Nëntori është ai muaj, që ne e lidhim gjithmonë me librin. Panairi i përvitshëm i librit, është ajo festë që mbledh më së shumti lexues dhe vlerësues të librit, të çdo moshe dhe profesioni, të entuziazmuar nga një botë aq e madhe librash, titujsh, autorësh dhe ekspozimesh...
Por është hera e parë që festa kufizon gëzimin. Pandemia që ka mbërthyer botën, ka ndryshuar edhe lokacionin dhe mënyrën e organizimit. Sikundër ka njoftuar "Shoqata e Botuesve", këtë vit panairi i librit zhvillohet on line.
Panairi i Librit
Kjo mënyrë e re konceptimi dhe organizimi, solli në fakt disa risi të nevojshme: më shumë teknologji, më shumë ekrane dhe rrjete sociale, për të plotësuar mungesën fizike njerëzore.
Por ka edhe një fakt. Kurrë më parë libri nuk ka qenë kaq i shpërndarë në hapësirë sa ç'po e shpërndan kjo pandemi dhe kurrë impenjimi i shtëpive botuese nuk ka qenë kaq i madh.
Nëse fillimisht disa botues ishin skeptikë, për mënyrën e organizimit, tani janë shumë entuziastë, të gjithë janë përgatitur gati me të njëtat ethe, ndoshta edhe më shumë se për panairin që mbahet në kushte të zakonshme.
Të gjitha aktivitetet do të mbahen jashtë. Të gjithë janë të ftuar me maskë, shishen e alkoolit dhe të respektojnë distancimin social.
Amfiteatri tek liqeni, Amfiteatri tek Akademia e Arteve, holli i Muzeut Historik Kombëtar, oborret apo hapësirat e jashtme të librari kafeve, të gjitha që nga data 12 nëntor, janë në dispozicion të librit dhe diskutimeve për të.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, këtij muaji ka qenë shumë i ngarkuar me organzimin e çdo hallke të panairit, duke qenë njëkohësisht edhe i pranishëm në media për të sqaruar detajet e këtij aktiviteti.
Panairi i librit në edicionet e shkuara.
"Ne u mbështetëm në radhë të parë tek përvoja e Panairit të Frakfurtit, që u zhvillua në këtë format, që po e quaj "on line" pasi bazohet në radhë të parë tek teknologjia. Domethënë që nga shitjet, porositë e lexuesve do të jenë on line. Sigurisht edhe libraritë vazhdojnë punën e tyre krejt normalisht, por porositë e blerjeve do të bëhen nga lexuesit në disa sajte dhe njëkohësisht kemi dhjetëra dhjetëra aktivitete që do të zhvillohen për librin, që nga diskutimet problemore për librin, probleme të shumta që ne i hasim dita ditës, por që sigurisht kur zhvillohen në një aktivitet kaq të madh marrin një vlerë të veçantë dhe shumë promovime librash, serish librash të reja ose jo të reja që botojnë shtëpitë botuese.
Deri tani përshembull janë mbi 60 aktivitete që do të zhvillohen nga data 12 nëntor deri në datën 15 nëntor".
Nëse kur bëhen panairet e zakonshme të gjithë e kanë mendjen të shesin sa më shumë, të jenë pranë stendave dhe t'u përgjigjen sa më shumë lexuesve dhe si rrjedhojë aktivitetet e diskutimeve apo promovimeve nuk e marrin vëmendjen e duhur, kësaj here e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar tek këto aktivitete.
Po cilat janë platformat ku mund të drejtohen lexuesit? Në fakt ka disa të tilla, pa përmendur faktin se të gjitha shtëpitë botuese kanë sitet e tyre të internet dhe ofrojnë edhe zbritje çmimi me rastin e panairit. Por ka edhe librari të rëndësishme, si përshembull Adrioni, Bukinisti, madje edhe libraritë e Kosovës, të përfshira në këtë fushatë dhe që po bëjnë një punë kolosale në ngritjen e infrastrukturës së nevojshme.
