Në plenumin e 5-të të Komitetit të 19-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës që u mbyll në fund të tetorit, u miratuan “Propozimet e Komitetit Qendror të PKK-së për Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-2025)”. Ky projektim më i lartë i politikave pritet të drejtojë në mënyrë të gjithanshme zhvillimin e vendit në pothuajse të gjithë sektorët për pesë vjetët e ardhshëm, pasi të miratohet në Asamblenë Kombëtare Popullore.

Si një ndër karakteristikat më të theksuara qeverisëse të Kinës që nga vitet ‘50 të shekullit të kaluar, në planin pesëvjeçar përcaktohen objektivat në sektorë të ndryshëm dhe hartohen politikat për realizimin e këtyre objektivave.

Plani pasqyron vizionin afatmesëm dhe afatgjatë të partisë në pushtet në Kinë për drejtimin e zhvillimit të mbarë vendit, duke i mundësuar ekonomisë së dytë më të madhe në botë të ruajë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm para ndryshimeve në sistemin botëror.

“Në ndryshim nga politikat që hartojnë disa politikanë perëndimorë, plani pesëvjeçar i Kinës fokusohet te zhvillimi gjithëpërfshirës dhe i vazhdueshëm, nga i cili ka përfituar dhe do të vazhdojë të përfitojë populli”, tha z. Dai Yanjun, studiues i ndërtimit të Partisë nga Akademia Kineze e Qeverisjes.

Sistemi i planit pesëvjeçar ka vërtetuar epërsitë e tij unike në përputhje me realitetin e rritjes në rajone dhe sektorë të ndryshëm, nëpërmjet praktikave dhe vetëpërmirësimit prej disa dekadesh. “Epërsitë shfaqen në veçanti gjatë zbatimit, ku autoritetet e niveleve të ndryshme të pushtetit mund të bashkojnë dhe të mobilizojnë burimet për të arritur një objektiv brenda një periudhe të caktuar. Prandaj, kjo është një mënyrë shumë efektive për të kryer projekte të mëdha në përmasë kombëtare në një vend kaq të madh me një popullsi prej 1.4 miliard banorësh”, shtoi Dai.

Pekin

Pekin

Ndërsa Su Wei, profesor në Shkollën e Partisë të qytetit Chongqing, shpjegoi se si plani pesëvjeçar ka udhëhequr rajonet e ndryshme të Kinës në zhdukjen e varfërisë dhe ngritjen graduale të nivelit të jetesës së banorëve.

Në vitin 1992, gjatë turneut të tij në Jug të vendit, udhëheqësi i atëhershëm i Kinës Ten Hsiao Pin vuri në dukje se rajonet bregdetare të Kinës duhet të zhvilloheshin të parat dhe pastaj të ndihmonin rajonet qendrore e perëndimore. Ky koncept u bë pjesë e hartimit të planit pesëvjeçar dhe filloi të zbatohej gradualisht.

Pas një dekade zhvillimi, Plani i 10-të Pesëvjeçar (2001-2005) u përqendrua në zvogëlimin e hendekut midis krahinave të ndryshme, dhe ky hendek u ngushtua në 15 vjetët në vijim. Në Planin e 12-të (2011-2015) dhe të 13-të (2016-2020), Kina u fokusua në nxitjen e ndërtimit të një shoqërie relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

Një tjetër pikë kyçe së cilës Kina i kushton vëmendje, është mbrojtja e mjedisit.

Në pesë vjetët e parë pas Reformës dhe Hapjes ndaj botës së jashtme, fokusi kryesor i Kinës ishte zgjidhja e problemit të ushqimit dhe të veshmbathjes së popullit, dhe gjatë asaj periudhe shumë fabrika krijuan ndotjen e mjedisit. Që nga Plani 10-të Pesëvjeçar, pas zhvillimit të shpejtë ekonomik, fabrika të tilla u mbyllën dhe mbrojtja e mjedisit u përfshi në agjendën zyrtare. Pas kësaj, jo vetëm rritja e PBB-së, po edhe mbrojtja ekologjike u bë një tregues për të vlerësuar punët e zyrtarëve dhe pushtetit vendor.

