Pandemia Covid- 19 ka goditur buxhetin e qeverisjes vendore edhe pse jo në nivelet që ka prekur buxhetin e qeverisjes qendrore. Të dhënat e raportit 9 mujor, të përgatitur nga Projekti Financat Lokale i financuar nga SECO/Qeveria Zvicerane, të cilat e analizojnë treguesit financiarë të pushtetit vendor, tregojnë se ka pasur problem në lidhje me të ardhurat por edhe shpenzimet gjatë vitit të pandemisë.


Ecuria e shpenzimeve të pushtetit vendor

Ecuria e shpenzimeve të pushtetit vendor

Sipas raportit, për 9 mujorin e vitit 2020 janë realizuar 73% e planit vjetor (rreth 16.7 mld lekë), në raport me një vit më parë për të njëjtën periudhë, të ardhurat në total për bashkitë rezultojnë me një rënie prej 2.2 mld lekësh.

Efekti i COVID-19 dhe mbyllja që iu bë ekonomisë, rënia e konsumit si dhe masat e ndërmarra kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e taksave mbi të gjitha, të taksave vendore që këtë 9 mujor kanë rënë me 14% dhe më pas taksa e pasurisë me rreth 7% krahasuar me një vit më parë.

Të ardhurat e bashkive tregojnë se zërin kyç në të ardhurat e mbledhura nga “Taksa e ndikimit në infrastrukturë” ne rreth 36.8% të totalit (6 mld lekë) dhe më pas e zë “Taksa mbi ndërtesën” me rreth 18% të totalit (2.9 mld lekë).

Bashkia e Tiranës zë peshën më të madhe në mbledhjen e të ardhurave nga pushtetin vendor. Ajo ka mbledhur 10.9 mld lekë gjatë 9 mujorit të parë 2020. Për vetë Bashkinë e Tiranës zërin kryesor tek të ardhurat e zë “Taksa e ndikimit në Infrastrukturë” që kap vlerën e 4.8 mld lekësh apo thuajse ½ të totalit të të ardhurave për Bashkinë Tiranë dhe gati 26% e totalit të të ardhurave për të gjitha bashkitë.

61 bashkitë e Shqipërisë në raport janë organizuar në bazë të popullsisë dhe janë ndarë në tre grupe. Sipas raportit bashkitë me mbi 100 mijë banorë, që janë 11 të tilla bashkë me Tiranën kanë realizuar 83% të të ardhurave dhe kanë barrën kryesore. Ndërkohë që 37 bashkitë me një popullsi nën 50 mijë banorë kanë grumbulluar për 9 mujorin 2020 gati 1.8 mld lekë ose e thënë ndryshe 24.8% të të ardhurave totale të pushtetit vendor. Sa i përket shpenzimeve bashkitë kanë përmbushur rreth 77% të planit vjetor dhe janë vetëm 2% më pak se sa një vit më parë. Kjo tregon se pushteti vendor nuk është prekur dhe aq në shpenzimet për programet e tij.

Ndarja administrative n Shqipëri

Ndarja administrative në Shqipëri

Por gjithsesi duket se thuajse 40% të shpenzimeve e kanë zënë ato për paga ndaj personelit kurse investimet zunë 9.4% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor. Një raport ky që është 24% më i ulët se sa 9 mujori i një viti më parë.

Për këtë vit struktura e shpenzimeve ka ndryshuar duke u rritur pesha e shpenzimeve nga transfertat e buxhetit qendror 57% dhe duke u ulur ajo e shpenzimeve nga të ardhurat e veta. Zërat që janë prekur më shumë nga pushteti vendor për 9 mujorin 2020 kanë qenë mbrojtja e mjedisit, çështjet ekonomike dhe rendi e siguria. Ato kanë marrë 28% më shumë të buxhetit se sa një vit më parë për të njëjtën periudhë. Kjo ka ndikuar në rënien e “Shërbimeve të Përgjithshme Publike”.

Ndërkohë në një raport të KLSH-së, shumica e bashkive janë në vështirësi financiare prej borxheve të larta që ato trashëgojnë. Sipas raportit nga 61 bashki që janë gjithsej, 42 prej tyre janë në vështirësi financiare për shkak se kanë borxhet afatshkurtra dhe afatgjata, në mbi 25% të fondit vjetor të miratuar, ndërsa 7 prej tyre janë në kolaps financiar. Situata më e përkeqësuar është në bashkinë e Vorës dhe atë të Kamzës.

KLSH ka verifikuar se, borxhet e akumuluara nga bashkitë janë shumë më të larta sesa raportimet që ato kanë bërë në Ministrinë e Financave. Auditi ka gjetur se borxhe afatshkurtra dhe ato afatgjata kanë arritur në mbi 17 miliardë lekë, ose 137 milion euro në fund të vitit 2019.

Sipas vlersimit të KLSH-së, 35 bashkitë janë në vështirësi financiare ku stoku i detyrimeve, përfaqëson mbi 25-45% të shpenzimeve faktike. Nga këto bashkitë më të mëdha janë Tirana, Elbasani, Vlora, ndërsa të tjera më të vogla janë Lushnja, Berati, Tropoja, Lezha etj. Pa probleme financiare, ku stoku I detyrimeve sipas vlerësimit të KLSH-së përfaqëson nën 15% të shpenzimeve faktike, janë vetën 19 bashki, ku përfshihen Durrësi, Fieri, Korça, Gjirokastra Kruja etj.

Pandemia dhe pushteti vendor në grafikë (Foto Klantv)

Pandemia dhe pushteti vendor në grafikë (Foto Klantv)

Ndërkohë sipas vlerësimeve të KLSH-së, në vështirësi serioze financiare ku stoku i detyrimeve përfaqëson mbi 80% të shpenzimeve faktike janë, Bashkia Shkodër, Vorë, Mirditë, Kavajë, Poliçan dhe Bashkia e Urës Vajgurore. KLSH vlerëson se stoku i detyrimeve të prapambetura vetëm për bashkitë në fund të vitit 2019 është minimalisht 12 mld lekë, por mund të jetë edhe më i lartë për shkak të problematikave në raportim të konsatatuara nga KLSH në lidhje me llogarinë 486. Për këtë arsye nuk jepet siguri për vlerën e detyrimeve të prapambetura për pushtetin vendor.

Diferencat më të mëdha në raportim rezultojnë nga të dhënat e Bashkisë Tiranë, me rreth 848 milion lekë diferencë, Bashkisë Vorë me rreth 584 milion lekë diferencë të paraportuara, Bashkisë Kamëz me rreth 453 milion lekë diferencë të parapotuara dhe Bashkisë Shkodër me rreth 325 milion lekë.

Ndërkohë kjo e fundit sqaron se Bashkia Shkodër, për vitin 2019 ka pasur performancën më të mirë financiare dhe borxhet në raport me shpenzimet faktike për viti 2019 ishin 13% dhe jo 142% siç raportoi në Kuvend KLSH. Sipas Bashkisë Shkodër, në raport KLSH ka shënuar gabim vlerën e shpenzimeve faktike për vitin 2019, dhe për këtë arsye raporti është përllogaritur gabim. Bashkia Shkodër pretendon se raporti borxh/shpenzime që tregon cilësinë e menaxhimit financiar e rendit atë në mesin e 19 bashkive me performance më të mirë për vitin 2019, ku detyrimet janë më të vogla se 15% e shpenzimeve faktike.


Elida Lazi