Rritja e numrit të të prekurve me Covid 19 në vend ka shtruar për diskutim para Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale se si do të zhvillohet mësimi në shkollat shqiptare. Që nga 1 dhjetori u vendos që mësimi të jetë i alternuar deri në një vendim të dytë, në varësi të situatës së epidemisë Covid 19.
Gjatë një ore mësimi
Ministrja e arsimit Evis Kushi
Në një dalje për mediet ditët e fundit Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, bëri të qartë udhëzuesin që do të zbatohet, duke shtuar se “shkollat do të kenë fleksibilitet në përzgjedhjen e varianteve të mësimit të kombinuar, në varësi të situatës së pandemisë, numrit të nxënësve, apo kushteve të tyre specifike, por gjithmonë duke ruajtur të gjitha rregullat higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik”.
Ja dhe skema që do të ndiqet në institucionet arsimore të niveleve të ndryshme në vend, e paraqitur nga ministrja Kushi
“Klasat e arsimit fillor, nga e para në të pestën, dhe klasa e 12-të (pra maturantët) do të zhvillojnë normalisht procesin mësimor në mjediset fizike të shkollës – njësoj siç kanë vepruar deri më tani me SKENARIN 1 të Udhëzuesit për fillimin e vitit shkollor 2020 – 2021; Ndërsa klasat nga e 6 në të 9, si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë: Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit: 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online. Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen: pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë. Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo te nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore (nga 1 tek e 5) dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online. Dhe në raste më të rënduara, vetëm klasa 1 dhe klasa 12-të në mjediset fizike të shkollës, ndërsa të gjitha klasat e tjera do të zhvillojnë mësimin online”, njoftoi ministrja e arsimit.
Mësimi nëpërmjet Televizionit Shqiptar
Ndër të tjera kreu i arsimit Kushi bëri të ditur se nga 1760 shkolla në gjithë Shqipërinë, 1100 shkolla, pra 68% e të gjithë nxënësve e bëjnë mësimin vetëm me një turn. Të tjerë e bëjnë me 2, 3 në disa raste edhe me 4 turne, se janë shkollat që presin nxënësit e prekur nga tërmeti.
Autoritetet arsimore shqiptare e kanë marrë këtë vendim duke u konsultuar edhe me eksperiencën e shumë vendeve të tjera.
Një tjetër hallkë e arsimit e përbëjnë dhe shkollat private, për të cilat ministrja Kushi theksoi se gjatë monitorimit është vërejtur se i plotësojnë shumë mirë kushtet, kanë një numër të vogël në klasa dhe nëse i kanë mundësitë, nëse nuk kanë raste të infektuarish, në varësi të specifikave mund të aplikojnë skenarin aktual.
Situata pandemike ka ngritur nivelin e shqetësimit në familje dhe sidomos te prindërit fëmijët e të cilëve duhet të frekuentojnë shkollën, Për këtë arësye udhëzimi i Ministrisë së Arsimit ka lënë një opsion të hapur që prindi të vendosi vetë nëse do ta çojë fëmijën në shkollë apo e do mësimin online.
Aksesi i nxënësve në teknologji është baza mbi të cilën realizohet mësimi online. Deri tani ka patur mjaft ankesa të prindërve se jot ë gjithë fëmijët e kanë këtë akses. Lidhur me këtë ministrja Kushi është shprehur se pothuajse në të gjithë territorin, në shkolla ku ka klasa kolektive janë shpërndarë tableta dixhitale.
Nxënësit e arsimit fillor ndjekin fizikisht mësimin
“Janë 23 mijë nxënës në këto klasa dhe vetëm me kontributin e një biznesi me përgjegjësi sociale kemi shpërndarë 15 mijë tablete”, tha ajo.
Mësimi online është kritikuar për efikasitetin e tij kudo në botë. Ndërsa në Shqipëri janë kryer studime dhe sondazhe lidhur me këtë dhe ministrja e arsimit është e mendimit se tashmë institucionet arsimore janë më të përgatitura për ta realizuar mësimin online, po ashtu dhe vetë nxënësit dhe studentët. Madje sipas saj rreth 97% e studentëve kanë akses në mësimin online.
Një ndihmesë të madhe për mësimin e nxënësve nga shtëpia, qysh nga fillimi i epidemisë së koronavirusit e në vazhdim ka dhënë dhe stacioni i posaçëm televiziv RTSH Shkollë, i cili është një dritare e përditëshme dijesh për të gjithë ata nxënës që nuk kanë mundësi të ndjekin mësimet online.
Shkolla dhe nxënësit përballen sërish me sprovën e mësimit jotradicional, që tashmë po krijon dhe një kulturë të re të të mësuarit në distance, e kushtëzuar nga masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Eda Merepeza