Vitet e fundit, mbrojtja e mjedisit dhe ulja e lëshimit të karbonit janë bërë një element i rëndësishëm i zhvillimit të Kinës dhe priten të luajnë një rol më të rëndësishëm gjatë zbatimit të Planit të 14-të Pesëvjeçar.

Ndërkohë, sipas z. Su, hartimi i këtij plani është një proces demokratik dhe shkencor. “Procesi i hartimit të planit është vendosur që nga koha e liderit të ndjerë Ten Hsiao Pin. Ky procec mund të fillojë që tre vjet më përpara, dhe kryhen shumë punë përgatitore vlerësimi dhe studimi para se të krijohet një ide themelore”, tha profesori Su.

Në bazë të kësaj ideje, përcaktohet një projekt propozimesh, i cili shpërndahet nëpër departamentet e pushtetit qendror dhe atij vendor, partitë e tjera jokomuniste dhe ekspertët përkatës, të cilët japin opinionet e tyre për të bërë ndryshime.

Zakonisht në Plenumin e 5-të të çdo legjislature të Komitetit Qendror të Partisë, propozimet miratohen pas shqyrtimit e votimit dhe publikohen. Në të njëjtën kohë, hartohet korniza e zbatimit të këtij plani. Pastaj vijon mbledhja e sugjerimeve publike, e argumentimeve dhe e këshillave.

Në “Dy sesionet” (ai parlamentar dhe i organit suprem konsultativ politik) që mbahen në vitin e ardhshëm, shqyrtohet dhe publikohet zyrtarisht versioni përfundimtar i planit.

Zhu Lijia, një profesor i menaxhimit publik në Akademinë Kineze të Qeverisjes, vuri në dukje se shumë studime dhe hulumtime bëhen gjatë krijimit të planit, gjë që është një proces demokratik me konsultime të gjera nga përfaqësuesit e publikut, mijëra institute studimi politikash, organe qeveritare, universitete, dijetarë dhe profesionistë të qarqeve të ndryshme.

Për shembull, që nga korriku deri në shtator, sekretari i përgjithshëm i Partisë, Xi Jinping, drejtoi shtatë simpoziume, për të dëgjuar vërejtjet nga përfaqësuesit e sipërmarrësve, personaliteteve të partive jokomuniste dhe pa parti, ekspertë të çështjeve ekonomiko-shoqërore, shkencëtarë, profesionistëve të sektorëve të arsimit, kulturës e shëndetësisë, të zyrtarëve vendorë dhe të punonjësve nga profesione të ndryshme.

Simpozium i drejtuar nga Presidenti Xi

Simpozium i drejtuar nga Presidenti Xi

Nga mesi i gushtit, në aplikacionet e mediave kineze kryesore u vu në përdorim rubrika për mbledhjen e opinioneve të përdoruesve të internetit rreth Planit të 14-të Pesëvjeçar. Vetëm në dy javë u paraqitën mbi 1.01 milion sugjerime, të cilat përqendroheshin kryesisht në përmirësimin e jetesës, zhvillimin ekonomik, mjedisin ekologjik, ndërtimin e Partisë dhe rigjallërimin e zonave rurale. Këto çështje me interes për publikun kanë luajtur një rol të rëndësishëm reference gjatë përpilimit të planit si reagim i thirrjeve të popullit.

Në të njëjtën kohë, një sondazh i gjerë po zhvillohet në organet e niveleve të ndryshme të pushtetit, gjatë të cilit u mblodhën sugjerimet me shkrim nga 108 organizata dhe 10 grupe të personaliteteve pa parti, ku u paraqitën 2181 sugjerime, dhe 58 dokumente nga liderët e nivelit shtetëror që kanë dalë në pension.

Në bazë të materialeve të sipërpërmendura, grupi hartues bëri 366 ndryshime në projekt, duke përfshirë 546 sugjerime në versionin përfundimtar.(Zhang Yan)