Porta e parë për të hyrë në kujdesin shëndetësor publik dhe për të marë shërbim shëndetësor falas është mjeku i familjes. Gjatë përballjes me Covid 19 çdo qytetar, kudo ku jeton duhet të ketë një kontakt të afërt me mjekun e familjes, nëpërmjet takimit në qendrën shëndetësore, apo komunikimit me të nëpërmjet telefonit. Ka dhe qytetarë që nuk e dinë se kush është mjeku i tyre i familjes, por shumica e tyre këto ditë të rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus kanë një kontakt të rregullt me mjekun e familjes.
Nga puna e mjekeve te familjes
Në mikrofonin e Radio Ejani qytetarët flasin për përvojën e tyre me mjekun e familjes.
“Nëse do të kesh ndonjë simptomë është mirë të konsultohesh me mjekun e familjes, sepse ai ka kartelën tënde shëndetësore dhe mund të të rekomandojë më mirë se çdo mjek tjetër që nuk të njeh. Nuk duhet të shkosh në klinika private, por direkt të kontaktosh mjekun e familjes dhe të ndjekësh udhëzimet që do të të japë ai “, thotë një qytetar.
Ndërsa një qytetare shprehet mosbesuese ndaj shërbimit të mjekut të familjes
“Jo, nuk kam besim te mjeku i familjes. Më mirë mar në telefon 127 se sa mjekun e familjes”, shprehet ajo.
Këto janë opinionet e qytetarëve, që me sa duket përkojnë dhe me deklaratën e fundit për shtyp të drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, sipas të cilit mjeku i familjes, qendra shëndetësore dhe 127 është sistemi i referimit për çdo pacient të prekur me COVID-19.
“Futja e qytetarit në sistem është te mjeku i familjes, qendra shëndetësore dhe 127. Ky është sistemi i referimit. Janë disa gjëra që dihen, ka abuzues. Pse duhet të gjejmë mënyra të ndryshme jashtë sistemit? Nuk ka një ilaç për këtë sëmundje, as protokoll. Janë grupe medikamentesh që përdoren në faza të ndryshme të sëmundjes”, u shpreh Brataj.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj
Përhapja e infeksionit të koronavirusit gjatë vjeshtës dhe në prag të dimrit ka rritur ndjeshëm numrin e të sëmurëve aktivë duke tejkaluar edhe të shëruarit. Mjekët e familjes e ndjejnë shtimin e rasteve të të prekurve bazuar në kontaktet në qendrat shëndetësore, por dhe nëpërmjet konsultave telefonike po ndjekin rastet e lehta dhe të mesme të të prekurve me koronavirus. Puna e mjekëve të familjes është vështirësuar këto ditë dhe për shkak se ata ndjekin dhjetëra pacientë në ditë ndërsa veç simptomave, në monitorim mbetet edhe niveli i oksigjenit në gjak. Për këtë ka folur në televizionin A2 mjekja e familjes pranë Qendrës Shëndetësore nr.2 në kryeqytet Valbona Salko
“Një mjek mund të ndjekë rreth 20-30 pacientë në shtëpi. Parametri që ndiqet më me vëmendje është saturimi i oksigjenit që duhet të jetë mbi 92%, në të kundërt sugjerohet hospitalizimi. Për këtë arsyeje në këshillojmë pajisjen me një aparat oksimetër“, thotë mjekja.
Ajo shton se shumica e pacientëve që kanë komunikuar me të kanë patur simptoma të lehta të sëmundjes si lodhja e shpejtë, dhimbjet e muskujve, humbja e shijes apo deri te problemet respiratore. Bazuar në kontaktet me pacientët e saj mjekja thotë se rreth 50 për qind e tyre janë ankuar për këto simptoma.
Mjekja Valbona Salko
Beteja me COVID-19 për disa pacientë vijon edhe pas negativizimit. Ky virus lë disa pasoja në shëndetin e tyre, të cilat kërkojnë mbikëqyrjen nga mjeku i familjes.
Mpiksja e gjakut dhe problemet në mushkëri janë po ashtu disa probleme që shfaqen te pacientët e shëruar nga ky virus, dhe ndjekja me mjekim është e nevojshme për çdo problem të mëvonshëm.
Ndërsa në protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndjekjen në shtëpi të të prekurve me Covid 19 theksohet se “Të sëmurët të mos drejtohen të gjithë në spitale, duke rrezikuar ndër të tjera, shtimin e përhapjes së infeksionit. Familjarëve t’u jepen këshillat e nevojshme nga mjekët, informacionet e duhura për ecurinë e sëmundjes, si edhe iu shpjegohet nga mjeku dhe mënyra e përkujdesjes që duhet të zbatojnë ndaj këtyre të sëmurëve. Familjarëve iu vihen në dukje dhe shenjat treguese fillestare të përkeqësimit,që mund të jetë dhe i shpejtë, në mënyrë, që të sinjalizohet në kohë mjeku i familjes dhe të merren masat e duhura”.
Pasi Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi heqjen e testit të negativizimit, që vërteton se je shëruar nga koronavirusi, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi permes mediave se do të jetë mjeku i familjes ai që do të japë vërtetime për qytetarët që e kanë kaluar fazën e karantinimit dhe konsiderohen të shëruar për tu rikthyer në punë.
Nga kjo kuptohet roli me rëndësi i mjekut të familjes, i cili shoqëron personin e prekur me Covid 19 që në simptomat e para e deri në vërtetimin e gjendjes së tij shëndetësore për rikthimin në normalitet i shëndetshëm.
Eda Merepeza