa të reja çmimesh për çdo muze, kala dhe park arkeologjik.

Konkretisht Ministrja e kulturës Elva Margariti tregon se u vendos të ulet çmimi i biletave për muzetë dhe parqeve arkeologjike, si dhe u shpërndanë falas bileta për Bashkitë Gjirokastër, Durrës e Krujë. Më tej ajo jep detajet:

“Promovimi i trashëgimisë sonë kulturore dhe zhvillimi i turizmit kulturor janë prioritetet tona. Viti 2019 me mbi 1 milion vizitorë në muze, site arkeologjike, na tregoi edhe një herë se turizmi kulturor është motor zhvillimi dhe është një shtyllë kryesore e ekonomisë sonë.

Kemi ndërmarrë shumë nisma mes të cilave edhe ndryshimin e tarifave të biletave dhe shtimi sa më shumë i shërbimeve.

Oferta për muzeume

Oferta për muzeume

Biznesi vendor duhet mbështetur, ndaj dhe në një sërë bisedash me përfaqësues të operatorëve turistikë, por edhe me bizneset lokale, vendosëm që të ulim sërish çmimet e biletave, për të kthyer vëmendjen kësaj radhe tek turisti vendas, drejt pasurive të vendit tonë.

Është një paketë e plotë ofertash, me ulje çmimesh dhe ditë falas në vazhdim për të gjithë vizitorët. Sepse për herë të parë të gjithë muzetë mund të vizitohen më një çmim nga 200-300 lekë dhe për herë të parë 11 kala, parqe, amfiteatro me biletari manuale, do të mund të vizitohen me çmimin simbolik prej 100 lekësh.

Për herë të parë parku i Butrintit do të ketë një paketë të posaçme dhe mund të vizitohet me një çmim prej 400 lekësh. Kemi krijuar një paketë të re, e cila është kategoria në grup + 50 persona, për biletat online.

Kjo për parqet si Apolonia, Butrinti, Kalaja e Gjirokastrës, e Shkodrës dhe e kemi fokusuar gjithnjë e më tepër promovimin e turizmit tonë, duke e mbështetur atë, në biletarinë tonë on line. Një nga shërbimet e reja të Ministrisë së Kulturës që nga viti 2019 që është kanali më i drejtpërdrejtë me këto agjenci”, sqaron Margariti.

Kjo nismë e Ministrisë së Kulturës, e nisur për të ndihmuar menaxhimin e muzeumeve dhe parqeve arkeologjike, pritej të kishte efekt më të madh në financat e tyre.

Gjatë gjashtë mujorit të dytë të 2020, numri i vizitorëve ka qenë sërish u vogël, gjë që lidhet me frikën e pandemisë, por edhe reduktimin e aktiviteteve.

Sipas të dhënave të INSTAT dhe Ministria e Kulturës për gjashtë muajt e parë të këtij viti, shënohet një bilanc negativ me 90% humbje, bazuar nga shitja e biletave.

Vizitorë në muze

Vizitorë në muze

Galeria Kombëtare e Arteve, si i vetmi institucion ku pasqyrohet historia e artit pamor, ka shënuar një tkurrje të numrit të vizitorëve.

Edhe Muzeu Historik Kombëtar, krahasuar me një vit më parë shifrat, janë të largëta.

Ndërkohë që Muzeu Historik Kombëtar, përgjatë vitit 2019 është vizituar nga 72. 613, persona ku 44 mijë janë turistë të huaj.

Përkthyer në terma financiar humbja rezulton me rreth 90 për qind. Pjesa më e madhe e të ardhurave nga biletat shkojnë për mirëmbajtjen.

Në 6-muaj, nga rreth 79 milion lekë të ardhura për 2019-n, për 2020-n janë rreth 11 milion lekë të ardhura, ndërsa humbjet rreth 68 milionë lekë.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalanë e Gjirokastrës, atë të Lëkurësit në Sarandë, kalanë e Krujës, të Beratit, Elbasanit, kalaja e Petrelës në Tiranë, ajo e Ali Pashës në Tepelenë, kalaja e Rozafës në Shkodër etj.

Ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeun Etnografik në Berat, muzetë arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeun e armëve dhe atë Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj.

Deri para fillimit të pandemisë, këto parqe mirëprisnin vizitorë të huaj dhe vendas pasi Shqipëria ka një potencial turistik gjithëvjetor, por që nga muaji mars ata ndodhen në vështirësi për shkak të tkurrjes së numrit të vizitorëve.

Parku Arkeologjik i Butrintit

Parku Arkeologjik i Butrintit

Nisma e Ministrisë së Kulturës për të ulur çmimet e biletave apo për të ofruar bileta falas, i shërben pikërisht nxitjes së turistëve, të cilët po hezitojnë tu drejtohen atraksioneve të tilla kulturore.

Kur pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e këtij viti, akoma nuk dihet nëse edhe gjatë viti të ri 2021, ministria do të vijojë me të njëjtin plan masash, të uljes së tarifave.

Një gjë është e sigurtë, se vetëm zhdukja totale e pandemisë, do të ndihmojë muzeumet, parqet arkeologjike dhe institucionet e tjera kulturore, të kthehen në normalitetin e tyre, ku njerëzit të shkojnë e ta vizitojnë normalisht me një biletë në dorë.