Intervistë me drejtorin ekzekutiv të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA), Altin Azizaj

Drejtori i CRCA në intervistën për CMG-në

Drejtori i CRCA në intervistën për CMG-në

CMG:Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA) është zyra e parë ligjore e ngritur nga një organizatë jofitimprurëse për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë e pambrojtur. Si e realizon kjo Qendër misionin e saj?


Altin Azizaj: Është një mision që po e kryejmë prej 20 vjetësh dhe pa diskutim sjell problematikat dhe çështjet më thelbësore që shqetësojnë fëmijët dhe të rinjtë adoleshentë anembanë Shqipërisë. Mënyra se si realizohet sidomos çështja e shërbimit ligjor kryhet përmes një sërë metodash dhe mjetesh në mënyrë që kushdo që ka nevojë për këshillim ligjor apo ndihmë ligjore, ose asistencë ligjore me avokat, të mundet të vendosë kontakt me zyrën tonë. Pas vlerësimit që ne bëjmë individi merr mbështetjen ose ndihmën që i duhet.


Në Shqipëri, si në të gjithë botën ndihma juridike, ose siç quhet asistenca juridike është e organizuar në dy forma. Forma e parë quhet ndihma parësore dhe përfshin përgjithësisht informim, këshillim juridik, pra ke një pyetje, mendon se duhet ti drejtohesh Gjykatës por nuk je i sigurtë, mendon se të është shkelur një e drejtë, por nuk je i sigurtë, atëhere vendos një kontakt me juristë ose persona që janë të trajnuar gjithmonë për të marrë një përgjigje sa i përket pyetjes. Në bazë të fakteve që paraqiten kuptohet që personi që është i ngarkuar në këtë zyrë për shërbimin parësor të informon për të gjitha procedurat që duhet të ndjekësh.

Altin Azizaj, drejtor i CRCA-së

Altin Azizaj, drejtor i CRCA-së


Përsa i përket asaj që quhet ndihma dytësore, që përfshin ndihmën juridike falas në rastin tonë, para Gjykatës kuptohet që është një ndihmë që ofrohet vetëm pas një vlerësimi cilësor të çështjes dhe ofrohet vetëm për fëmijë dhe adoleshentë, të drejtat e të cilëve janë shkelur , por nuk kanë mjete financiare për të mbrojtur veten e tyre duke paguar avokat. Në këtë rast avokati jepet falas nga zyra jonë dhe mbulon të gjitha kostot që ka çështja për të mbrojtur. Çështjet janë nga më të ndryshmet si për shembull çështje që kanë të bëjnë me të drejtën e arsimit, me shkeljen e të drejtave në fushën e shëndetësisë, mund të jenë shkelje administrative kur një autoritet në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin i ka mohuar një adoleshenti ose një fëmije të drejta specifike që atij ja jep ligji. Në këtë aspekt ofrohet mbështetje para gjykatës dhe kërkohet vendimi i gjykatës për të dhënë të drejtat.

CMG: Shqipëria ka miratuar dekadën e fundit një sërë ligjesh, strategjish dhe dokumentesh të tjerë që sigurojnë fëmijët. Në vlerësimin tuaj, si janë zbatuar ato?


Altin Azizaj: 4 vitet e fundit krahasuar me dhjetëvjeçarin ka ndryshim në këtë drejtim. Brenda një dhjetëvjeçari Shqipëria ka patur dy ligje për të drejtat e fëmijëve. Ligji i parë nuk solli asnjë lloj ndryshimi, gjë që tregoi se nuk ishte përgatitur si duhet. Kështu që u detyruam së bashku me institucionet shtetërore të punonim për të bërë një ligj të dytë, i cili është shumë herë më i qartë dhe pa diskutim adreson probleme më kryesore për të drejtat e fëmijëve në Shqipëri. Këtu përfshihen rastet e dhunës në familje, një problem që në Shqipëri ekziston dhe kërkon një trajtim, apo rastet kur fëmijët mbeten pa prindërit, ose pa përgjegjësinë prindërore, fëmijë që shfrytëzohen për lypësi, për punë dhe duhet që ligji të marrë masa ndaj këtyre të rriturve. Pra kemi një zbatim shumë herë më të mirë të ligjit sot, krahasuar me 10 vjet më parë.


CMG: Fëmijët vuajnë të njëjtat probleme që vuan edhe shoqëria. Për cilat nga këto probleme qendra juaj gjen zgjidhje, lidhur me fëmijët e abuzuar nga dhuna fizike dhe seksuale, fëmijët e varfër, fëmijët që lypin, por dhe për fëmijë të tjerë që përballen me probleme të ndryshme?


Logo e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri

Logo e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri

Altin Azizaj: Pa diskutim që çfarë prodhon shoqëria është rezultat edhe te fëmijët, në kuptimin e shkeljes së të drejtave të tyre, ose ngjarjeve që ndodhin në familje dhe pasqyrohen në shoqëri. Nëse do të shohim një problem të lidhur me arsimimin është çështja e bulizmit, që është kthyer në një problem shqetësues si për shkollën, pra për mësuesit ashtu edhe për vetë fëmijët, Kemi një numër të lartë të fëmijëve që ankohen përsa i përket bulizmit. Shkollat gjendet të papërgatitura dhe ajo që ne shohim me shqetësim është se aktualisht nuk ka procedura të sakta se si shkolla duhet të trajtojë problemin e bulizmit.

