Dr. Alketa Mezini me Bordin e Drejtorëve të Academy of Family Physician në Nju Jork

Dr. Alketa Mezini me Bordin e Drejtorëve të Academy of Family Physician në Nju Jork

Alketa Mezini është mjeke drejtuese e Planifikimit Shëndetësor në Rhode Island të SHBA-së, njëherësh që nga viti 2015 është anëtare e Bordit të Drejtorëve të Rhode Island Academy of Family Physician.

Qysh nga fillimi i epidemisë Covid 19 në SHBA Dr. Alketa Mezini dhe stafi me të cilin punon kanë qenë të angazhuar maksimalisht në ndihmë të pacientëve. Puna e mjekes me origjinë shqiptare konsiston në menaxhimin dhe drejtimin e projekteve me kompleksitet përmes ndërthurjes së ndihmës mjekësore, kujdesit shëndetësor dhe shkëmbimeve. Në përditshmërinë e saj dr. Alketa Mezini siguron konsulta dhe jep kontributin si eksperte mjekësore për përgatitjen e dokumenteve rregullatore, duke siguruar informacione thelbësore mjekësore për protokollet mjekësore, analizat statistikore, raportet e studimit klinik. Por pandemia u bë pjesë e punës së përditëshme të saj, sepse është pjesë e Task Force Covid 19. Për Radio Ejani nga Rhode Island ku jeton dhe punon, dr. Alketa Mezini u përgjigjet pyetjeve për situatën e koronavirusit.

CMG: Si po punoni në kushtet e Covid 19?

Dr. Alketa Mezini

Dr. Alketa Mezini

Dr. Alketa Mezini: Covid 19 është pjesë e punës sime të përditshme në Task Force në Rhode Island në SHBA. Puna jonë lidhet me menaxhimin e popullatës, identifikimin dhe shtrirjen e pacientëve që kanë nevojë për ndihmë. Për këtë qëllim kemi krijuar një sistem që mbështet qytetarët të testohen, të kenë akses te mjeku i familjes, të edukohen përmes izolimit, në mënyrë që të tejkalojnë vështirësitë që ka sjellë pandemia. Ne si Task Force Covid 19 përfaqësojmë rreth 200 mijë pacientë, që kanë më shumë nevojë sa i përket nivelit ekonomik, kulturor, si dhe nga grupe të margjinalizuara. Qysh nga vjeshta merrem me drejtimin e punës së menaxherëve që komunikojnë me pacientët. Shikoja rreth 130 pacientë çdo javë të testuar me Covid 19, përmes të dhënave elektronike mjekësore. Bazuar në gjendjen klinike të tyre zgjidhja ata që kishin nevojë për trajtim mjekësor. Menaxherët më raportojnë për gjendjen e pacientit dhe ndihmojnë që jeta e tyre të lehtësohet, duke u siguruar mjekimet e përshtatshme, kontaktet me mjekët e ndrsshëm sipas nevojës, përfshirë dhe ndihmë materiale. Ky proces zgjat një javë. Protokollet mjekësore përgatiten nga kryemjeku dhe ndërkohë vazhdon procesi i hospitalizimit të pacientëve. Kam patur rast të shoh pacientë me forma të lehta të Covid, por dhe me komplikacione, sëmundje shoqëruese dhe për fat të keq dhe raste vdekjesh. Tashmë ndodhemi në një faze të dytë epidemike, që paraqitet me vdekshmëri disi më të ulët, të paktën në popullatën ku unë punoj.

CMG: Si po e përjeton familja juaj epideminë?


Dr. Alketa Mezini: Familjarisht nuk kemi patur infektim deri tani. Ndoshta na kanë ndihmuar masat që kemi respektuar si distancimi social, përdorimi i maskave dhe dezinfektimi e larja e vazhdueshme e duarve. Gjithashtu kemi shmangur udhëtimet në zonat me përhapje të madhe të koronavirusit. Kemi bashkëpunuar si familje për të mbajtur me shëndet njeri-tjetrin. Në kohën e lire bëjmë vetëm shëtitje në natyrë dhe në ajër të pastër. Familjarisht jemi vaksinuar dhe kundër gripit sezonal. Kam kryer testime të shpeshta, si punonjëse në sektorin e shëndetësisë, në mënyrë të mos riskoja dhe familjarët e mi.

CMG: Si paraqitet aktualisht situata, meqë SHBA raportohet si vendi me më shumë raste të prekurish në botë?

Dr.Alketa Mezini në gazetën RI Academy of Family Physician, në Nju Jork

Dr.Alketa Mezini në gazetën RI Academy of Family Physician, në Nju Jork

Dr. Alketa Mezini: Guvernatori ynë çdo javë na përditëson me njoftimet për shëndetin publik, gjendjen ekonomike dhe akademike lidhur me pandeminë. Kryhen testime masive dhe mësimi në shkolla është përshtatur me situatën, po kështu dhe bizneset operojnë në varësi të rregullave të vendosura nga shteti. Aktualisht në Rhode Island është shtuar numri i të prekurve me rreth 6.9% krahasuar me dy javë më pare që ishte 3.3%. Qysh n ga 1 dhjetori u hapën dhe dy spitale fushore, ku trajtohen pacientët me gjendje më pak kritike. Në 11 dhjetor pritet vaksina Pfizer në Rhode Island. Tashmë Task Forca ku unë punoj po merret me përzgjedhjen e pacientëve që do të vaksinohen në fillim, por dhe me shpërndarjen, logjistikën dhe ruajtjen e vaksinës. Synimi është që deri në pranverën e vitit 2021 popullata në Rhode Island të jetë vaksinuar e gjitha.

CMG: Ju falënderojmë dr. Alketa Mezini që ndonëse shumë e ngarkuar me punë me situate pandemike gjetët kohën të flisni për Radio Ejani.

Dr. Alketa Mezini: Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të komunikoj me ju.

Intervistoi Eda Merepeza