Koronavirusi dhe lufta kundër tij janë tashmë kryefjala e bisedave familjare dhe shoqërore, shqetësimi botëror dhe përgjegjësia e institucioneve shtetërore. Një ndër elementete kësaj lufte, që për fat të mirë po jep rezultate pozitive në trajtimin e të sëmurëve me Covid 19 është dhe terapia e plazmës konvale.

Dhurimi i plazmës

Dhurimi i plazmës

Para një muaji në Shqipëri nisi procedura për këtë terapi ndaj të prekurve me Covid 19 që janë në trajtim spitalor, në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve universitare, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Në nisjen e këtij procesi ministra e shëndetësisë Ogerta Manastirliu nga banka e gjakut në QSUT deklaroi se janë marrë të gjitha masat dhe janë finalizuar protokollet për terapinë e plazmës, që janë hartuar në bashkëpunim me Universitetin Italian të Pavias.

“Pas një pune të gjatë dhe të vazhdueshme të ekipit të shëndetësisë për të arritur të shtojë në listen e trajtimeve edhe trajtimin e ri nëpërmjet plazmës konvaleshente, do të jetë ky trajtim që do ti shtohet serisë së trajtimeve, të cilat kanë ardhur dhe kanë qenë në kohë reale, sipas kërkesës dhe protokolleve që mjekët kanë kërkuar. Nga ana tjetër ne kemi bërë të mundur vendosjen në dispozicion të trajtimeve medikamentoze”, tha kreu i shëndetësisë, Manastirliu.

Për dhurimin e plazmës me qëllim trajtimin e të sëmurëve spitalorë të prekur nga koronavirusi, ministria e Shëndetësisë ka shpallur fushatën “Bëhu hero për dike që ka nevojë për ty!”. Edhe vetë ministrja Manastirliu u ka bërë thirrje 6 mijë të shëruarve nga Covid 19 të dhurojnë plazmë për tu ardhur në ndihmë të sëmurëve, që po trajtohen nga kjo sëmundje në spitale. Qysh nga nisja e trajtimit me plazmë të të sëmurëve me Covid 19 numri I dhuruesve të saj është mbi 50, por duhet shtuar “zinxhiri i solidaritetit”.

Ministrja Ogerta Manastirliu

Ministrja Ogerta Manastirliu

“Përgjatë një muaji që ne kemi nisur këtë fushatë janë 54 dhurues, që e kanë kaluar Covid 19 dhe të cilët plotësojnë kriteret për tu përfshirë në programin e dhurimit të plazmës. Sigurisht është momenti për të bërë edhe një apel për të gjithë ata qytetarë që e kanë kaluar Covid 19 për tu përfshirë në rrjetin e madh të solidaritetit. Janë mbi 6 mijë qytetarë që e kanë kaluar Covid 19 dhe janë mire për fat dhe fushata që kemi nisur “Bëhu hero për dike që ka nevojë “ I vlen ndërgjegjësimit të të gjithë atyre që mund të bëhen pjesë. Për këdo që është I interesuar dhe që e ka kaluar Covid 19 vetëm nëpërmjet një telefonate në numrin 08004040, që është linja e gjelbër e Ministrisë së Shëndetësisë, mund të marrë informacion nëse mund të bëhet dhurues dhe ku duhet ta bëjë dhurimin”

Një paciente 30-vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ishte e para dhuruese në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Shefja e shërbimit Infektiv, prof. Najada Çomo bëri të ditur se prej kohësh po punohet me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë terapi dhe shpjegoi trajtimin me plazmë të pacientëve.

“ Trajtimi me plazmë është një trajtim alternativ që i ofrohet grupit të madh të terapisë që përdorim në Shërbimin Infektiv dhe në Spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe u bë aplikimi i kësaj plazme në kohën e duhur dhe kur u maturuan kushtet si dhe u plotësuam me aparaturat e duhura”.

Prof. Najada Como

Prof. Najada Como

Sipas mjekëve çdo person ndërmjet moshës 18-65 vjeç, përfshirë çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatzëni, që e kanë kaluar COVID-19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të plazmës për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale.

Në mes të dhuruesve të plazmës është dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri thirrje për shtimin e dhuruesve, një shenjë solidariteti që shpëton jetë.

“Për 6 mijë qytetarë që e kanë kaluar ashtu si unë Covid 19 do tu thoja se nuk është bukur që të kemi vetëm 50 dhurime, kështu që ata 6 mijë që e kaluan dhe kanë antitrupa nëse kanë kaluar 2-3 janë nga kalimi i sëmundjes ju lutem dhuroni, dhuroni, dhuroni…pasi ky është një mjet shtesë, sigurisht jo I vetmi mjet, por është një tjetër armë në këtë luftë”, tha kryebashkiaku Veliaj

Procesi i terapisë me plazmë konvulsive zgjat për më shumë se një orë, dhe plazma nga një donator i vetëm mund të përdoret për të trajtuar tre ose katër pacientë. Por, jo të gjithë personat e shëruar nga COVID-19 mund të dhurojnë plazmën konvulsive.

Ata që kanë shprehur dëshirë për të dhuruar plazmë duhet të plotësojnë kushtet e dhuruesve të rregullt të gjakut, duhet të jenë të moshës mes 18 dhe 60 vjeç. Të sëmurët kronikë nuk mund të jenë dhurues. Për të dhuruar plazmë personat duhet të kenë testin e parë kur janë diagnostikuar me COVID-19 dhe pastaj dy teste negativ të njëpasnjëshëm. Pas kësaj ata duhet të presin 21 ditë që autoritetet shëndetësore t’i ftojnë për të kryer testin e tretë, por edhe një sërë analizash që të vërtetojnë se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, që të mos dëmtohen ata që pranojnë gjakun e tyre.

Plazma është pjesa e lëngshme e gjakut, në të cilën notojnë qelizat e gjakut si eritrocite, trombocite dhe leukocite. Në plazmën e gjakut të një personi të shëruar nga COVID – 19 ka edhe antitrupa që trupi ka krijuar gjatë luftës ndaj sëmundjes. Plazma që përmban këto antitrupa, të cilat luftojnë infeksionin quhet plazmë konvaleshente.

Ajo shfrytëzohet për të trajtuar pacientët me COVID – 19, pasi vlerësohet se, antitrupat e ndodhura në plazmën konvaleshente lidhen me virusin në trupin e pacientit, duke reduktuar ndikimin e tij dhe kufizojnë kështu përparimin e sëmundjes.

Plazma konvaleshente ka demonstruar efikasitetin e saj në përdorimet e mëparshme ndaj viruseve Ebola dhe SARS.

Duke qenë se akoma nuk kemi një terapi specifike ose një vaksinë për trajtimin e COVID – 19, disa studime sugjerojnë së fundmi se plazma konvaleshente mund të jetë e dobishme në trajtimin e infeksionit të shkaktuar nga korona virusi i ri (SARS-COV-2).

Bazuar në praktikat ndërkombëtare, me plazmë konvaleshence mund të trajtohen personat që janë në fazën e mesme të sëmundjes dhe atë që janë në fazën më të vështirë. Gjithçka bëhet në koordinim me mjekët infeksionistë , që merren me trajtimin e tyre. Sipas provave konkrete, me terapinë e dhurimit të plazmës shërohen personat e shtruar në spital që kanë simptome të rënda të rrugëve të frymëmarrjes.

Lufta kundër Covid 19 që nga fillimet e saj ka treguar se çdo betejë deri tani është fituar me solidaritet njerëzor.

Eda Merepeza