Problemi i bulizmit është sa social, sa personal, aq familjar dhe komunitar. Pra, duke qenë kaq i miksuar, me tre katër themele të tij në vetvete, pa diskutim zgjidhja nuk mund të gjendet vetëm në familje, por as vetëm në shkollë sepse është dhe në komunitet. Akoma nuk kemi gjetur një mundësi që të gjithë së bashku ta trajtojmë si problem.

Një fenomen i ri që po rezulton është dhe çështja e dhunës seksuale, sidomos ndaj vajzave. Në këtë aspekt përpos faktit që ne si zyrë jemi duke punuar në disa drejtime, ku veçoj hapjen para dy vjetësh të një qendre kombëtare për mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale me shërbime ligjore, psikosociale si dhe shërbime në familje. Nga ana tjetër shohim që bashkitë në Shqipëri nuk janë të përgatitura për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri ku edhe fëmijët bëhen pjesë e ngacmimeve dhe dhunës seksuale. Pra do të thotë që ka nevojë për më shumë punë nga ana e institucioneve shtetërore për ta shikuar problemin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve si një problem qendror për jetën e tyre. Jemi duke bërë një punë serioze, por është vetëm fillimi dhe kemi shumë hapa të tjerë për të ndërmarrë.


Nisma të CRCA-së

Nisma të CRCA-së

Një çështje tjetër që ndikon është dhe varfëria. Ne shohim që shpesh problemet sociale miksohen dhe ne përballemi si shoqëri, si organizatë por dhe institucionet shtetërore sepse fëmijët jetojnë në situata të rënda ekonomike, shpesh me njërin prind, ose njeri nga prindërit nuk është i denjë dhe kuptohet që problemet e tyre vijnë në shkollë, në shoqërinë ku jetojmë nëpërmjet vjedhjes, ose krimeve të fëmijëve përkundrejt të tjerëve. Kështu që në këtë aspekt jemi duke punuar për një model të ri dhe shpresoj që së bashku me institucionet shtetërore të kemi mundësi që këtë model me kalimin e kohës ta kthejmë në një model kombëtar, ku të gjithë adoleshentët që kanë probleme të sjelljes antisociale, se janë gati për të kryer një krim tu japim një kujdes sa profesional, aq dhe u jep një vizion për të ardhmen e tyre drejt punës, arsimimit, si dhe drejt atij formimi që e heq fëmijën nga rruga dhe e kthen në shkollë.


CMG: 2020 është një vit pandemik. Edhe fëmijët po përballen me shtrëngesa të natyrave të ndryshme si vetizolimi në shtëpi, mësimi online, ku një pjesë e tyre nuk kanë mundësi për ta ndjekur për arsye ekonomike, por nga ana tjetër stresi që shkaktojnë edhe mediat me gjuhën e përdorur se ndodhemi përballë një beteje apo lufte. Qendra juaj e Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve si po e ndjek këtë situatë?


Altin Azizaj: Do të thosha se situata e Covid 19 e ka komplikuar jetën e të gjithë qytetarëve. Stresi, mërzia dhe depresioni ndonjëherë janë bërë pjesë e realitetit ku jetojmë të gjithë. Po tregojmë që jemi ende të fortë për të përballuar një pandemi e cila ende duket sikur nuk ka zgjidhje. Shpresojmë ta ketë sa më shpejt, por për momentin nuk e ka. Në këtë kuadër fëmijët nuk bëjnë përjashtim. Ajo që kemi parë me shqetësim këto kohë ka qenë aksesi në arsim dhe aty ka probleme serioze, sepse jo të gjithë fëmijët kanë mundësi të kenë internet, të kenë një Ipad, madje jo të gjithë fëmijët kanë televizor. Nisur nga këto limite edhe vetë fëmijët vendosen në situata që shpesh atyre u kanë vënë përballë më shumë pikëpyetje për jetën se sa qartësi. Jo vetëm ne por shumë organizata jemi munduar që të informojmë fëmijët lidhur me situatën, bërë kjo me gjuhën e fëmijëve, ose fëmijët informojnë njeri-tjetrin. Kemi shpërndarë mesazhe pozitive sepse mendojmë që kjo është shumë e rëndësishme sepse janë mesazhe që në fund edhe kjo pandemi do të mundet një ditë. Dhe sigurisht që ti mbrojmë fëmijët nga ato situata që duke qenë online mundet që të rrezikojnë nga pedofilia online dhe nga krimet seksuale online dhe të krijojmë një jetë sa më të sigurt të fëmijëve online. Jemi munduar të vendosim shërbime psikosociale online ose nëpërmjet telefonit, për fëmijët qoftë edhe kur janë të mërzitur, apo kur kanë pyetje të marrin në telefon dhe një profesionist, një psikolog apo punonjës social u sqaron shumë nga pikëpyetjet që kanë fëmijët në Shqipëri.

Intervistoi Eda Merepeza