Petrit Ymeri kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptar
Albert Gjoka, menaxher i www.bukinist.al, platforma më e madhe on line e librit shqip, tregon për rubrikën Kult Mix, të rejat që sjell bukinisti për lexuesit dhe miqtë e librit.
"Ajo çfarë dua të them është se ne kemi një layout të ri të Bukinistit ku do të jetë panairi on line i librit. Në fokus do të jenë të gjitha ofertat, do të jenë 18 shtëpi botuese shqiptare, do të kenë stendat e tyre me titujt e ri, me ofertat, me autorët në fokus dhe me eventet e parashikuara. Ajo çfarë e bën të veçantë panairin sivjet është edhe lançimi i një club-i ku kësaj radhe është parashikuar të kemi me qindra, mijëra revieë, që lexuesit të na shkruajnë për librat që kanë pëlqyer më shumë, që ju kanë lënë më shumë mbresa, njëherash edhe për të rekomanduar libra për miqtë, për të afërmit".
Pjesa më e veçantë e çdo panairi sigurisht janë ofertat e mezipritura: Bashkë me botuesit do të ketë ulje nga 15% deri në 50% për rreth 8000 mijë tituj – libra të rinj, botimet bestseller, e të tjera.
Organizatorët besojnë se ky panair, pavarësisht vwshtirwsive, do të sjellë shitje, ndonëse nuk është ky qëllimi i këtij viti. Petrit Ymeri, që është njëkohësisht edhe botues, tregon se qëllimi është të tërheqin sa më shumë vëmendjen e publikut.
"Ne besojmë se do të ketë të paktën 25-30 përqind të shitjeve që bëjmë zakonisht në panairet e librit. Kjo është një formë e re, ta eksperimentojmë. Ne po punojmë me të gjitha energjitë, me pasion, me shumë vëmendje, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Të gjitha këto që ju thashë, që janë mëse se 60 aktivitet, do tërheqin.... Nuk është çështja thjesht tek shitja, se edhe mund të mos shitet shumë, por do të tërhiqet vëmendja e lexuesit. Ai do të ndjekë këtë dhe jam i sigurtë që pas një jave do të shkojë të kërkojë librin për të cilin ka dëgjuar të flitet".
Bukinist.al, nje ndër platformat më të plota të prezantimit të librave on line
Të bindur që Panairi i Librit është një ngjarje madhore, e cila nuk duhet t’i mungojë qytetit të Tiranës, por edhe lexuesve nga gjithë vendi, të gjitha aktivitet do të gjejnë pasqyrim të gjërë. Zoti Ymeri tregon të tjera detaje:
"Të gjitha aktivitetet që do të bëhen do të pasqyrohen, në të gjitha portalet, të gjithë facebook-ët e botuesve apo dashamirësve të tjerë, do të pasqyrohen nëpër ekrane të mëdhenj që do të vëmë ne nëpër Tiranë që do të pasqyrojnë këto aktivitete, do të kemi tek Pallati i Kulturës, tek Bulevardi, tek Reja, tek Blloku, tek Kalaja...Ne kemi përgatitur intervista me personalitete të kulturës, të librit, me shkrimtarë, me poetë, me përkthyes, të cilat janë të gatshme dhe ata do të përcjellin emocionet e tyre, urimet për lexuesit, për Panairin e Librit, e kështu me radhë. Plus të gjitha shtëpitë botuese kanë përgatitur materiale, vido me intervista, me autorët e tyre...."
Panairi i këtij viti synon të mbajë ndezur pasionin për librat. Fizikisht apo virtualisht.
Aq më tepër në këto kohë të vështira ku libri dhe dija janë mjetet më të fuqishme për ti kapërcyer pengesat dhe për të dalë më të fortë, më të aftë dhe më të shëndetshëm nga kjo pandemi që ka tronditur botën. (Neritana Kraja)