Intervistë me prof. emeritus Luljeta Bozo
Prof. Bozo dhe kryeministri Rama gjatë konsultimeve pas tërmetit
Inxhinierët, mjekët apo dhe profesionistë të fushave të tjera nuk i shohim shpesh në ekranet televizive, ndoshta sepse ata bëjnë çdo ditë “punën e tyre” dhe nuk përbëjnë lajm. Por kur ndodhin ngjarje me përmasa kombëtare, siç ishte tërmeti i 26 nëntorit, mediat fokusohen tek sizmiologët dhe inxhinierët e ndërtimit. Pak a shumë kështu ka ndodhur dhe me publikimin e profesoreshës Luljeta Bozo në të gjitha mediat shqiptare, pas tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar, një ndër më të rëndët në Shqipëri dhe rajon.
CMG: Ra një tërmet tepër i rëndë, nëntorin e kaluar, që mori jetën e 51 shqiptarëve, plagosi 900 të tjerë dhe la mijëra të tjerë në qiell të hapur. Opinioni publik i ktheu sytë te specialistët e fushës, një ndër të cilët dhe ju, profesoreshë e inxhinierisë së ndërtimit prej 45 vjetësh. Prof. Bozo ju morët përgjegjësinë si inxhinere e dherave, por dhe si qytetare të qartësonit pasojat e tërmetit, duke folur në media dhe duke inspektuar objektet e dëmtuara. Le të flasim për këtë përvojë të veçantë profesionale dhe qytetare tuajën.
Prof Luljeta Bozo me studentët
Prof. Luljeta Bozo: Tërmeti në fakt është një nga fenomenet më të rrezikshme që ndodhin dhe në Shqipëri kjo dukuri do të ndodhë herë pas here, sepse jemi në zonën e Mesdheut. Dy janë zonat sizmike, ajo e Mesdheut dhe e Pacifikut. Kështu që është një dukuri normale mund të them. Tërmeti i 26 nëntorit pritej të ndodhte sepse nga studimet që ka bërë Qendra Sizmologjike e Shqipërisë, e cila kishte specialistë shumë të mirë, kur ra tërmeti i vitit 1979 në Petrovac të Malit të Zi, sipas studimeve u arrit në përfundimin që tërmete të asaj fuqie do të përsëriten një herë në 35 ose 40 vjet. Pra pritej të ndodhte një dukuri e tillë. Në fakt tërmeti i 26 nëntorit ishte më i dobët, por ishte shumë i cekët dhe më problematike ishte se pati një kohëzgjatje të madhe. Është një fenomen i frikshëm. Por pati një problem që lidhet me cilësinë e ndërtimeve, me cilësinë e materialeve të ndërtimit, por dhe me mënyrën e planifikimit të zhvillimit të zonave urbane. Vitet e fundit ndërtimet janë kryer në mënyrë kaotike. Nëse i referohemi zonës së Durrësit, pjesa më e madhe ka qenë ish kënetë dhe atje ishte kategorikisht e ndaluar të ndërtohej, por pas viteve 90-të atje u dhanë pa fund leje ndërtimi.
CMG: Pra kemi të bëjmë me ndikimin e tranzicionit edhe në ndërtimet që në rastin e tërmetit, të shembeshin.
Prof. Luljeta Bozo: Po, ishin efektet e ndërtimeve pa kriter. Dëmet më të mëdha të tërmetit ishin në ndërtimet e bëra pranë ish kënetës. Edhe sot nuk kemi ende një libër për projektimin e objekteve, por kemi ende atë të vitit 1989, i cili është shumë i saktë. Pra këto, sipas meje janë zona që nuk duhet të ishin shfrytëzuar për ndërtime masive dhe pa studime të veçanta.
Prof. Luljeta Bozo në studion e TV Klan
CMG: Një vit pas tërmetit të 26 nëntorit në të njëjtën zonë, në periferitë e Durrësit, Tiranës dhe të Kurbinit vazhdojnë të ndjehen lëkundje sizmike. Ne jemi pajisur me aplikacionin e tërmeteve në celularë, edhe pse e shohim pasi ata kanë rënë. Ju keni këshilluar publikun të mësohet të bashkëjetojë me tërmetin. Si mund ta bëjmë këtë ?
Prof. Luljeta Bozo: Ashtu siç bashkëjetojnë të gjitha vendet e tjera që janë në këto lloj zonash. Mund të marrim shembullin e Japonisë, ku ndodhin gati për ditë tërmete të fuqishme, siç i quajmë ne. Bashkëjetesa me tërmetin nënkupton mbi të gjitha që njerëzit duhet të mësohen dhe kjo nuk mësohet kur je 50 vjeç, por që në shkollë. Pra mësohemi se ndodhemi në një territor ku do të ketë vazhdimisht vibrime, të moderuara, por dhe të fuqishme. Ana psikologjike është kryesorja, sepse paniku është i tmerrshëm. Kur të kap paniku nuk di se çfarë bën dhe bën vetëm dëme, asgjë tjetër. Në inxhinierinë e ndërtimit me teknologjinë e sotme ka mundësi të japë informacion të plotë. Jemi në një zonë sizmike dhe duke ndërtuar sipas projekteve të sakta, duke i zbatuar ato saktë dhe të mos ndërhyhet kurrë në këto objekte, pra nëse do të ndjekim këto rregulla dhe mbi të gjitha të ketë planifikim urban, i cili tashmë ka filluar, një nga fenomenet e rrezikshme në Shqipëri, tërmeti krahas rrëshqitjeve të dherave dhe përmbytjeve do të mund të përballohet pa pasoja të rënda. Në këtë kuptim them se do të bashkëjetojmë dhe me tërmetin.
CMG: Para disa ditësh festuat 78 vjetorin e lindjes. Edhe 100! Kur biseduam në telefon për të realizuar këtë intervistë më thatë se këtë javë është e mundur, pasi javën tjetër nisin leksionet në Universitetin Polis, ku ju jepni mësim. Në botë është normale që pedagogë të moshës suaj të vazhdojnë mësimdhënien, por kjo gjë është e rrallë në Shqipëri. 55 vjet të jetës në auditor, çfarë është për ju?
Prof.L.Bozo dhe familja
Prof. Luljeta Bozo: Për mua është një eksperiencë e paparë, një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe sepse të punosh me studentët, me rininë është një privilegj për mua. Së pari, sepse ke të bësh me njerëz dhe jo me objekte. Ata kanë secili mendjen e vet dhe ti duhet të gjesh çelsin për të krijuar rrugët e komunikimit, sepse po nuk komunikove nuk mund të arrish asgjë. Rinia të jep kaq shumë energji, sa të gënjen mendja që edhe në këtë moshë që jam unë, 78 vjeç më duket vetja si rini. Jap shumë, por dhe marr shumë. Është një marrëdhënie e jashtëzakonshme kur ti e bën me shpirt këtë detyrë. Kështu që 55 vjet ka qenë një kënaqësi e paparë pune, bashkëpunimi, marrëdhënie jo vetëm pune por dhe shoqërore me studentët.
CMG: Tashmë jeni një person publik, falë daljeve tuaja në media vitin e kaluar, në periudhën e pas tërmetit. Keni marrë tituj, një ndër të cilët “Simbol i gruas” akorduar nga qyteti i Durrësit. Flasim për jetën tuaj, keni jetuar gjatë me një kineast të njohur, siç ishte bashkëshorti juaj i ndjerë, Todi Bozo. Si ka qenë jeta juaj me të?
Prof. Luljeta Bozo: Unë me Todin kam kaluar një jetë që mund të them se rrallë mund ta kalojnë çiftet. Pavarësisht që ishim të dy profesioneve të ndryshme, unë ndonëse isha inxhiniere kam lexuar shumë gjithë jetën time. Kurse Todi pavarësisht se punonte në fushën e artit kishte shumë sens praktik, madje ishte politeknik. Mendoj se nuk ka burrë jo vetëm në Shqipëri, por mbase dhe në botë që për 53 vjet të jetës sonë bashkë, Todi çdo përvjetor më ka sjellë lulet e martesës, më 1 mars. Çdo 1 mars në tavolinë unë kisha lulet e martesës. Vërtet është vetëm një lule, por është kujdesi. Me Todin merreshim vesh pa fjalë fare. Në fund ishim bërë një, ishim një mendje, një trup. Kishim një komunikim të jashtëzakonshëm dhe kjo vjen nga dashuria shumë e madhe. E gjithë magjia qëndron te dashuria.
CMG: A ju lodhi fama, që nisi pas tërmetit të 26 nëntorit?
Prof. Luljeta Bozo: Në një farë mase po, por nuk më ka penguar në punën time. Unë nuk kam qenë njeri që ka punuar për famën, madje jam e bindur dhe u them studentëve gjithmonë të punojnë pa fund sepse puna do ti nxjerrë në krye. Sado që të mundohen të të zhysin, të të ulin, puna do të të ngrejë lart. Unë këtë e kam pasur parim në jetën time dhe më ka nxjerrë gjithmonë faqebardhë. Ndaj komunikimi më lodhi pak, në kuptimin e lëvizjeve nga një televizion te tjetri, nga njëra studio te tjetra, sidomos javën e parë pas tërmetit ishte shumë e lodhshme. Kurse një muaj më pas ishte akoma më i lodhshëm sepse nuk pushonim telefonatat. Ma kishin mësuar telefonin të gjithë dhe unë nuk e kam zakon të mos përgjigjem dhe nuk i kam refuzuar askujt. Kam krijuar njohje pa fund dhe komunikimi më ka dhënë kënaqësi sepse kam krijuar shoqëri edhe më të gjerë. Unë jam munduar të jap diçka, por ma kanë kthyer dhjetëfish. Ndaj kur të rrethon dashuria e njerëzve dhe mirëkuptimi ti ke dhënë ndihmesë me gjithë shpirt dhe po kështu të kthehet, atëhere kjo është gjëja më e bukur që mund të arrish në jetë.
Prof.L.Bozo gjatë intervistës për CMG
Intervistoi Eda Merepeza
Prof. Emeritus Luljeta Bozo
Anëtare e AAAS. 2011
Prof. Universiteti i Tiranës, I994
PhD. Universiteti i Tiranës, 1989 Docent.
55 vjet aktivitet pedagogjik në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politenik të Tiranës, Universitetin Epoka dhe aktualisht punon si pedagoge në Universitetin POLIS.
Vazhdon të jetë kryetare e Shoqatës së Gjeoteknikëve të Shqipërisë si dhe anëtare e Shoqatës Botërore të Mekanikës së Dherave dhe Gjeoteknikës Inxhinierike.
Është autore e 33 librave të botuar
Qyteti i Durrësit e nderoi me titullin “ Simbol i Gruas”